Çdo biznes që do të marrë në punë sa më shumë persona, do të përfitojë subvencion të sigurimeve shoqërore. Subvencioni do të përfshihet edhe në rastet kur punësohen individë nga shtresa e aftësisë së kufizuar, romë dhe grupe të tjera në nevojë. Deklarata është bërë nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë një vizitë në biznesin fason. “Duam që të fillojmë një marrëdhënie me biznesin, ku biznesi e shikon qeverinë si aleate, si një potencial për të subvencionuar burimet shoqërore dhe për të stimuluar punësimin dhe e shikon qeverinë si një agjent marketingu për produktet shqiptare”, – tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. “Ajo që ne do të bëjmë është që çdo punonjës i ri dhe sasi të konsiderueshme punonjësish të rinj që bizneset do të punësojnë vitin tjetër, ne do të ofrojmë rimbursim të sigurimeve duke targetuar të rinjtë, romët dhe aftësinë e kufizuar. Të gjithë ata që furnizojnë e sjellin makineri për nevoja prodhimi do të përfitojnë nga heqja e TVSH-së dhe gjëja e fundit, do të eksplorojmë, për pasojë të nevojave unike që ka ky treg, ngritjen e një shkolle profesionale për design e modë, pasi është shumë e nevojshme që shumë prej këtyre kostove të mbulohen në Shqipëri”, – deklaroi Veliaj. Nga ana tjetër, ministri Veliaj u shpreh se të rinjtë e shkollave të mesme duhet të orientohen drejt atyre profesionale, pasi ato janë e vetmja mundësi që të rinjtë të fitojnë një zanat të mirëfilltë në tregun e punës. “Do të orientojmë studimet e shkollave të mesme tek studimet profesionale. Është e vetmja mënyrë se si njerëzve u garantohet një zanat dhe nëpërmjet këtij zanati mund të ketë punë. Do të sigurojmë gjithashtu që shumë prej minoriteteve të privilegjohen. Ka shumë njerëz me aftësi të kufizuara dhe komuniteti rom, që shumë mirë do të gjenin një punësim dhe shumë mirë do të përballonin shpenzimet e tyre”, – theksoi ministri. Ministri Veliaj premtoi se në shtatorin e ardhshëm do të hapet një shkollë për modën e dizajnin për t’u ardhur në ndihmë këtyre bizneseve.