De Biazi: Luftojmë për të arritur ëndrrën e play-off-it

0
138

Jurges Veizaj

 

Tekniku i kombëtares shqiptare foli për ndeshjen e sotme dhe për sa i përket rinovimit të kontratës së tij në krye të kombëtares shqiptare, por gjithashtu theksoi se do të hyjnë në fushë për maksimumin

 

kombetarja_shqiptare_500Sot luhet edhe ndeshja më e rëndësishme për skuadrën tonë kombëtare. Përballë do të kemi zviceranët e Hicfeldit. Kjo ndeshje është e rëndësishme për disa arsye. E para, sepse një fitore mund të na jepte një trepikësh mjaft të vlefshëm për vazhdimin e sfidës për kualifikim. E dyta, është speciale, për shkak se përballë kemi 6 shqiptarë të cilët luajnë për Zvicrën. Duket si një ndeshje brenda të së njëjtës kombësi, por që fati i ka vendosur këta lojtarë të talentuar përballë vendit të tyre. Shqipëria vjen nga një pozicion i vështirë. Kombëtarja mbante një pozicion shumë të mirë në vendin e dytë që e çonte drejt play-off. Mirëpo dy ndeshjet e humbura na çuan në vendin e pestë. Humbjet ndaj Sllovenisë dhe Islandës ishin një zhgënjim i madh për tifozerinë që kishte ngritur ëndrra për të ardhmen e ekipit drejt Brazilit 2014. Kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe në këto duhet që të mundohemi të marrim pikë, pasi është e vetmja mënyrë që ta mbyllim mirë rrugën tonë për këto kualifikuese dhe gjithashtu nëse fati na ndihmon, mund të na rikthejë. Kthimi në vendin e dytë do të mund të na siguronte fazën play-off. Dje De Biazi foli para ndeshjes për të bërë një deklaratë për çështjet më të rëndësishme. Trajneri italian foli për çështjen e rinovimit të kontratës së tij. Një çështje e cila ka javë që gëlon në media, për shkak se akoma nuk është arritur një akord. Mirëpo duket se të dyja palët kanë arritur në konsensus. FSHF duket se ka pranuar disa nga kushtet e trajnerit dhe mund t’i sigurojë një rrogë të kënaqshme për kushtet që kemi. Trajneri ka deklaruar për këtë çështje se shifrat nuk janë astronomike, nga ato që deklarohen në media. Por e rëndësishme, sipas tij, është se palët kanë rënë dakord. Akoma mungojnë edhe detaje të kontratës por duket se çdo gjë ka shkuar drejt zgjedhjes. Trajneri do të jetë në krye të stolit drejtues sipas kontratës së re edhe në edicionin e ardhshëm të kualifikueseve për Evropianin 2016. Në lidhje me ndeshjen ndaj Zvicrës, kryesueses së grupit tonë kualifikues, e fundit para tifozëve kuqezinj për këtë fushatë eliminatoresh, italiani theksoi: “Gjendja në ekip është shumë e mirë. Kjo na e shton besimin në vetvete, ndaj do të futemi pa frikë në fushë, kundër Zvicrës. Pavarësisht se luajmë kundër një ekipi të forte, që ka në përbërje të vet 9 lojtarë pjesëmarrës në Champions League, ne do t’i luajmë të gjitha shanset tona”. Trajneri i kombëtares, De Biazi, lidhur me objektivat e mbetur në lojë, për të cilët luan ekipi që ai drejton, shtoi: “Në çdo ndeshje hyjmë për të marrë maksimumin. Këtë gjë do të tentojmë edhe ndaj helvetëve. Duam të përmirësojmë pozicionin në grupin tonë kualifikues. Pastaj, përderisa ka jetë, ka edhe shpresë për play-off”.

 

 

Cana: Ndeshje midis miqsh

Një përballje e veçantë do të jetë edhe për kapitenin e kombëtares sonë Lorik Cana. Kjo, pasi ai e ka kaluar një pjesë të mirë të fëmijërisë së tij në Zvicër. Lojtari ka komentuar për raportin që ka me Zvicrën dhe se i është mirënjohës vendit alpin për ato çka i ka dhënë. “Unë e di se nga kam ardhur. Udhëtimi im si njeri dhe lojtar i detyrohet Zvicrës. Lozanën kurrë nuk do ta harroj! Shkoj dy herë në vit atje”. Gjithashtu lojtari ka komentuar se si vendi që ndodhet në mes të Evropës punon me lojtarët. “Zvicra bën një punë të mirë me futbollin. Ka talente të jashtëzakonshme në këtë vend, ku spikasin edhe një brez emigrantësh shqiptarë”, – ka vijuar kapiteni shqiptar. Ashtu si Behrami, Xhaka, Shaqiri… “Djemtë që ju përmendët, por edhe Xhemaili, kanë pasur mundësi të madhe. Me qenë i sinqertë, do doja që lojtarë si Behrami, Mehmedi, Shaqiri, Xhaka të dilnin edhe në Shqipëri. Ka talente këtu, por fatkeqësisht nuk i kanë mundësitë e duhura për t’u zhvilluar. Është vërtet për të ardhur keq. Unë kam qenë me fat që jam rritur në Zvicër. Shumë shqiptarë kanë zgjedhur të përfaqësojnë Zvicrën. Ata do ta ndihmonin shumë kombëtaren tuaj, nëse do t’i kishit përkrah. Nuk kisha dashur të debatoj për lojtarët që kanë zgjedhur fanellën e Zvicrës. E njoh Xhakën prej shumë kohësh. Është një djalosh shumë i mirë. Behramin dhe Xhemailin i takoj në kampionatin italian. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ata janë lojtarë shumë të mirë, që kanë arritur nivel të lartë ndërkombëtar”, – shprehet Cana. Në fund Lorik Cana ka thënë edhe një koment për vendin mik duke thënë: “Asgjë nuk kam për ekipin. Për popullin e Zvicrës po: dua të them se kjo do të jetë një ndeshje mes dy vendeve mike. Gjatë ndeshjes do të ketë rivalitet, por kjo është normale. Zvicra është ekipi më i mirë në grup. Ne jemi kompetitivë dhe dëshirojmë të fitojmë. Mendoj se çdo gjë do të jetë në rregull. E keni parë ndeshjen e parë në Luzernë? Atmosfera ishte shumë e mirë. Tifozët në tribuna ishin të ndryshëm, por miq me njëri-tjetrin. Ne e dimë se kemi nevojë për Zvicrën. Ky vend mik ka lejuar shumë bashkatdhetarë tanë të punojnë aty”.

 

Formacioni me të cilin mund të luajë De Biazi

De Biazi për sfidën ndaj djemve të Hicfeldit ka në mendje dy ide. E para është ajo e të luajturit me formacionin 4-4-1-1. Ky formacion mund të ketë në sulm Salihin, i cili mbështetet nga Kaçe. Ndërsa mbrapa qëndrojnë Basha, Bulku në qendër të mesfushës Rama dhe Roshi nga krahët. Ndërsa në mbrojtje pritet që të vendoset Cana, Mavraj në qendër. Ndërsa nga krahët pritet që të jetë Lila me Agollin. Një formacion i cili duket perfekt për ekipin e De Biazit. Një formacion i cili i jep më shumë përparësi fazës mbrojtëse dhe bazohet më shumë në kundërsulm. Kaçe është i pozicionuar mirë dhe duke përfituar nga aftësia e tij për pas, mund të shërbejë asiste shumë mirë për Salihin. Ndërsa në Rama dhe Roshi mund të bëjnë surprizën e tyre me sprintet nga krahët. Ndërsa formacioni i dytë është 4-4-2. Një formacion, i cili bazohet më shumë në lojën ofensive, duke u përqendruar aksionet te Salihi dhe Bala që janë të rrezikshëm të dy në sulm. Ky formacion është paksa më i ngrirë dhe jep më pak mundësi veprimi, pasi kjo u heq pak rolin krahëve dhe e përqendron më shumë rolin e tyre për t’u dhënë topa sulmuesve. Zgjidhje më e mirë në letër duket 4-4-1-1. Më frytdhënës dhe që është më i përshtatshëm për sfidën ndaj Zvicrës që përmban shumë lojtarë të mirë që mund të shënojnë.

 

Deklaratë për shtyp ka dhënë edhe trajneri i zviceranëve. Tekniku ka një kohë të gjatë në kombëtaren zvicerane dhe e ka ngritur në një nivel tepër të lartë. Kjo edhe falë lojtarëve shqiptarë që janë në skuadër. Dëshira e tij është që ta mbyllë kualifikimin ditën e sotme: “Ne duam ta mbyllim kualifikimin ditën e premte”. Trajneri kërkon që të dalë nga “Qemal Stafa” me një trepikësh që i siguron ëndrrën Brazil 2014. “Filozofia jonë është gjithmonë e njëjtë, futemi në çdo takim me qëllimin për të fituar. Edhe pse një barazim është i mjaftueshëm të premten për t’i hapur dyert e Kupës së Botës 2014, në Brazil, ju siguroj se duam ta fitojmë këtë ndeshje”, – thotë trajneri i kombëtares zvicerane. Në Tiranë, Hicfeld e di se nuk do të jetë një ndeshje si të tjerat, duke pasur parasysh praninë e 6 lojtarëve shqiptarë në radhët e skuadrës që drejton. “E veçantë është, por gjithsesi kjo është vetëm një lojë futbolli. Një ndeshje ku publiku shqiptar duhet të mbështesë ekipin e tij dhe jo të vërshëllejë lojtarët tanë. Nëse ndodh, jam i sigurt se vërshëllimat mund t’u japin lojtarëve të mi motivim shtesë. Përvoja e parë në ndeshjen e Luzernës, gjithashtu, mund të na shërbejë në këtë drejtim. Ajo që do t’u kërkoj lojtarëve të mi, ka të bëjë me demonstrimin e qartë të një ndjenje të fortë solidariteti në fushë”, – shprehet ai. Kombëtarja Hicfeld qëndron që prej 30 majit 2012 e pamposhtur kur u mund 1-0 nga Rumania në Luzernë, ndaj këtë rekord ish-trajneri i Bajernit të Mynihut synon ta ruajë edhe në kryeqytetin shqiptar. “Shqipëria është paparashikueshme, por Zvicra është e gatshme të përballet me çdo të papritur. Shqiptarët kanë një kombëtare shumë të gjallë, e cila është në gjendje për të vepruar në disa regjistra. Të premten, pritësit do të japin gjithçka, sepse u duhet ende shpresë për të fituar një vend në play-off, por nga ana jonë, është po ashtu një sfidë e madhe. Një fitore dhe ëndrra jonë bëhet realitet për të shkuar në Brazil”, – e mbyll fjalën e tij Otmar Hicfeld.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency