Shtyhet miratimi i aktit normativ në Kuvendin e Shqipërisë/ Rama: Kërkojmë konsensusin e opozitës për aktin normativ, i kemi votat për ta miratuar

0
114

Florenc Drizari

 

Rama: Qasja e Metës për aktin normativ bëri që vendimi të shtyhet për t’i hapur rrugën konsensusit me opozitën

 

rama-ne-kuvend2-1024x645-640x3401-600x318Kryeministri Edi Rama kërkoi dje konsensusin e opozitës për miratimin e aktit normativ të qeverisë. Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se mazhoranca i ka votat e nevojshme për miratimin e aktit normativ për nëpunësin civil, por shtoi se fton opozitën të bashkëpunojë për këtë vendim të qeverisë, edhe për hir të konsensusit të mëparshëm me të cilin është miratuar ligji në fjalë. Akti normativ i qeverisë i miratuar në fund të muajit shtator i shtyn me 6 muaj kohë afatet e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Drafti i Këshillit të Ministrave ka kaluar me votat e socialistëve në Komisionin e Ligjeve dhe sipas ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, akti normativ ishte gati për t’u votuar në seancën e djeshme plenare.

Gjatë seancës parlamentare të së enjtes, akti normativ nuk iu nënshtrua votimit dhe, sipas Kryeministrit Rama, me kërkesë të z. Meta, vendimi u shty për ditët në vijim me qëllim gjetjen e një konsensusi me opozitën, edhe pse kjo e fundit vazhdon prej disa ditësh bojkotin e seancave plenare dhe të komisioneve parlamentare.

RAMA

Fjalën e tij, para Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri Rama e nisi me vlerësimin për kreun e Kuvendit lidhur me propozimin për shtyrjen e aktit normativ, si një hap për gjetjen e konsensusit me opozitën. “Në radhë të parë, më lejoni që ta përshëndes në emër të qeverisë, qasjen e Kryetarit të Kuvendit, në raport me procesin për të shkuar drejt miratimit të aktit normativ, duke bërë edhe një shtyrje tjetër nga axhenda, për të vazhduar në kërkim të konsensusit të opozitës dhe në përpjekjen tonë për të ndihmuar edhe opozitën që të gjejë rrugën e arsyes lidhur me domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje të këtij Kuvendi”, – deklaroi Kryeministri.

PROPOZIMI PËR KONSENSUS

Kryeministri Rama ftoi dje opozitën për të dhënë kontributin e saj në miratimin e aktit normativ të qeverisë, edhe pse, siç tha ai, mazhoranca e ka forcën e kartonit për ta miratuar e vetme këtë vendim.

“Duke e garantuar edhe njëherë tjetër opozitën e Republikës së Shqipërisë, që kjo shumicë është këtu për të mos përsëritur asnjë faj, asnjë gabim dhe asnjë vijë sjelljeje, në vazhdën e fajeve, gabimeve dhe vijës së vjetër të sjelljeve së qeverisë ndaj opozitës dhe duke shprehur edhe njëherë vullnetin tonë të plotë, për të vazhduar të dialogojmë me të gjitha pjesët e opozitës, pa bërë asnjë përjashtim, mbetemi në dispozicion edhe në ditët në vijim dhe në një afat të arsyeshëm, për disa ditë më vonë të kërkuar nga Kryetari i Kuvendit, për të gjetur rrugën e arsyes dhe të konsensusit.

Ne kemi të gjitha forcat numerike për të garantuar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë atë konsensus, që Kushtetuta e parashikon përtej shumicës së thjeshtë. Por, nga ana tjetër, kemi gjithë vullnetin që përpara se të përdorim forcën numerike kushtetuese, të kërkojmë deri në sekondën e fundit mirëkuptimin dhe mbështetjen e opozitës, në funksion të mbarëvajtjes së shtetit shqiptar dhe në funksion të nevojës së Administratës Publike dhe të gjithë nëpunësve të Administratës Publike, atyre që sot i parasheh ligji ekzistues dhe atyre që i parasheh për një kohë të afërt ligji i ri, në mënyrë që votimi të jetë shprehje e këtij mirëkuptimi”, – tha Rama.

AKUZAT NDAJ PD-SË

Në fjalën e tij të mbajtur dje në Kuvend, Kryeministri Rama akuzoi edhe qeverisjen e djathtë se nuk përmbushi detyrat e saj për plotësimin me akte nënligjore ligjin për nëpunësin civil.

“Qeveria paraardhëse nuk kishte kohë dhe nuk kishte fokus, vullnet jo e jo, për të bërë të gjitha ato detyra, që sot do të na kishin sjellë në kushtet kur ligji i ri do të ishte plotësisht i zbatueshëm. Madje,- dhe këtu dëshiroj ta mbyll këtë pjesë të parë të ndërhyrjes sime,- vetë hartuesit e projektligjit të ri, së bashku me ekspertët e projekteve të SIGMA-s, të cilët ishin kyç në hartimin e ligjit të ri, kanë parashikuar shtrirjen e efekteve të ligjit një vit pas hyrjes së tij në fuqi, dhe brenda këtij viti afatin e nevojshëm për hartimin e akteve nënligjore të parashikuara në gjashtë muaj”, – tha ai.

RAMA PËR AKTIN NOMATIV

Sipas Kryeministrit Rama, “pa aktin normativ dhe pa vendimmarrjen e ndërmjetme të këtij Kuvendi, mes ligjit të vjetër dhe ligjit të ri, gjendemi në vakum dhe në pazbatueshmëri”.

Duke folur shkoqur, tha Rama, kjo shumicë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë vetëm një synim: Ta bëjnë ligjin e nëpunësit civil dhe t’i bëjnë të gjitha amendimet e këtij ligji të miratuara me konsensus, të zbatueshme.

 

 

 

 

Miratohet ligji në Kuvend, Rama: Shqipëria nuk është më vend i importit të plehrave

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”. Drafti kaloi vetëm me diskutimet e deputetëve të mazhorancës, ndërkohë që opozita nuk ishte e pranishme në sallën e Kuvendit. Në fjalën e tij për këtë ligj, Kryeministri Rama tha se “Shqipëria nuk është më vend i importit të plehrave”. Sipas tij, vendi ynë nuk është i aftë të përpunojë mbetjet brenda territorit e jo të importojë nga vende të tjera.

Shqipëria sot është vendi më problematik për sa i përket mbledhjes dhe trajtimit të plehrave në të gjithë hartën e Evropës. Shqipëria sot nuk garanton asnjë standard evropian, por jo vetëm evropian, në trajtimin e plehrave. E, është krejtësisht e qartë që Shqipëria, sot dhe nesër, nuk mund të importojë plehra nga jashtë”, – tha Rama.

Sipas tij, ka vetëm një arsye pse mafia i drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të pamundura për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, t’i hapin rrugë importit të plehrave. “Arsyeja është shumë e thjeshtë; interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve, që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve. Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehrat, ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, të cilat i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme për shkak se kanë të gjitha aftësitë për të kontrolluar dhe për të trajtuar këto lloj mbeturinash dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit dhe me standardet më të ulëta, madje inekzistente, të përpunimit të tyre. Fatkeqësisht, Shqipëria që ne trashëgojmë bën pjesë tek këto të dytat”, – deklaroi Rama.

“Gjëja e parë dhe gjëja më e mirë që ne mund të bënim për Shqipërinë e rrënuar që trashëgojmë, – tha Kryeministri, – është ndalimi i importit të çdolloj mbeturine. Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë, deri në ditën kur Shqipëria do të jetë në gjendje të seleksionojë, të ndajë, të mbledhë, të përpunojë plehrat që prodhon vetë. Pastaj një epokë tjetër mund të jetë e mundur, por deri kur të vijë ajo ditë ne s’kemi asnjë zgjidhje tjetër për të respektuar deri në fund popullin, për të respektuar deri në fund shëndetin e çdo qytetari dhe për të respektuar deri në fund interesin tonë kombëtar dhe publik”.

 

 

 

Luan Duzha bashkon votën me mazhorancën e majtë

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Republikanë në zgjedhjet e 23 qershorit, Luan Duzha, bashkoi votën në seancën e djeshme parlamentare me mazhorancën e majtë. Që pas largimit të tij nga republikanët, Duzha votoi për herë të parë për mazhorancën, ndërsa i rreshtuar në sallën e Parlamentit ai u pa përkrah deputetëve të LSI-së, forcë politike të cilën ai deklaroi pak ditë më parë. Këtë kalim nga radhët e republikanëve drejt LSI-së, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, e ka quajtur një pazar në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në një letër shpjeguese për këtë lëvizje, deputeti Duzha ka argumentuar se kaloi me LSI-në për shkak se kjo forcë politike i mbrojti votat më 23 qershor.

Vota e tij në grupin parlamentar të Lëvizjet Socialiste për Integrim bën që mazhoranca e majtë të arrijë shifrën prej 84 votash ose, siç njihet ndryshe, edhe shumicën e cilësuar. Kjo shumicë i jep forcën e kartonit mazhorancës për të miratuar edhe ndryshimet e fundit në ligjin për nëpunësin civil. Prej disa ditësh qeveria ka ndërmarrë miratimin e një akti normativ me fuqinë e ligjit për të shtyrë afatet e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Miratimi i këtij akti është bërë shkak edhe për bojkotin nga radhët e opozitës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency