Vendimi i ardhshëm i qeverisë/ Rama: Ndalohet çdo ndërtim në Berat, Gjirokastër e Krujë

0
183

Gëzim Saliu

Bulevardi “Republika” në Berat, Kryeministri: Fillimi i një transformimi rrënjësor të vendit

 

Rama ne aktivitetin ne BeratBrenda javës do të ndalohet me vendim qeverie çdo ndërtim i ri në qytetet e Gjirokastrës, Beratit dhe Krujës. Duke i cilësuar si qytete të rëndësisë së veçantë, kryeministri Rama theksoi dje se mazhoranca qeverisëse do të angazhohet me masa konkret në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të vendit. “Në këtë frymë të respektit për vlerat e trashëgimisë kulturore, qeveria jonë do të marrë hap pas hapi, masa konkrete, në radhë të parë për të ndaluar rrënimin. Që këtë javë ne do të shpallim bllokimin e çdo ndërtimi dhe ndalimin e çdo ndërtimi të ri në Gjirokastër, në Krujë dhe në Berat, për të vlerësuar maksimalisht trashëgiminë dhe pastaj për të filluar të kurojmë dhe të shërojmë pak nga pak, të gjitha ato plagë që i janë shkaktuar trashëgimisë kulturore në të gjithë këto vite rrënimi”, tha kreu i ekzekutivit nga qyteti i Beratit, ku mori pjesë në ceremoninë e organizuar për fillimin e punimeve për ndërtimin e bulevardit ‘Republika’ në këtë qytet.

 

Pedonalja

Për kreun e qeverisë, ndërtimi i pedonales së Beratit është si një dallëndyshe që paralajmëron pranverën në një kohë të vështirë për financat e vendit. “Jam shumë i lumtur që kjo dallëndyshe e lajmëron pranverën këtu në Berat, sepse askund më mirë dhe askund më bukur nuk mund të shfaqej dallëndyshja e parë e një ndryshimi të madh. Një projekt që fillon të lidhë qytetin e 1000 dritareve me qytetin e sotëm të bashkëkohësve dhe me qytetin e nesërm të fëmijëve që do të lindin këtu. Është fillimi i një transformimi rrënjësor për Beratin”,deklaroi Rama.  Më tej kryeministri bëri të ditur detaje të projektit të bulevardit, duke theksuar se,: “Projekti përfshin të gjithë rrugën kryesore, që do të kthehet në një rrugë këmbësore të denjë për këtë vatër të trashëgimisë kulturore. Përfshin sheshin kryesor, i cili do të jetë më në fund sheshi i rindërtuar i një qyteti të së shkuarës, por ku jetohet në emër të së ardhmes; do të zgjerohet edhe me lulishten buzë lumit, edhe më pjesë të tjera, për të cilat qeveria e Shqipërisë, në bashkëpunim me bashkinë e Beratit do të investohen me të gjitha fuqitë, në mënyrë që pas 4 vjetësh Berati të jetë qyteti i ëndrrave që prindërit kanë për fëmijët e tyre. Berati, të jetë qyteti ku çdokush të mund të jetojë me sipërmarrjen e vet të vogël, duke përfituar nga trashëgimia kulturore dhe njëkohësisht, duke përfituar edhe nga shërbimet cilësore për fëmijët”. Nga ana tjetër, Rama nënvizoi angazhimin e qeverisë së tij për të investuar në këtë qytet, duke theksuar se qeveria do të ketë gjithmonë në qendër të vëmendjes qytete me pasuri të rrallë trashëgimore. Po ashtu, kryeministri falënderoi Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, për kontributin efinancaira në ndihmë të projektit të bulevardit. “Me shpresën e madhe se sipërmarrja e këtij qyteti, komuniteti i biznesit, do t’i bashkohet projektit, me shpirtin e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe sektorit privat, dhe me bindjen se të gjithë sipërmarrësit që do të përfshihen në këtë projekt do të shtojnë vlerën e tyre, jo thjesht financiare – ajo është simbolike – por vlerën e tyre si protagonistë, por edhe si përgjegjës për jetëgjatësinë e projektit”, deklaroi kreu i qeverisë Edi Rama. Nismën për ndalimin e çdo ndërtimi në qytetet e Krujës, Gjirokastrës dhe Beratit, kryeministri e paralajmëroi pak ditë më parë në një intervistë televizive, ku theksoi se,: “ në këto qytete nuk do të ndërtohen më dhe do të fillojë puna dalëngadalë që të fillojë ndalimi i rrënimit dhe marrja e vetes”.

 

Forumi i grave në PPE

Deputetja e PD-së, Vokshi: Femrat më të rrezikuara nga ndryshimet në administratë

Kryetarja e Forumit të Gruas në Partinë demokratike Albana Vokshi ka deklaruar dje se femrat mbeten më të rrezikuar nga ndryshimet e parashikuara nga mazhoranca në administratë. E pranishme në Forumin e Grave të Partive Popullore Europiane të mbledhur në Varshavë, deputetja demokrate i bëri të ditur anëtarëve të këtij forumi lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të ligjit ”Për nëpunësin civil”. Vokshi ndau me përfaqësueset e EPP-women shqetësimin e PD-së për frymën konfliktuale dhe provokimet që po bën sipas saj mazhoranca e re në Shqipëri, ndaj opozitës, institucioneve të pavarura dhe biznesit. ”Mazhoranca qeverisëse në Tiranë po shantazhon administratën me ligjin e nëpunësit civil. Më të rrezikuara nga fshesa politike e Ramës janë gratë, të cilat përbëjnë dhe numrin më të madh të të punësuarve në administratë, rreth 65% të saj. Anulimet antikushtetuese të koncesioneve janë një kërcënim i hapur për qëndrueshmërinë ekonomike”, – theksoi ajo. Nga ana e tyre, europarlamentaret, përfaqësuese të Partive Popullore Europiane, shprehën ‘shqetësim për këto zhvillime në Shqipëri, “ dhe mirëpritën qëndrimet konstruktive të lidershipit të PD-së, të drejtuar nga z.Lulzim Basha, për të ndërtuar në vend modelin e një opozite bashkëpunuese”. Forumi i Grave të Partive Popullore Europiane, është formacioni politik më i madh i grave në Evropë.

 

Eksperti i financave

Arka e shteti bosh? Milo: Rama nuk njeh realitetin ekonomik

Për ekspertin e financave Petraq Milo, deklarata e kryeministrit Edi Rama se arka e shtetit është bosh është jo normale dhe aspak serioze. Sipas tij, përpara se të bëhen këto deklarata, më parë duhet bërë ballafaqim me buxhetin e shtetit, ku ballafaqohen institucionet përgjegjëse si Ministra e Financave, se si e ka realizuar apo cila është vijueshmëria e treguesve fiskalë për vitin 2013.  “Të thuash troç që arka e shtetit është bosh mendoj që është një koncept jo vetëm i papërshtatshëm, por tregon mos njohje të realitet. Arka nuk është as plot as bosh”, tha Milo. Më tej ai theksoi se vendi nuk po kalon një krizë financiare, gjë që e tregojnë sipas tij edhe treguesit ekonomik. Në këtë kontekst, eksperti i financave e cilësoi si të mundshme arritjen e shifrës prej 4% të rritjes ekonomike në një hark kohor prej 2 vjetësh, objektiv i vendosur edhe nga qeverisja e demokratëve. “Të thuash që Shqipëria është në krizë , kjo do të thotë në mënyrë absolute nuk ka lidhje absolute me definicionet ekonomike. Shteti funksionon, pagat paguhen, investimet kryhen, qeveria ka aftësi për të përdorur deficit buxhetor”. Ndërkohë lidhur me auditin ndërkombëtar të financave të shtetit shqiptar që pritet të zhvillohet nga kompani te huaja, Milo nuk e cilësoi të gabuar, duke shtuar se,: “qeveria nuk duhet të nxitohet në deklaratat e saj se Shqipëria është në krizë, pasi më parë duhen parë rezultatet që do të dalin nga auditi”. Pak ditë më parë në kuadër të një pritjeje prezantuese që zhvilloi me ambasadorët e akredituar në vend, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ekonomike dhe se arka e shtetit është bosh. “Ekonomia është në një ngërç, arka sot është bosh, u ka borxh kompanive shqiptare dhe bankat sot nuk japin kredi kur kreditë e këqija janë rritur”, deklaroi kreu i ekzekutivit.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency