Shfajëson tre pengmarësit e Currit; “Ishin në lokal kur na kapi RENEA”

0
167

Elton Qyno

 Të arrestuarit, dëshmi kontradiktore mohojnë marrjen peng dhe kërkimin e shumës prej 6 mijë euro

 Gjytari Hallunaj, pranon kërkesën e prokurorisë. Mbeten në “arrest me burg” të tre pengmarësit


Ardjan MujaMbeten në burg tre personat që mbajtën peng për 6 mijë euro shtetasin Kosovar Flamur Curri. Shkëlzen Duraku, Ardjan Muja dhe Lumir Gashi, janë paraqitur një e nga një para gjyqtarit Dritan Hallanaj, duke pohuar se nuk kanë kryer marrjen peng të asnjë personi, pasi në momëntin kur janë arrestuar nga forcat RENEA, ata kanë qënë së bashku në kafe, ku në prani të tyre ishte dhe shtetasi kosovar Curri. Të arrestuarit kanë dhënë deklarime kontradiktore, duke mos pranuar akuzën e prokurorisë, dhe vetëmbrojtur me faktin se shuma prej 6 mijë euro, ishte një shumë që shtetasi kosovar ia kishte si borxh që në Itali, të arrestuarit Shkëlzen Duraku. Personi nën hetim, Ardjan Muja i tha gjyqtarit se ai nuk kishte dijeni fare për rrëmbimin dhe gjobëvenien, pasi sipas tij ai ndodhej në lokalin ku dhe e arrestuan forcat “RENEA” sepse aty e kishin ftuar për kafe dy shokët e tij. ndërsa nga ana tjetër Lumir Gashi dhe Shkëlzen Duraku, nga ana e tyre këmbëngulën se me kosovarin kishin një konflikt borxhi dhe aspak nuk behej fjalë për gjobvënie apo rrëmbim personi. Mirëpo edhe pas këtyre dëshmive, të tre të arrestuarit nuk kanë mundur të rrëzojnë kërkesën e prokurores Ervjola Stoja, e cila i kërkoi gjykatës caktimin për tre të arrestuarit masën e sigurisë “arrest me burg”.

Armatimet

Gjatë arrestimit të tre personave për akuzën e pengmarjes dhe gjobëvënies, në cilësinë e provës materiale, prokuroria ka sekuestruar dhe disa armë luftarake, si pistoletë TT, automatik kallashnikov si dhe disa fishekë në gjëndje të mirë pune. Për këto akuza, tre të arrestuarit nuk kanë dhënë asnjë sqarim, por në dëshminë e tyre janë përqëndruar vetëm në dy akuzat më të rënda, me qëllim bindjen e gjykatës, se ata nuk kishin marrë peng por dhe se nuk I kishin vendosur gjobë 6 mijë euro shtetasit nga Kosova. Në fakt krejt e kundra ka ndodhur me deklarimet e vetë pengut, por dhe të kushëririt të tij, nga Kosova, i cili ka denoncuar ngjrajen në policinë e Kukësit. Gjatë dhënies së dëshmisë, të dy të afërmit kanë treguar në polici, se janë vënë nën presion psikologjik, nga të arrestuarit me qëllim dorëzimin e shumës prej 6 mijë euro. Kjo shumë nuk ishte si borxh, por si premtim për nxjerejen e dy pasaportave biometrike, që do të nxireshin nga dy kuksianët, në emrat e të cilëve do të nxireshin pasaportat. Siç duket komplikimi i këtij procesi ka sjellë dhe reagimin e tre të arrestuarve të cilët kanë mbajtur për disa orë peng, shtetasin Flamur Curri, me qëllim marjen e shumës prej 6 mijë euro. Dhe për lirinë e tij, ata kanë telefonuar kushëririn në kosovë me qëllim vënien në dispozicion të shumës së kërkuar.

Përzgjedhja e RENEA

Dështimi i pak ditëve më parë të një operacioni policor për arrestimin e disa personave që kishin vënë 100 mijë dollarë një biznesmeni ka shtyrë, Prokurorinë e Krimeve të Rënda që këtë operacion t’ia besojë repartit special RENEA. Kështu sapo janë siguruar provat, dhe është marrë konfirmimi nga ana e kallëzuesit se kishte lënë takim, me pengmarrësit, është vendosur të ndërhyhet nëpërmjet forcës speciale RENEA. Një grup i këtij reparti ka udhëtuar gjatë natës nga Tiranë në drejtim të Kukësit, ku në orët e para të mëngjesit të katër ditëve më parë është pozicionuar në afërsi të doganës Morinës, ku pranë një lokali do të kryheshin dhe shkëmbimet e pengjeve. Mësohet se shtetasi Kosovar i detyrohej shumën prej 6 mijë euro, tre pengmarrësve dhe për këta ata e kishin marrë me makinën e tyre duke e izoluar në fshat. Për të marrë lekët, kosovari ka telefonuar kushëririn në Kosovë, ku e ka vënë në dijeni se tre persona nga Shqipëria e kishin marrë peng, dhe se duhet të takohej patjetër me ta për ti dorëzuar një shumë financiare prej 6 mijë euro. Mirëpo këtij vendimi nuk i është bindur plotësisht, i afërmi i pengut i cili pasi ka kaluar doganën ka shkuar në Drejtorinë e Policisë së Kukësit, ku ka kryer denoncimin lidhur me rastin e pengmarrjes së të vëllait. Menjëherë në lëvizje janë vënë dhe strukturat e Krimeve të Rënda, të cilat kanë organizuar operacionin për lirimin e pengut dhe arrestimin e autorëve. Për këtë është menduar që ndërhyrja të kryhet me forcat e specializuara RENEA, të cilat në orët e para të mëngjesit kanë liruar shtetasin kosovar dhe kanë arrestuar tre autorët e këtij krimi.

 

Nuk mbrojtën albitrat gjatë ndeshjes sportive

Tahiri vijon me vendime drastikë, pezullon efektivët e policisë Mamurras

Pas vendimit të shkarkimit të 88 efektivave të policisë rrugore, dhe shkrirjes së plotë të Gardës së Republikës, një tjetër vendim është marrë nga ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, për pezullimin nga puna të gjithë efektivave të komisariatit të Mamurasit. Shkaku, i vetëm pse është marrë ky vendim i prerë, ka qënë mos kryerja e detyrës, gjatë lojës sportive mes Mamurrasit dhe Albpetrolit, ku në është ushtruar dhunë fizike ndaj tre shyqtarëve të ndeshjes si nga tifozët por edhe nga futbollistët. Vendimi për pezullimin, ka dhe një tjetër faktor, pasi sipas ministrit Tahiri, të gjithë efektivat e policisë pezullohen, pasi jo vetëm që nuk mbrojtën por dhe nuk i dhanë ndihmën e parë mjekësore, të plagosurve. Ky fakt është justifikuar nga drejtuesit e komisariatit se nuk kishin mjete transporti në dispozicion. Pas marrjes së ndihmës mjekësore tre albitrat janë paraqitur në komisariatin nr.3 në Tiranë ku dhe kanë kryer kallëzimin për personat që kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. Ndërsa pas verifikimeve të kryera, nga ana e komisariatit janë shpallur në kërkim dhe ka nisur procedim penal ndaj tre shtetasve që ushtruan dhunë ndaj gjyqtarëve të futbollit. Mes këtyre personave është edhe presidenti i klubit të futbollit të Mamurrasit, Dedë Ndreca. Mësohet se do të ketë masa të ashpra ndaj punonjësve të policisë të cilët nuk ndërhyjnë për të ndalur dhunën gjatë ndeshjeve të futbollit në vend. Për të hetuar rastin në fjalë, ministri ka urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, për verifikikmin e pozicionit të çdo efektivi policie.

Ngjarja në Elbasan

Biznesmenit, i digjet makina luksoze

Një automjet luksoz është shkrumbuar nga flakët gjatë orëve të para të mengjesit të djeshëm në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Drejtorisë së Tatimeve, ku rreth orës 04:00 të mengjesit u përfshi nga flakët automjeti me targa AA 797 EI. Forca të zjarrëfikëses dhe policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u punua për fikjen dhe neutarlizimin e zjarrit, duke evituar rrezikun për automjetet e tjera të parkuara aty pranë. Nga hetimet e deritanishme janë ngritur disa pista dyshimi në të cilat policia po heton. Policia e Elbasanit bën me dije se automjeti luksoz i përket biznesmenit të konfindustrise, Elis Baushi, dhe sipas uniformave blu zjarri ka qënë i qëllimshëm.

Klandestinët

Shkodër, kapen 16 emigratët e huaj

Kanë mundur t’i shpëtojnë kontrolleve të policisë në jug të vendit, por janë bllokuar nga efektivë të policisë kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër. Bëhet fjalë për 16 persona me origjinë nga vendet e treta, kryesisht Sudan, Somali e Afrikë, të cilët janë bllokuar nga shërbimet e pikës kufitare veriore në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin drejt shteteve europiane. Tashmë, itinerari i këtyre klandestinëve është bërë i njohur, pasi policia e Gjirokastrës ka mundur të zbardhë mënyrën se si këta klandestinë hynë dhe dalin nga kufijte e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një trafik që zanafilla nis prej vendeve të tyre, për të mbërritur në Greqi, e duke kaluar nëpërmjet pikës kufitare Kakavijë në Shqipëri, ku destinacion përfundimtar kanë veriun e vendit i cili është edhe ura përfundimtare për të kaluar në Europe.

Bashkitë pa rroga

Prenjas, dy muaj puntorët smarrin pagat

Prej dy muajsh, punonjësit e administratës së bashkisë së Prrenjasit nuk po tërheqin pagat,për shkak të problemeve të rënda financiare me të cilat po përballet ky institucion. Bllokimi i fondit nga Ministria e Financave, si dhe niveli i ulët i mbledhjes së taksave ndaj biznesit, janë dy prej arsyeve kryesore të kësaj situate. Kryetari i bashkisë Prrenjas, Bajazit Karriqi, shprehet se 100 punonjës nuk janë pagur për muajt korrik-gusht, ndërkohë që edhe për shtatorin pritet të kenë të njëjtin fat. Karriqi thekson se pavarësisht se administrata është në gjëndje të vështirë ekonomike, përpjekjet për shërbimet ndaj qytetareve nuk kanë munguar. Fenomeni i mospagesës së administratës bashkiake është i përhapur edhe në Bashki të tjera në qarkun e Elbasanit. Në gjëndje të vështirë janë bashkitë e Gramshit, Peqinit dhe e Cërrikut. Masën më ekstreme për të përballuar mospagesën financiare e ka marrë bashkia e Gramshit, duke reduktuar personelin administrativ në më shumë se 50% të kapacitet normal, që duhet të ketë një Bashki.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency