A do hyjë në fuqi më 1 tetor ligji i nëpunësit civil?!

0
145

Gëzim Saliu

Ligji i nëpunësit civil, pjesë e tri ligjeve të integrimit

 

TradeMe_officesLigji i Nëpunësit Civil, pjesë e tri ligjeve të integrimit, mund të shtyhet. Burime pranë mazhorancës së majtë kanë bërë të ditur se kjo e fundit do të ndërmarrë nismë për shtyrjen e ligjit, i cili është edhe pjesë e tri kushteve të Brukselit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo shtyrje, e cila nuk konfirmohet dhe as mohohet nga përfaqësuesit e majtë, lidhet me faktin se ligji i ri i nëpunësit civil “ndalon” reformën e thellë që pritet të bëhet në administratë, të premtuar më parë edhe nga Kryeministri Rama. Për ndryshimin e këtij ligji është e domosdoshme shumica e cilësuar e votave, pra 84 vota, ndërkohë që mazhoranca aktuale ka një më pak.

Ligji

Ligji i nëpunësit civil u miratua në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të 29 majit, ku marrëveshja e propozuar nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, për votimin e tri ligjeve dhe hyrjen në fuqi të tyre pas zgjedhjeve, u pranua si nga demokratët ashtu edhe nga socialistët. Ligji i nëpunësit civil ishte pjesë e paketës së Brukselit, e cila ishte vendosur si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ligji i ri i miratuar me 107 vota nga deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Shqipërisë, i cili pritej të hynte në fuqi në 1 tetor i mbronte punonjësit e administratës nga ristrukturimi duke imponuar transferimin ne një pozicion tjetër ekuivalent me postin e suprimuar. Kështu në Nenin 67 të këtij ligji, në pikat 3 dhe 4 sanksionohet: “3. Nëpunësit civilë ekzistues, punonjësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione të shërbimit civil, sipas këtij ligji dhe që janë rekrutuar sipas një procedure pranimi konkurruese, të ngjashme me atë të përcaktuar nga ligji nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, apo që janë të punësuar në të njëjtin vend pune për një periudhë jo më të vogël se 1 vit, janë, për shkak të ligjit, nëpunës civilë. 4. Nëpunësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione, pjesë të shërbimit civil, sipas këtij ligji dhe që nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, janë nëpunës civilë në periudhë prove dhe për ta zbatohen dispozitat e nenit 24 të këtij ligji. Periudha e provës fillon nga fillimi i shtrirjes së efekteve të këtij ligji” . Ndërsa me ligjin e vjetër, në rastet e mbylljes së institucioneve të administratës publike, nëpunësi civil, vendi i të cilit është deklaruar i tepërt, largohej nga shërbimi civil. “Në rastet e ristrukturimit të institucioneve të administratës publike, nëpunësve civilë, vendet e të cilëve janë deklaruar të tepërta, do t’u ofrohet një vend i të njëjtit nivel në një ministri apo institucion tjetër të administratës publike qendrore apo vendore ose në pamundësi, një vend i një niveli më të ulët. Nëpunësi civil vazhdon të gëzojë të drejtat e vendit të tij të mëparshëm derisa atij t’i ofrohet një vend tjetër, por jo për më tepër se një vit. Në rastet kur nëpunësi civil refuzon të pranojë vendin e ofruar, ai humbet të drejtat që i takojnë si nëpunës civil”. Ligj i ri i nëpunësit civil përcakton rregullat e rekrutimit në administratën shtetërore dhe personat që përfitojnë statusin që u jep garanci nga ndryshimet politike. Ligji garanton të drejtat e punonjësve publikë që të marrin pjesë në politikë, por duke u garantuar vendin e punës, ndërkohë që thekson se në rastet e pjesëmarrjes në fushatë elektorale, nëpunësi duhet të kërkojë pezullimin nga shërbimi civil. Ligji i nëpunësit civil zbatohet për çdo nëpunës që ushtron një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore, me përjashtim të të zgjedhurve, ministrit dhe zëvendësministrit, funksionarit të emëruar nga Parlamenti apo Presidenti, gjyqtarit dhe prokurorit, ushtarakut të forcave të armatosura; personelit të shërbimit informativ shtetëror, personelit të njësive direkte të shërbimit dhe funksionarit të kabinetit.

 

Ligji i nëpunësit civil, neni që pengon ndryshimet e thella në administratë

Ligji i ri

Neni 67

Statusi i punonjësve dhe nëpunësve aktualë

1. Nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues, në Kryeministri apo në një ministri, të pranuar në shërbimin civil, sipas procedurave të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, janë, për shkak të ligjit, anëtarë të TND-së.

……..

3. Nëpunësit civilë ekzistues, punonjësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione të shërbimit civil, sipas këtij ligji dhe që janë rekrutuar sipas një procedure pranimi konkurruese, të ngjashme me atë të përcaktuar nga ligji nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, apo që janë të punësuar në të njëjtin vend pune për një periudhë jo më të vogël se 1 vit, janë, për shkak të ligjit, nëpunës civilë.

4. Nëpunësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione, pjesë të shërbimit civil, sipas këtij ligji dhe që nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, janë nëpunës civilë në periudhë prove dhe për ta zbatohen dispozitat e nenit 24 të këtij ligji. Periudha e provës fillon nga fillimi i shtrirjes së efekteve të këtij ligji.

 

Neni 50

Transferimi në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit

1. Nëse për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, pozicioni i mëparshëm i një nëpunësi civil nuk ekziston më, ai transferohet në një pozicion tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori.

2. Transferimi, sipas pikës 1 të këtij neni, bëhet me precedencë, sipas kësaj renditjeje:

a) në të njëjtin institucion, ku nëpunësi civil është i emëruar;

b) në institucionin, me të cilin institucioni është shkrirë apo bashkuar, në një nga institucionet, në të cilat institucioni është ndarë apo në institucionin që ka marrë funksionet që kryente më parë nëpunësi;

c) në institucionet e varësisë së institucionit të ristrukturuar;

ç) në një institucion tjetër të shërbimit civil.

 

Ligji i vjetër i shfuqizuar

Neni 66

1. Në rastet e mbylljes së institucioneve të administratës publike, nëpunësi civil, vendi i të cilit është deklaruar i tepërt, largohet nga shërbimi civil.

2. Në rastet e ristrukturimit të institucioneve të administratës publike, nëpunësve civilë, vendet e të cilëve janë deklaruar të tepërta, do t’u ofrohet një vend i të njëjtit nivel në një ministri apo institucion tjetër të administratës publike qendrore apo vendore ose në pamundësi, një vend i një niveli më të ulët. Nëpunësi civil vazhdon të gëzojë të drejtat e vendit të tij të mëparshëm derisa atij t’i ofrohet një vend tjetër, por jo për më tepër se një vit. Në rastet kur nëpunësi civil refuzon të pranojë vendin e ofruar, ai humbet të drejtat që i takojnë si nëpunës civil.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency