Gëzim Saliu
Deri në datën 1 prill do të zbatohet ligji i vjetër, “Statusi i nëpunësit civil”
Përmes një akti normativ, qeveria ka vendosur që ligji i nëpunësit civil, pjesë e tri kushteve të Brukselit të hyjë në fuqi ditën e sotme, por që të marrë efektivitet të plotë pas 6 muajsh. Sipas vendimit të marrë dje nga Këshilli i Ministrave, ligji i ri do të fillojë të zbatohet nga data 1 prill i viti 2014, ndërsa deri në atë datë do të veprohet me ligjin e vjetër të nëpunësit civil. Në aktin normativ, qeveria sqaron se shkak për shtyrjen e efektivitetit të ligjit është mungesa e akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të tij.
Vendimi
Qeveria miratoi dje aktin normativ për disa ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”, të cilat parashikojnë zbatimin e ligjit pas 6 muajsh, me pretendimin se ligji është i pazbatueshëm në formën aktuale, pasi është i pashoqëruar me aktet nënligjore përkatëse dhe për këtë kërkohet kohë që ai të vihet në funksionim. Sipas vendimit të qeverisë, ligji hyn në fuqi më 1 tetor 2013 dhe i fillon efektet e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi. “Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, duke pasur në konsideratë parashikimet e ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë nenin 70 dhe 72”, thuhej në vendimin e Këshillit të Ministrave. Përkatësisht neni 70 nënvizon: “Ligji nr. 8549, dt 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen nga data e fillimit të shtrirjes së efekteve të këtij ligji”. Ndërsa në nenin 72 pohohet se,: “Ky ligj hyn në fuqi në 1 tetor 2013 dhe i fillon efektet e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi. Deri në datën e fillimit të efekteve të këtij ligji zbatohet ligji nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil””. Ligji i nëpunësit civil është bërë tema kryesore e debatit politik mes mazhorancës dhe opozitës. Nga njëra anë, qeveria ka pohuar se ligji i nëpunësit civil, që është miratuar me shumicë të cilësuar përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, është i pazbatueshëm, pasi nuk janë nxjerrë aktet e domosdoshme nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm. Nga ana tjetër, opozita ka kundërshtuar shtyrjen e ligjit, pasi sipas saj, arsyeja kryesore e këtij akti është synimi i mazhorancës për të spastruar administratën dhe për të emëruar militantët politikë. Ligji i nëpunësit civil u votua me shumicë të cilësuar të votave në seancën e jashtëzakonshme të 30 majit në Parlament, pas një marrëveshje të arritur mes mazhorancës dhe opozitës së vjetër, ku në bazë të së cilës, ligji do të hynte në fuqi pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe konstituimit të qeverisë së re, më datë 1 tetor.
Neni 70
Ligji nr. 8549, dt. 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen nga data e fillimit të shtrirjes së efekteve të këtij ligji.
Neni 72
Ky ligj hyn në fuqi në 1 tetor 2013 dhe i fillon efektet e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi. Deri në datën e fillimit të efekteve të këtij ligji zbatohet ligji nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
Rama-Basha për ligjin e nëpunësit civil
Kryeministri Edi Rama – “Kjo çka ne kërkojmë, sugjerohet nga partnerët tanë, që kanë bashkëpunuar me ne për të ndërtuar ligjin në fjalë dhe për të bërë ato ndryshime që më pas u votuan nga Parlamenti. E dyta, akuzat për spastrime janë të gjitha, le të themi, shembuj të asaj shprehjes që thotë: “Kush shpif ndaj teje, e bën duke u nisur nga çka është në gjendje, në fakt, të bëjë vetë”. Ne nuk kemi plane spastrimi. Ne kemi një projekt të madh të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve dhe të një administrate që është aty për t’u shërbyer qytetarëve, të një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit”
Kreu i PD-së Lulzim Basha- “Ligji i miratuar me unanimitet në sallën e Kuvendit me 30 maj thotë që aktet nënligjore do të bëhen tre muaj pas hyrjes së ligjit në fuqi. Ligji hyn në fuqi me 1 tetor dhe zoti kryeministër ka tre muaj kohë për të bërë aktet nënligjore. Pra në mos qoftë një keqkuptim apo keqkëshillim është një gënjeshtër e pastër. Së dyti, gënjen kur thotë që ka kërkuar konsensusin e opozitës aq më pak të Partisë Demokratike, as një akt nuk kemi pasur deri sot për të kuptuar se çfarë do të ndryshojë dhe se çfarë e pengon zotin Rama të zbatojë ligjin, të cilin e ka detyrim ta zbatojë. Së treti, gënjen kur thotë se ky është një sugjerim i partnerëve, kur në fakt është mësuar se është ai që ka kërkuar në mënyrë jo transparente, tinëzare në dhoma të errëta për qëllime të errëta përkrahje për nëpërkëmbjen e konsensusit të 30 majit, konsensusit të tre ligjeve për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Këto janë tre gënjeshtra”
Nëpunësi civil
Ambasadorja franceze, Moro: Të respektohet ligji për një administratë stabël
Debati për ligjin e nëpunësit civil ka përfshirë edhe trupën diplomatike të akredituar në vend. Duke shmangur komentet për shtyrjen e ligjit për nëpunësin civil, ambasadorja franceze Christine Moro ka kërkuar dje stabilitet të administratës publike. “Dua të flas pak për administratën shqiptare. Ka një debat lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, por unë nuk dua të ndalem këtu sepse kjo është një çështje juridike. Unë dua të nënvizoj se është e rëndësishme të respektohet fryma e ligjit të ri dhe fryma e këtij ligji është që administrata bazohet mbi meritë, mbi eksperiencë, mbi neutralitetin në raport me politiken. Këto principe është e rëndësishme të zbatohen dhe të ruhet stabiliteti në administrate edhe pse në e kuptojmë se disa ndryshime janë të nevojshme”, – tha Moro, gjatë aktivitetit të zhvilluar për luftën kundër pastrimit të parave ku Franca asiston Shqipërinë përmes një cikli trajnimi të ekspertëve të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave. Qëndrimi i mazhorancës për shtyrjen e ligjit të nëpunësit civil, pasi sipas saj ai është i pazbatueshëm për shkak të mungesës së akteve nënligjore, është kundërshtuar fort nga opozita. Kjo e fundit për ditë me radhë ka shprehur hapur votën kundër shtyrjes së ligjit, duke nënvizuar se synimi i mazhorancës është spastrimi i administratës dhe emërimi i militantëve politikë. Ndërkohë Komisioni i Shërbimit Civil ende nuk ka të qartë vazhdimësinë e tij. Kështu nëse ligji hyn në fuqi ditën e sotme ky komision nuk do të funksionojë më, pasi do të vihet në lëvizje Gjykata Administrative. Në të kundërt, nëse ligji shtyhet, Komisioni i Shërbimit Civil do të vazhdoje të punojë, duke pritur ankesat e të punësuarve, deri kur ligji të hyjë në fuqi.
Debati për administratën publike
Komisioni Evropian: Ligji nuk duhet të shtyhet
Zëdhënësi i Stefan Fyles, Peter Stano: Vakuumi ligjor të plotësohet me një procedurë të shpejtë e të votohet me konsensus në Parlament
Komisioni Evropian kërkon që qeveria shqiptare të marrë të gjitha masat që ligji për nëpunësin civil të zbatohet në 1 tetor, ashtu siç ishte marrëveshja mes palëve politike në votimin e zhvilluar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të kaluar të 30 majit. Për zëdhënësin e komisionerit të Zgjerimit Stefan Fyle, Peter Stano, vakuumi ligjor që do të krijohet pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, duhet të zgjidhet përmes amendamenteve teknike të aprovuara me konsensus midis qeverisë dhe opozitës. “Ajo që theksojmë ne është, se pas hyrjes në fuqi të këtij ligji që është parashikuar për 1 tetor, do të ketë një vakum ligjor, sepse ligji i ri shfuqizon të vjetrin, por pa mbuluar të gjitha aspektet dytësore. Ne themi që për të mbushur këtë vakum ligjor që krijohet nevojiten amendamente të cilat, duke qenë të një natyre shumë teknike duhet të kalojnë me një procedurë të shpejt. Kjo është mënyra e duhur për të plotësuar vakuumin deri në hyrjen në fuqi të legjislacionit të ri dytësor”, – u shpreh ai në një prononcim për “abc news”. Më tej, zëdhënësi i KE-së theksoi se duke marrë parasysh natyrën tërësisht teknike të dispozitave, ato mund të aprovohen në parlament me konsensus. “Nevojitet thjesht që të plotësohet vakuumi i dispozitave dytësore kur ligji të hyjë në fuqi. Pra, ne nuk shohim asnjë problem që këto amendamente të aprovohen me konsensus nga opozita dhe partitë në mazhorancë. Aprovimi i këtij ligji me konsensus në Parlament ka qenë shumë i rëndësishëm për ne, ashtu siç është i rëndësishëm zbatimi i tij dhe rezultatet që presim të korrë”, – u shpreh Stano. Ndërkohë lidhur me ndryshimet në administratë, ai theksoi: “Dispozitat teknike janë një gjë dhe shkarkimi i personelit të administratës është tjetër gjë. Komisioni nuk mund të komentojë për shkarkimet individuale, por vazhdimësia dhe trashëgimia institucionale janë thelbësore për reformat e vendit dhe integrimin evropian të tij”.