Seanca e së enjtes/ Gati vendimi për lirimin e dy anëtarëve të KQZ-së, opozita kundër riformatimit

0
31

Florenc Drizari

Denar Biba dhe Albana Shtylla presin vendimin e Kuvendit për lirimin e tyre nga detyra e anëtarit të KQZ-së

 

PrlamentKuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë vendimin për lirimin nga detyra të dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ditën e enjte në Kuvend pritet të votohet kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së, Albana Shtylla dhe Denar Biba. Në seancën e fundit plenare dy anëtarët e dorëqehur më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i paraqitën një kërkesë më shkrim Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për lirimin e tyre nga posti i anëtarit të KQZ-së, por që gjatë hedhjes për votim të kërkesës në Kuvend, opozita kundërshtoi nismën, me argumentin se ajo ishte jashtë futur në axhendën e punimeve jashtë rregullave parlamentare. Mes pozitës dhe opozitës pati debate për këtë çështje, ku edhe me ndërhyrjen e Kryetarit të Kuvendit, i cili pranoi se kërkesa ishte formale dhe jashtë rregullave, kërkesa e tij për konsensus nuk u pranua nga e djathta. Për këtë Kuvendi pritet të miratojë këtë të enjte vendimin për lirimin e tyre nga detyra, ndërkohë që “përplasjet” mes mazhorancës dhe opozitës vazhdojnë për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pak ditë më parë, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, u qëndroi deklaratave të mëparshme të përfaqësuesve të PS-së në lidhje me riformatimin e KQZ-së, duke thënë se riformatimi mbetet qëndrimi i pandryshuar i qeverisë së re, për të arritur atë që cilësohet legjitimitet i këtij institucioni. Ish-kryetar i KQZ-së, Celibashi ka thënë se kabineti “Rama” ka gati një model për formatin e institucionit më të lartë zgjedhor, i cili mbi të gjitha duhet të plotësojë një kusht, të jetë apolitik.

Por në kundërshtim me qëndrimet e përfaqësuesve të majtë, opozita mendon se KQZ e ka kryer punën e saj që ia ngarkon Kodi Zgjedhor, duke realizuar zgjedhjet më të mira në këto dy dekada demokraci në Shqipëri. Për përfaqësuesit e së djathtës, mazhoranca duhet të plotësojë vendet e mbetura bosh që pas dorëheqjes së anëtarëve të propozuar nga e majta në KQZ.

Të njëjtin qëndrim me përfaqësuesit e djathtë mbajnë edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët në deklaratat e tyre kanë mbrojtur idenë e plotësimit të vendeve në komision. Sipas tyre, KQZ ka administruar një nga proceset më të vështira zgjedhore në Shqipëri me mungesën e tre anëtarëve të “opozitës”, ndërkohë që çështja e riformatimit të komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor nuk është e ligjshme, sipas tyre, pasi ata kanë marrë votën e shumicës së anëtarëve të Kuvendit të kaluar dhe kanë një mandat brenda rregullave të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës.

Çdo lëvizje, sipas anëtarëve të KQZ-së, për lirimin e tyre nga detyra që mbajnë aktualisht, është në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e vendit. Opsioni i tyre ka qenë ose rikthimi në detyrë i anëtarëve të dorëhequr që në muajin prill të këtij viti, ose plotësimi i vendeve të mbetura bosh nga Kuvendi i ri i Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, në një qëndrim të mëparshëm nga Lëvizja Socialiste për Integrim, riformatimi i KQZ-së është i domosdoshëm për t’i rikthyer këtij institucioni besimin tek qytetarët. Por kjo çështje sipas një deklarate të bërë nga nënkryetari Petrit Vasili,nuk është emergjente dhe qeverisja e majtë ka kohë për ta zgjidhur këtë ngërç që vazhdon prej disa muajsh. Për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkohen shumicë e cilësuar votash në Kuvend, duke ndryshuar Kodin Zgjedhor me 84 vota, ose një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit duket më pak e mundshme për shkak të “prishjes së marrëdhënieve” mes pozitës dhe opozitës që pas shtyrjes së afateve të hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil.