Kryediplomatja italiane/ Bonino: Shqipëria ka shumë mundësi të marrë statusin në dhjetor, s’ka rrezik për TAP-in

0
167

Gëzim Saliu

 

Kryediplomatja italiane: Shpresoj që me Presidencën tonë të BE-së të mbështesim vendin tuaj drejt anëtarësimit

Rama me Boninon: Zgjerim të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik

ministrja e Jashtme italiane BoninoItalia mbështet Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kështu konfirmoi dje kryediplomatja e shtetit fqinj, Emma Bonino, në takimet që zhvilloi me krerët e shtetit, duke theksuar se me marrjen e Presidencës së BE-së nga Italia, do të nisë një mbështetje e gjerë për Shqipërinë në kuadër të anëtarësimit në strukturën evropiane. “Ndodhem në Shqipëri për çështje të rëndësishme e madhore. Në dhjetor Shqipëria ka shumë mundësi që të marrë statusin e vendit kandidat dhe Italia ka qenë dhe do të jetë një mbështetëse e fuqishme për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Dua t’i bëj të ditur mbështetjen tonë zotit Bushati për integrimin e Shqipërisë në BE. Shpresoj që me Presidencën tonë të BE, pas asaj të Greqisë, të mbështesim vendin tuaj drejt anëtarësimit”, – u shpreh Bonino në konferencën e përbashkët për shtyp që zhvilloi me homologun shqiptar Ditmir Bushati.

 

TAP-i dhe bashkëpunimi

Krahas mbështetjes për integrimin e vendit në BE, ministrja e Jashtme italiane siguroi Shqipërinë se vendi i saj nuk do të tërhiqet nga projekti TAP dhe se lidhur me këtë çështje nuk ka asnjë rrezik. Duke folur për mundësitë që paraqet vendi për rritjen e investimeve të huaja, Bonino tha: “Në Shqipëri ekzistojnë kushte të mjaft të mira për të tërhequr investime të huaja, gjithashtu projekti TAP është një mundësi e mirë bashkëpunimi me dy vendeve tona. Ngjashmëria mes dy vendeve na favorizon për të bashkëpunuar më tej. Shqipëria gëzon kushte të mira për të thithur investime të huaja. Projekti TAP mjaft i rëndësishëm për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve”. E pyetur specifikisht rreth projektit TAP, nisur nga votimi kundër në Senatin italian, Bonino qetësoi palët duke pohuar se “për projektin nuk paraqitet asnjë rrezik”. Gjithashtu, ministrja e Jashtme u shpreh se e njeh prej kohësh Shqipërinë pasi në pozicionin që ka mbajtur ka pasur mundësinë ta vizitojë vendin. “Në vitet ‘90, kur vija në Shqipëri, kisha përshtypjen e një Tirane gri dhe u ktheva me një kujtesë si një vend me ngjyra”, – tha Bonino. Ndërsa ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet shume të mira mes dy vendeve dhe nevojën për thellimin e tyre. “Shkëmbyem pikëpamjet tona që marrëdhëniet mes dy vendeve të ngrihen në një stad më të lartë në fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët, që variojnë nga çështjet ekonomike deri tek çështjet e mjedisit dhe kulturës. Patëm një shkëmbim pikëpamjesh për sa i përket mbështetjes që i ka dhënë Italia Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe procesit për integrimin e Shqipërisë në BE, nevojë për një qëndrim më të centralizuar mes dy qeverive dhe për ambicien tonë për të avancuar në kandidimin në BE, në të cilën Italia ka qenë mbështetje e plotë”, – tha Bushati, duke shtuar se garantoi Boninon për mbështetjen ndaj opozitës në kuadër të gjithëpërfshirjes. Ndërkohë, në takimin e zhvilluar me Kryeministrin e vendit, Edi Rama, ky i fundit i shprehu ministres së Jashtme mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në të gjitha fushat e zhvillimit në Shqipëri, e në veçanti në rrugën drejt integrimit evropian. Në takim u shpreh angazhimi i dyanshëm për zgjerimin e bashkëpunimit, në frymën e marrëdhënieve të mes dy vendeve dhe në kuadër të partneritetit strategjik, duke u përqendruar në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve italiane në Shqipëri. Nga ana e saj, ministrja Bonino e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e fortë që Italia i ka dhënë dhe do të vazhdojë t’i japë Shqipërisë në rrugën e integrimit drejt Bashkimin Evropian.

 

Takimi në Presidencë

Nishani: Statusi do të merret në bazë të arritjes dhe meritës

Pjesë e vizitës së ministres së Jashtme të Italisë, Emma Bonino, ishte edhe takimi me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, ku ky i fundit shprehu besimin se vendi do të fitojë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, bazuar në arritje dhe meritë. Në këtë takim u vlerësuan gjithashtu raportet mes vendeve dhe popujve si të veçanta, bazuar në traditë dhe të forcuara përmes bashkëpunimit të ngushtë gjatë dekadave të fundit, në momente të vështira dhe të suksesshme për Shqipërinë, duke shtuar se këto raporte do të mbeten të tilla edhe kur dy vendet të jenë në Bashkimin Evropian. Në vijim, Presidenti Nishani nënvizoi se sukseset e Shqipërisë janë frute të përpjekjeve të popullit dhe institucioneve shqiptare, por që do të ishte e vështirë të realizoheshin pa mbështetjen dhe ndihmesën e partnerëve tanë. Presidenti e garantoi kryediplomaten italiane për vazhdueshmërinë e zhvillimit të reformave, vendosmërinë e Shqipërisë për të kontribuar edhe në të ardhmen për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, si edhe. Nga ana e saj, ministrja Bonino theksoi se Italia do të vazhdojë përkrahjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian.

 

Në Kuvend

Meta me ministren e Jashtme: Italia, shtysë e rëndësishme për afirmimin e vendit në Evropë

Pas takimit me ministrin e Jashtëm Bushati, Bonino takoi dje edhe Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ku ky i fundit theksoi se kryediplomatja italiane është tepër e njohur në arenën shqiptare dhe një figurë që do t’u japë një shtytje marrëdhënieve dhe proceseve të integrimit të afirmimit të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. “Ministrja e Jashtme e Italisë, Bonino, është një personalitet i njohur jo vetëm në Itali, por edhe në nivel evropian dhe ndërkombëtar, ndaj edhe besoj se vizita në Tiranë do t’i japë një shtytje të rëndësishme marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në përgjegjësi gjithë proceseve të afirmimit të Shqipërisë në planin evropian dhe ndërkombëtar”, – tha Kryetari i Kuvendit. Në këtë kontekst, Meta theksoi se Shqipëria dhe Italia kanë një marrëveshje të partneritetit strategjik. “Unë besoj se kjo marrëveshje do të ecë drejtë zbatimit dhe konfigurimit të saj të plotë, në mënyrë që e kaluara tepër solide e marrëdhënieve tona të ketë një të ardhme të shkëlqyer në të gjitha drejtimet e sidomos për sa i takon aspektit ekonomik, ku Italia ka qenë dhe besoj do të jetë një partner kryesor, gjë që do të ndihmojë edhe për përmirësimin e situatës ekonomike dhe sociale të vendit tonë”, – theksoi Meta. Nga ana e saj ministrja e Jashtme e Italisë, Bonino, theksoi në fjalën e saj se kishte inkurajuar kreun e Kuvendit për rritjen e lidhjeve të drejtpërdrejta dhe vendosjen e kontakteve të herëpashershme me përfaqësuesit e Parlamentit italian.

 

Nëpunësi civil

Takimi me Bashën, Bonino: Gjithëpërfshirja, parimi më i rëndësishëm i Brukselit

Parimi më i rëndësishëm që do të vlerësohet nga Brukseli në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është ai i gjithëpërfshirjes. Ky ishte pohimi që ministrja e Jashtme e Italisë, Emma Bonino, nënvizoi me Kkryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku gjatë bisedës u diskutua edhe në lidhje me bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë e Italisë dhe mbështetjen thelbësore që Italia i ka dhënë integrimit të vendit në BE, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, liberalizimit të vizave dhe bashkëpunimin për projektet strategjike si Gazsjellësi Trans-Adriatik. Nga ana e tij, Basha falënderoi Boninon për kontributin e saj të çmuar në mbështetjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë aktivitetit të gjerë politik. Ministrja Bonino vlerësoi reformat dhe transformimin e Shqipërisë në këto vite. Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 qershorit, ajo theksoi se mbarëvajtja e tyre është një meritë e qeverisjes së Partisë Demokratike. Duke iu referuar situatës aktuale politike në vend dhe debatit mazhorancë-opozitë në lidhje me prishjen e konsensusit për ligjin e administratës civile, Bonino theksoi: “Mesazhi i Brukselit është se parimi më i rëndësishëm që do të vlerësohet në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, është ai i gjithëpërfshirjes”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency