Pas kërkesës së Kryeministrit për konsensus reagoi kreu i PD-së Basha, Ramës: Tërhiq aktin normativ dhe drejtoju procedurave normale

0
194

Kreu i PD-së: S’mund të ketë mirëkuptim për aktin antikushtetues që prishi konsensusin

Prononcimi për media i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në selinë e PD-së:

 

bashaaaaa1Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ftesës së djeshme për konsensus nga Kryeministri Edi Rama për aktin normativ iu përgjigj se pa e tërhequr aktin normativ nga axhenda e Kuvendit, nuk ka marrëveshje me opozitën. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, kreu i demokratëve, Basha, tha se mazhoranca nuk kërkon konsensus me opozitën, por nënshtrimin e saj. Këtë ai e lidhi me qëndrimin e socialistëve për t’i qëndruar votimit të aktit normativ në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkaq, Partia Demokratike bashkë me aleatët e saj bojkotoi sërish dje seancën plenare në formë proteste ndaj vendimit të qeverisë për aktin normativ, që shtyn me 6 muaj kohë afatet e veprimit të ligjit për nëpunësin civil, ligj i cili u votua me konsensus në datën 30 maj të këtij vitit. Konsensusi i arritur para disa muajsh mes pozitës së djathtë dhe opozitës së majtë, synonte që ligji të hynte në fuqi më datën 1 tetor të këtij viti. Por vendimi i qeverisë për miratimin e një akti normativ për shtyrjen e ligjit me 6 muaj kohë, ka bërë që opozita të bojkotojë seancat plenare dhe komisionet parlamentare.

Lulzim Basha

Gjatë një daljeje publike një ditë më parë para selisë së PD-së, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, duke iu përgjigjur ftesës së Kryeministrit Rama për konsensus për aktin normativ, tha se nëse ai është serioz për atë që kërkon, ka vetëm një rrugëdalje të qartë. “Ta heqë këtë thikë që i ka ngulur pas shpine konsensusit, ta anulojë këtë akt arbitrar dhe antikushtetues që quhet akt normativ e që tenton në mënyrë antikushtetuese të zhbëjë efektet e një vote unanime, të një konsensusi mbarëpartiak”, – deklaroi Basha.

Më tej, kreu i PD-së, Basha, vijoi duke thënë se konsensus i cili asnjëherë nuk është shkelur me përjashtim të këtij rasti, pra akti normativ, kjo thikë në shpinë të konsensusit, është dhe mbetet një fakt.

“Akti normativ shkatërron konsensusin, – tha ai, – shkatërron marrëveshjen unanime dhe votën unanime në Parlament, për një nga tri ligjet, kusht për statusin kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të jeni të qartë. Asgjë s’ka ndryshuar në këtë drejtim. Nuk kërkon konsensus, kërkon nënshtrim. Kërkon që opozita t’i nënshtrohet vullnetit arbitrar dhe antikushtetues të aktit normativ. Akt normativ, i cili merr përsipër të zhbëjë një ligj me 3/5.

Ky është fakti dhe për këtë shqiptarët ta kenë fare të qartë që opozita e tyre, opozita shqiptare, do të qëndrojë fort në mbrojtje të vlerës së konsensusit dhe në mbrojtje të një ligji të miratuar me votë unanime në Kuvendin e Shqipërisë”, – deklaroi z. Basha.

Më tej, kreu i opozitës i quajti gënjeshtra qëndrimet se ligji po ndryshohet për faktin se nuk është i zbatueshëm. Sipas tij, vendimet e qeverisë po bëhen për të bërë rekrutime jotransparente në administratën publike.

“Ligji nuk është i pazbatueshëm, por ligji bën të pazbatueshëm spastrimin e administratës dhe rekrutimit në mënyrë jo transparente, jo në bazë të meritës profesionale, por në bazë të kritereve jo transparente klienteliste dhe politike siç kemi pasur rastin të shohim në këto ditë, në vende të rëndësishme që menaxhojnë pasuritë dhe paratë e shqiptarëve, në dogana, në tatime, në AlbPetrol, në lojërat e fatit e kudo tjetër”, – deklaroi dje kryetari Lulzim Basha para selisë së PD-së.

 

 

 

 

 

 

 

Kuvendi, pro ndalimit të importit të mbetjeve dhe ligjit për masat kundër terrorizmit

Kuvendi i Shqipërisë votoi me shumicë të thjeshtë votash një sërë projektligjesh ku spikatën vendimet e qeverisë për të ndaluar importin e mbetjeve dhe ligji për masat kundër financimit të terrorizmit. Për të dy këto drafte nuk pati debate, kjo edhe për faktin se opozita bojkotoi seancën plenare në shenjë proteste për aktin normativ të qeverisë lidhur me nëpunësin civil.

Deputetët e mazhorancës diskutuan për propozimet e qeverisë, duke vënë theksin tek rëndësia që ka për vendin ndalimi i importit të mbetjeve. Sipas tyre, miratimi i këtij ligji dy vjet më parë, ishte dhuratë e qeverisjes së djathtë për qytetarët shqiptarë. Në fjalën e tyre deputetët e mazhorancës kundërshtuan qasjen e qeverisjes së mëparshme për mjedisin në tërësi dhe zbatueshmërinë e ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e territorit.

Kështu, deputetët e majtë votuan me 76 voto pro “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”. ndërsa ligji për “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, u votua me 74 vota pro dhe projektligji “Për sigurinë në tunelet rrugore”, mori 72 vota pro me elektronikë dhe tre vota pro me karton, në tërësi 75 vota.

Në hapje të seancës, Kryetari i Kuvendit njoftoi se është depozituar për miratim akti normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2013. “Dua t’ju vë në dijeni se në mbështetje të nenit 44 pika 3 e Rregullores në Kuvend është depozituar për shqyrtim dhe miratim akti normativ nr. 6 datë 4.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119 2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, i paraqitur nga Këshilli i Ministrave më datë 7.10.2012. Sipas rregullores, ky akt normativ hyn automatikisht në programin e punës që është miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve, në mbështetje të nenit 26, pika 7 e rregullores”, – tha Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi projektvendimin “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”. Deputetët votuan në mënyrë të fshehtë me elektronikë për dy kandidaturat alternative për këtë pozicion, për zotin Petrit Ahmeti dhe zotin Agim Nashi, të propozuara nga ekipi përzgjedhës, që përbëhet nga kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë.

Me 74 vota pro deputetët zgjodhën kandidatin Petrit Ahmeti si kryetar të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë. Zgjedhja e zotit Sokol Çomo si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë me 76 vota pro dhe shqyrtimi dhe miratimi me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj”, ishin dy projektvendime të tjera që u miratuan gjatë seancës së sotme plenare.

 

 

 

 

Votimi i ligjeve në Kuvend

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”

76 vota pro

Projektligjin “Për masat kundër financimit të terrorizmit”

74 voto pro

Projektligji “Për sigurinë në tunelet rrugore”

72 vota pro

Projektvendimi “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”, Petrit Ahmeti

74 vota pro
1 kundër
1 abstenim

Projektvendimi “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”, Agim Nashi

6 vota pro
38 kundër
24 abstenime

Zgjedhja e zotit Sokol Çomo si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë me 76 vota pro

76 vota pro
1 kundër

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency