Ministria e Drejtësisë, paketë antikorrupsioni / Korrupsioni të kalojë te Krimet e Rënda, konfiskim pronave të abuzuesve

0
125

Sonja Caka

Sequi: Lufta kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar, përparësi për hyrjen në BE

Naço: Ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për korrupsionin, ngritje e Byrosë Kombëtare të Hetimeve

 

medium_naco1380050836Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sërish një nga përparësitë e kërkuara me ngulm nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë. Këto dy kërkesa janë artikuluar për të disatën herë nga ambasadori i BE-së në vendin tonë Ettore Sequi, gjatë një takimi që pati mesditën e djeshme me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, në mjesiset e këtij institucioni. Sipas ambasadorit të BE-së, Sequi, nuk ka aspak rëndësi se cila është pozita shoqërore e një personi që shkel ligjin, qoftë gjykatës apo futbollist, çdokush që abuzon me postin, duhet të marrë dënimin e merituar. “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi dhe ne jemi tepër të qartë në këtë aspekt, nëpërmjet deklaratave që ne shkruajmë në progres raporte apo deklarata publike dhe asistencat financiare. Sa i takon luftës kundër korrupsionit gjithmonë kemi kërkuar të ketë një historik të fortë dhe të qartë të ndjekjes penale. Çdo person që hetohet të çohet në gjykatë dhe pastaj dënohet. Kjo është e rëndësishme. Nuk ka rëndësi nëse është gjyqtar apo futbollist. Në progres raportin e kaluar por dhe në progres raportin që do bëjmë publik javët e ardhshme do ta kuptoni që ne jemi shumë të qëndrueshëm dhe konsistent në kërkesën për luftën e korrupsionit dhe krimit”, – deklaroi ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, duke lançuar edhe mbështetjen e BE-së për Ministrinë e Drejtësisë, me disa projekte në vlerën e disa milionë eurove. Lidhur me këtë kërkesë të vazhdueshme të ambasadorit të BE-së, ministri Naço garantoi se nga ministria që drejton po përgatitet një paketë reformash ku korrupsioni pritet të klasifikohet si krim i rëndë dhe të kalojë për hetim dhe gjykim te Krimet e Rënda, ndërsa për çdo zyrtar të korruptuar parashikohet të konfiskohen dhe pasuritë e vëna me të padrejtë. “Shqipëria ka nevojë për kontributin e të gjithëve. Në faqen online kemi menduar si pjesë e strategjisë të jetë denoncimi që do të bëhet nga secili. Po kështu do realizohet paketa antikorrupsion, që nuk ka të bëjë vetëm me gjyqtarët. Do të kalojmë në një shkallë më tej, duke përmirësuar ligjin dhe duke i marrë pasuritë që sot nuk ia merr dot”, – tha Naço. Më tej, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri iu përgjigj edhe interesimit të medias në lidhje me propozimin e kreut të KLD-së njëherazi dhe President i Republikës z. Bujar Nishani për shkrirjen e inspektoratit që kontrollon gjyqësorin në varësi të drejtësisë. Kësaj pyetjeje ministri iu përgjigj se “KLD më parë duhet të kapë ritmin e reformave, pasi ka mbetur në vlerësimet e vitit 2005-2006 për gjykatësit”.

Projektet

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, ka ardhur me një sërë projektesh në Ministrinë e Drejtësisë, ku është lançuar një tjetër mision Euralius me një vlerë prej 4 milionë euro, asistencën e BE-së në fushën e sistemit penitenciar në vlerën 1 milion euro dhe asistenca për të drejtat e pronësisë po në vlerën e 1 milion eurove. “Kjo vërteton dëshirën tonë për të ndihmuar jo vetëm integrimin e Shqipërisë në BE, por në veçanti edhe një fushë kritike, siç është ajo e drejtësisë. Bashkimi Evropian beson se Shqipëria ka nevojë dhe meriton të ketë një sistem drejtësie efikas dhe kjo është arsyeja pse ne i mbështesim në këtë mënyrë konkrete reformat e drejtësisë. I uroj ministrit sukses për sfidat që ka përpara dhe e sigurova atë që BE është i gatshëm dhe i përkushtuar për të ndihmuar”, – theksoi ambasadori Sequi në fjalën e tij. Më herët, ambasadori vuri theksin në reformat që duhen bërë në sistemin e drejtësisë, pra lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat, sipas tij, janë mjetet e duhura për Shqipërinë për të ecur përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Reforma

Para medias, ministri i Drejtësisë paraqiti edhe disa nga reformat që parashikon të ndërmerren në paketën penale, ku më e rëndësishmja është ajo e cilësimit krim i rëndë për veprën penale të korrupsionit dhe konfiskimin e pasurive të vëna nga zyrtarët e përfshirë në akte korruptive. “Ministria e Drejtësisë në portalin që ka lançuar si pjesë të strategjisë antikorrupsion që i përket sistemit të drejtësisë, pret që çdokush, çdo qytetar apo media, të denoncojnë veprimet e paligjshme, si dhe fshehjen e pasurisë së gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve, avokatëve, inspektorëve të burgjeve, të gjithë inspektorëve të tjerë që janë pranë zyrave të regjistrimit, pra të gjithë sistemit të drejtësisë, të sistemit që ka nevojë për ndihmën tuaj. Ne kemi kërkuar përmes këtij portali, që të gjithë qytetarët të veprojnë tani dhe të mos rrinë indiferentë”, – vuri në dukje dje ministri Naço. Më tej, në fjalën e tij, ministri lançoi edhe krijimin në nivel kombëtar të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, si një mënyrë për t’i dhënë gjyqësorit dhe Prokurorisë një mjet për të luftuar korrupsionin në drejtësi.

Sequi

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparsëi dhe ne jemi tepër të qartë në këtë aspekt, nëpërmjet deklaratave që ne shkruajmë në progres raporte apo deklarata publike dhe asistencat financiare. Sa i takon luftës kundër korrupsionit gjithmonë kemi kërkuar të ketë një historik të fortë dhe të qartë të ndjekjes penale. Çdo person që hetohet të çohet në gjykatë dhe pastaj dënohet. Kjo është e rëndësishme. Nuk ka rëndësi nëse është gjyqtar apo futbollist. Në progres-raportin e kaluar, por dhe në progres raportin që do bëjmë publik javët e ardhshme do ta kuptoni që ne jemi shumë të qëndrueshëm dhe konsistent në kërkesën për luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Naço

“Në ditët në vazhdim ne do të paraqesim një paketë antikorrupsion, që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, ndryshimet që do të bëhen në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime këto për ta konsideruar korrupsionin një nga veprat më të rënda që parashikon Kodi Penal. Siç parashikohet për krimet e organizuara, për bandat kriminale, do kërkojmë të bëhen ndryshimet përkatëse që të hetohen e gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo paketë antikorrupsion do të vazhdojë edhe me ndryshime të tjera, me ndryshimet në Ligjin për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe ndaj gjithë atyre që vënë dorë mbi pasurinë, që kanë elemente të veprës penale të korrupsionit, t’u sekuestrohet edhe pasuria”.

 

 

Gjykatë

Vendimi për Perikli Shqevin më 1 tetor, avokati kërkon pafajësi

Gjykata e Tiranës ka shtyrë për më 1 tetor vendimin për ish-të përndjekurin Perikli Shqevi, i akuzuar për veprën penale “Plagosje të rëndë me dashje”. Pas 9 muajve gjykim, kryesuesi i trupit gjykues, Albert Meçe, ka vendosur që pas dëgjimit të palëve, akuzës e mbrojtjes, të shprehet për vendimin ndaj Shqevit, ku nga pretendimet e organit të akuzës gjatë grevës së ish-të përndjekurve, ky i fundit i ka vënë me qëllim flakën shokut të tij Gjergji Ndreca. Kjo akuzë është hedhur poshtë nga vetë i pandehuri, i cili asnjëherë nuk e ka pranuar këtë version, ndërsa avokati i tij mbrojtës kërkoi nga togat e zeza pafajësi për klientin e tij.

 

Korçë

Zhdukja e pikturave të Vangjush Mios, rinis gjyqi

Ka rinisur gjyqi për skandalin e zhdukjes së pikturave të Vangjush Mios në Gjykatën e Korçës, pas rrëzimit të kërkesës së të pandehurit Sotiraq Xega për përjashtimin e gjyqtarit nga trupi gjykues. Dje seanca ka vijuar me dëshminë e komisioneres së inventarizimeve në galeri, Mimoza Balli, e cila ka ripohuar para gjykatës se inventarët në këtë institucion kanë qenë të përvitshme, por në inventarin e 2011-ës janë hasur parregullsi të ndryshme deri tek mungesa e veprave. Ajo ka mohuar që dera e galerisë të jetë shkallmuar më herët nga komisioni, ndërsa ka pranuar se kushtet në të cilat ruheshin këto punime ishin të papërshtatshme. Por, ka reaguar menjëherë i pandehuri Sotiraq Xega, i cili i ka konsideruar gënjeshtra fjalët e Ballit në seancë, ndërsa ka ritheksuar se inventarët kanë qenë fiktive. Në seancë kanë munguar dy dëshmitarët e tjerë Engjëllush Minai dhe Kristi Ktona, por ndërsa i pari ka paraqitur një raport mjekësor në sekretarinë e gjykatës, Ktona nuk ka justifikuar mungesën e tij, dhe për këtë gjykata ka vendosur që në seancën e ardhshme ky i fundit të sillet forcërisht. I pandehuri Xega akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa i akuzuari tjetër, Vladimir Topi ka fituar pafajësinë duke u rikthyer në postin e drejtorit të galerisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency