Jurges Veizaj
Duket se edhe Vllaznia mundet. Kësaj radhe ishin përballë kampionët e vendit që kanë arritur të mundin në Shkodër kuqeblutë. Me këtë humbje Vllaznia humb ecurinë që kishte pasur deri më tani, ndërsa Skënderbeu vërteton formën e mirë në të cilën ndodhet.
Ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave ishte ajo midis Vllaznisë dhe Skënderbeut. Ndeshja që u luajt në “Loro Boriçi”, pritej me një emocion të madh, pasi të dyja skuadrat kanë bërë paraqitje të mira dhe ishte si një sfidë midis “të fortësh” e këtij fillimi të Superligës. Ndeshja ishte e ekuilibruar, por korçarët u treguan më efektivë para portës dhe arritën që të merrnin trie pikë.
Pjesa e parë
Ndeshja nisi e hapur për të dyja kampet. Loja ishe me aksione nga të dyja skuadrat dhe të dyja po kërkonin që të arrinin golin që në minutat e para. Ishte Skënderbeu që mori goditje dënimi, por që nuk arriti që t’i kthente në gola. Djemtë e dëborës me anë të Muzakës tregohen të shpejte në krah dhe kërkojnë që ta çojnë topin aty ku Pejiç mund ta ketë të lehtë të shënojë. Mirëpo qendrorët e Vllaznisë arrijnë që t’i mbulojnë mirë hapësirat, duke mos i lënë mundësi kroatit që të shënojë. Korçarët marrin shumë aksione, por e humbasin topin shpejt, ndërsa këtu Vllaznia tregohet më e rrezikshme përpara portës. Është Beqiri ai që do të rrezikojë portën e Shehit, por që do të tregohet i pasaktë përballë portës. Por pak më vonë do të vinte kundërvënia e Skënderbeut, por kësaj radhe do të qëllonin në shenjë. Ishte kroati Pejiç ai që do të shënonte pas një topi që do të vinte në formë krosi, kroati do t’u shpëtonte mbrojtësve dhe nuk do të gabonte para portës, duke e kaluar në avantazh skuadrën e tij. Shkodranët shkojnë drejt arbitrit pasi kërkojnë pozicion jashtë lojë, por Pashaj nuk e gjykon të tillë. Pejiç vazhdon të shënojë, duke u bërë një pikë kyçe për golin te Skënderbeu. Por këtu nuk do të mjaftohej për të pasi në minutën e 38 do të shënonte sërish duke e thelluar rezultatin.
Pjesa e dytë
Vllaznia vendos të ndryshojë lojën dhe bën zëvendësim që në minutat e para. Tekniku Canaj zëvendëson Gocajn për Krujën, duke i dhënë më ritëm lojës. Mirëpo ky veprim do të shpërblehej shumë shpejt. Në minutën e 53-të do të vinte edhe goli nga ana e shkodranëve. Do të ishte Hajdari ai që do të merrte topin dhe me anë të një aksioni individual, do të gjuante topin nga 13 metra largësi, duke mposhtur Shehin që nuk kishte se çfarë të bënte përballë goditjes. Por atëherë kur tifozeria shkodrane filloi të merrte zemër, ishte Muzaka ai që do të ulte brohorimat. Mesfushori zhytet me kokë dhe shënon golin e tretë për korçarët, duke u dhënë fund shpresave të shkodranëve. Me këtë fitore Skënderbeu shkon në kuotën e 12 pikëve, duke barazuar Teutën e Durrësit, duke u kthyer në luftë për tituj.
VLLAZNIA-SKËNDERBEU 1-3
Golat: Hajdari 53′ / Pejiç 29′, 38′, Muzaka 60′
Agim Canaj
Trajner: Mirel Josa
Gjyqtarë: B. Pashaj