Florenc Drizari
Ministri i Drejtësisë: Sipas raportit të BE-së, gjykatat në Shqipëri janë të korruptuar
Presidenti: Nuk është korrekte dhe jo në shërbim të reformave padrejtësisht të njollosen të gjithë gjyqtarët e Republikës
Këshilli i Lartë i Drejtësisë u përfshi nga debatet e ashpra mes kryesuesve të institucioneve të drejtësisë, si Presidenti i Republikës Bujar Nishani në rolin e kreut të KLD-së, ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa. Debatet nisën për interpretimet e ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve. Ministri i Drejtësisë Naço, tha se vlerësimet e gjyqtarëve duhen të bëhen për periudha periodike – sipas ligjit deri në tre vjet, e jo për distanca më të gjata kohore.
“Nëse ne vlerësojmë gjyqtarin për vitin 2005-2006 në vitin 2014, unë besoj se nuk është sukses. Mjafton të lexosh ligjin, thotë të paktën një herë në tre vjet. Do të vazhdojmë me nenin 14, i po këtij ligji: “Për efekt të karrierës profesionale, KLD mban një listë të përhershme të renditjes së gjyqtarëve për rezultatet e punës në vijimësi, e cila përditësohet një herë në gjashtë muaj”, – tha Naço. Ky qëndrim i tij, solli edhe reagimin e kreut të shtetit Bujar Nishani, i cili kryesonte mbledhjen në rolin e Kryetarit të KLD-së. “Ju informoj se në çdo rast ka një listë. Jeni i mirëpritur që listën ta merrni në çdo rast pranë KLD-së. Ka një listë dhe asnjëherë nuk është vepruar pa listë”, – tha Nishani.
Replika mes funksionarëve të lartë të shtetit Naços dhe Nishanit, debate të mëtejshme për këtë çështje në tryezat e ardhshme te KLD-së, veçanërisht për mënyrën se si vlerësohen gjyqtarët në Shqipëri dhe për reformat që do të ndjekë qeveria e majtë për sistemin gjyqësor.
Duke u ndalur në reformat e qeverisë në drejtësi, anëtari Gjin Gjoni kërkoi një shpjegim të mëtejshëm se cili do të jetë synimi i qeverisë dhe e ministrit të Drejtësisë.
“Nëse ministri i Drejtësisë ose mazhoranca aktuale ka ndonjë projekt apo plan në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë, është mirë që KLD të jetë një aktor kryesor, pasi është grup interesi në lidhje me momentin e reformimit të sistemit të drejtësisë”, – pyeti Gjoni.
“Nuk fola për reforma. Kur vijmë në një pikë tjetër të rendit të ditës do të flasim për reformën dhe sigurisht do ta reformojmë të gjithë sistemin, se ka nevojë të reformohet. Ne po flasim për zbatimin e ligjit dhe në këtë moment do të kërkoj zbatimin e ligjit”, – u përgjigj Naço.
Një tjetër diskutim mes ministrit Nasip Naço dhe kreut të shtetit pati edhe për garimin për kryetar gjykate te dy pretendentëve Rexhep Karaj dhe Artan Çupi. Nga ana e tij, Ministri Naço iu referua mbi një herë frazës “të zbatohet ligji në KLD”, një frazë kjo që mesa duket u pa me rezerva nga Presidenti, si intimidim ndaj gjyqësorit, pasi sipas Presidentit, gjyqtarët nuk mund të lakohen kolektivisht.
“Sidomos nga KLD-ja do të kërkoj zbatimin e ligjit, nëse nuk e zbatojmë ne këtu, ne nuk kemi të drejtën morale të kërkojmë për gjyqtarët e tjerë në të gjitha nivelet. Sipas raportit të BE-së, gjykatat në Shqipëri janë të korruptuara”, – tha Naço.
“Në fjalën e ministrit nuk pranoj intonacionin që ministri paska ardhur të zbatojë ligjin dhe ne e kemi shkelur atë vazhdimisht. Absolutisht jo”,- tha nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa.
“KLD, politika dhe të gjitha institucionet e këtij vendi kanë detyrim ndaj qytetarëve, të angazhohen në reforma që rrisin profesionalizmin e gjyqtarëve tanë. Angazhohen për reforma që rrisin transparencën e gjyqësorit, të angazhohen në reforma që japin garanci ligjore dhe mbrojtje integritetit të gjyqtarëve tanë. Nuk është e drejtë, nuk është korrekte dhe jo në shërbim të reformave, padrejtësisht të njollosen të gjithë gjyqtarët e Republikës. Nuk mund të barazohet i korruptuari me kurajozin”, – tha Nishani.
Pjesë nga debatet në KLD
Nasip Naço: Nëse ne vlerësojmë gjyqtarin për vitin 2005-2006 në vitin 2014, unë besoj se nuk është sukses. Mjafton të lexosh ligjin, thotë të paktën një herë në tre vjet. Do të vazhdojmë me nenin 14, i po këtij ligji: ‘Për efekt të karrierës profesionale, KLD mban një listë të përhershme të renditjes së gjyqtarëve për rezultatet e punës në vijimësi, e cila përditësohet një herë në gjashtë muaj.
Bujar Nishani: Ju informoj se në çdo rast ka një listë. Jeni i mirëpritur që listën ta merrni në çdo rast pranë KLD-së. Ka një listë dhe asnjëherë nuk është vepruar pa listë.
Gjin Gjoni: Nëse ministri i Drejtësisë ose mazhoranca aktuale ka ndonjë projekt apo plan në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë, është mirë që KLD të jetë një aktor kryesor, pasi është grup interesi në lidhje me momentin e reformimit të sistemit të drejtësisë.
Nasip Naço: Nuk fola për reforma. Kur vijmë në një pikë tjetër të rendit të ditës do të flasim për reformën dhe sigurisht do ta reformojmë të gjithë sistemin, se ka nevojë të reformohet. Ne po flasim për zbatimin e ligjit dhe në këtë moment do të kërkoj zbatimin e ligjit.
Elvis Cefa: Në fjalën e ministrit nuk pranoj intonacionin që ministri paska ardhur të zbatojë ligjin dhe ne e kemi shkelur atë vazhdimisht. Absolutisht jo.
Nasip Naço: Sidomos nga KLD-ja do të kërkoj zbatimin e ligjit, nëse nuk e zbatojmë ne këtu, ne nuk kemi të drejtën morale të kërkojmë për gjyqtarët e tjerë në të gjitha nivelet. Sipas raportit të BE, gjykatat në Shqipëri janë të korruptuara.
Bujar Nishani: KLD, politika dhe të gjithë institucionet e këtij vendi kanë detyrim ndaj qytetarëve, të angazhohen në reforma që rrisin profesionalizmin e gjyqtarëve tanë. Angazhohen për reforma që rrisin transparencën e gjyqësorit, të angazhohen në reforma që japin garanci ligjore dhe mbrojtje integritetit të gjyqtarëve tanë. Nuk është e drejtë, nuk është korrekte dhe jo në shërbim të reformave, padrejtësisht të njollosen të gjithë gjyqtarët e Republikës. Nuk mund të barazohet i korruptuari me kurajozin.
Arben Isaraj: KLD kaloi kufijtë, shkeli ligjin
“Të shkelësh ligjin hapur”. Kështu e nis komentin e tij zv.ministri i Drejtësisë Arben Isaraj lidhur me mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tij, padrejtësia në vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë është kërcënim për drejtësinë kudo në Shqipëri. “Historia e lirisë në demokraci është historia e kufijve të pushtetit të shtetit, e vendosur me ligj.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me ndërgjegje të plotë e publikisht, sapo i kaloi këto kufij, duke shkelur hapur ligjin “PËR ORGANIZIMIN E PUSHTETIT GJYQËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.
Ka shkelur hapur ligjin me arsyetimin e nxituar e absurd se: KLD-ja në këtë rast, po mbron pushtetin gjyqësor të rrezikuar e në “nevojë ekstreme”, nga “sulmet” e “dëmtimet” e rënda të gjyqtarëve “të komanduar” dhe jo të emëruar prej politikës që iku me votë.
Sot padrejtësia, në vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, është kërcënim për drejtësinë kudo në Shqipëri.
Dhe… kur populli thotë se “peshku qelbet nga koka”, reforma në drejtësi duhet të filloi këtu, që ligjet në Shqipëri, të mos jenë rrjeta peshkatarësh që shqyhen nga peshqit e mëdhenj e ku ngecin veç peshqit e vegjël”, – deklaroi zv.ministri i Drejtësisë në një koment në rrjetin social “Facebook”.
Anëtari i KLD-së, Sokol Çomo, largohet nga mbledhja
Anëtari i ri i KLD, Sokol Çomo, u largua nga mbledhja e Këshillit të lartë të Drejtësisë një ditë më parë, pasi ashtu siç tha dhe ai vetë për mediat nuk i është komunikuar zyrtarisht vendimi, teksa nuk është ngritur as komisioni i verifikimit.
Anëtari i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Sokol Çomo, reagoi për mospranimin e tij në mbledhjen e sotme të KLD-së, duke thënë:
“Që nga dita e djeshme jam ligjërisht në detyrë si anëtar i KLD-së. Ky institucion kishte detyrim ligjor që sot të ngrinte një komision verifikimi për mandatin si anëtar, pasi janë disa procedura që janë realizuar”, – theksoi Çomo, duke shtuar se nuk kam asnjë komunikim zyrtar sepse nuk është zbatuar kjo pjesë e ligjit.
Çomo u shpreh: “Pata një komunikim me një nga punonjëset e administratës dhe i kërkova një komunikim zyrtar, të cilin nuk e pata dhe në këto kushte jam i detyruar të largohem”.
Pranimi i anëtarit të ri të KLD-së, Sokol Çomo, u shty për mbledhjen tjetër, pasi kishte ardhur vetëm vendimi i Kuvendit, por jo gjithë dokumentacioni. “I vetmi dokument i ardhur dje është vendimi i Kuvendit, por nuk kemi asnjë dokument tjetër. Duhet të jemi korrekt me ligjin dhe duhet të respektojmë procedurat”, – tha Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa. Sokol Çomo është anëtari KLD-së i propozuar nga Kuvendi, institucion në të cilin ai u zgjodh dy ditë më parë.