Ndarja e posteve Çfarë do të përfitojnë 100 mijë “shuplakat” e Ramës

0
158

Gëzim Saliu

Emrat për postet e zv.ministrit/es, Kryeminsitri Rama i bën publik pas vizitës në SHBA

 

Edi-Rama-Gramoz-Ruci-Spartak-Ngjela-Paskal-Milo-Ilir-Meta-Rexhep-Meidani-Skender-Gjinushi-Vangjel-Dule-Zef-Bushati-dhe-Petro-KociEdhe pse ka kaluar një javë nga konstituimi i qeverisë së re e më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, aleatët e Partisë Socialiste ende nuk kanë mbyllur “llogaritë” elektorale me Kryeministrin Rama. Pasi kanë dërguar prej thuajse një muaji emrat në selinë e purpurt për postet e zv.ministrit, si edhe postet në nivel drejtorësh dhe prefektësh në rang qarku e rrethi, aleatët e PS-së nuk kanë kontaktuar më me kreun e mazhorancës qeverisës, kjo edhe si pasojë e angazhimeve të tij si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Si pjesë kontribuuese e 1 milion “shuplakave”( frazës së përdorur shpesh kohët e fundit nga Kryeministri Rama ndaj kundërshtarit politik për të theksuar thellësinë e fitores në zgjedhje) me 100 mijë votat e tyre, aleatët e koalicionit të majtë nuk kanë marrë ende pjesën e tyre të tortës së pushtetit. Megjithëse shpeshherë një pjesë e mirë e tyre kanë deklaruar publikisht se mbeten besim plotë për zbatimin e marrëveshjes para elektorale që kreu i ekzekutivit ka nënshkruar me 35 aleatët e koalicionit , dyshimi se mund të përsëritet i njëjti skenar si me përbërjen e kabinetit të ri qeveritar mbetet aty. Pas vizitës në SHBA dhe mbledhje së ardhshme të qeverisë, ku ministrat e kabinetit do të paraqesin tek kreu i ekzekutivit planin e reformës strukturore të çdo dikasteri dhe emrat që ata kanë përzgjedhur për postet e zv.ministrit, pritet që Kryeministri Rama të zhvillojë një takim me aleatët ku edhe do të marrë zgjidhjen përfundimtare çështja e ndarjes së posteve në nivel të dytë dhe të tretë.

Postet

Por pavarësisht mungesës së takimeve publike, kontaktet mes krerëve të partive aleate dhe përfaqësuesve të lartë të PS-së kanë qenë të vazhdueshme. Pas dërgimit të kërkesave në selinë e purpurt, aleatët kanë kërkuar vazhdimisht informacion mbi vendimmarrjet e fundit lidhur me ndarjen e posteve. Nisur nga kjo palët kanë arritur të gjejnë dakordësinë mes tyre duke përcaktuar disa nga emrat që do të bëhen pjesë e pushtetit ekzekutiv, si zv.ministra. Ashtu si në përbërjen e kabinetit qeveritar, edhe në këtë nivel pushteti, është aleati kryesor i PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim e cila ka arritur të sigurojë 6 poste zv.ministrash. Emrat që kanë marrë konsensusin deri më tani janë ato të Nora Malaj, e cila do të mbajë sërish postin e zv.ministres së Arsimit dhe të Sokol Dervishaj, i cili nga Ministria e Ekonomisë do të kalojë në Ministrinë e Jashtme. Po ashtu edhe në ministrinë e Integrimit, e cila nga dy zv.ministra që ka patur pritet të ketë vetëm një, do të jetë një tjetër emër nga LSI-ja, Majlind Zaimi. Nga ana tjetër nga 35 partitë e tjera të koalicionit qeverisës, vetëm 7 prej tyre do të marrin poste zv.ministri. Kështu  Gjergji Koja, kreu i Partisë Socialiste të Moderuar pritet të zërë postin e zv.ministrit të Shëndetësisë e ndërsa Petro Koci pritet të marrë postin e zv.ministrit të Mbrojtjes. PSD-ja e Skënder Gjinushit dhe PDS-ja e Paskal Milos pritet gjithashtu të përfaqësohen në qeverinë “Rama” me poste zv.ministri/e. Ndërkohë të dy aleatët tradicionalë të PS-së, presin të zhvillojnë takime kokë më kokë me kreun e mazhorancës qeverisëse, ku palët do të përpiqen  rivendosin “paqen” mes tyre pas ftohtësisë që erdhi nga përbërja e qeverisë së re, ku si Gjinushi ashtu edhe Milo nuk u bënë pjesë e saj. Po ashtu edhe Partia Kristian Demokrate e Mark Frrokut, PBDNJ-ja e Vangjle Dules dhe Aleanca Popullore e Artur Dojakës do të përfaqësohen me një post zv.ministri. Në bazë të marrëveshjes paraelektorale mes PS-së dhe aleatëve, secila parti që do të arrinte të merrte më shumë se 6 mijë vota kishte të drejtë të kërkonte postin e zv.ministrit.

 

 

Emrat e PS-së për zv.ministra

Elisa Spiropali- Zv.ministre e Punëve të Jashtme

Milva Konomi- Zv.Ministre e Shëndetësisë

Arbër Mazniku- Zv.ministër i Arsimit dhe Sportit

 

Takimi i fundit

Në takimin që kryeministri Rama organizoi me aleatët e tij pas fitimit të zgjedhjeve të 23 Qershorit, ai kërkoi nga 35 krerët e partive të koalicionit të majtë që të paraqesin kërkesat e tyre tek selia e PS-së, së bashku me CV e personave përkatës

 

 

6 partitë që përfitojnë postin e zv.ministrit

PBDNJ-ja e Vangjel Dules, PKDSH-ja e Mark Frrokut, PDS-ja e Paskal Milos, PSD-ja e Skënder Gjinushit, AP-ja e Artur Dojakës e PSV ‘91 e Petro Koçit, janë partitë që kanë marrë mbi 6 mijë vota e që pretendojnë të paktën një post zv.ministri

 

 

Postet që marrin aleatët në nivel qendror e lokal

PBDNJ ka marrë 14690 vota- do të përfitojë 6 drejtorë rajonalë. Në Vlorë dhe Gjirokastër ku ka edhe numrin më të lartë të votave, PBDNJ ka kërkuar edhe postin e prefektit( Për shkak të mos përfshirjes në qeveri edhe pse kishte arritur të merrte një mandat deputeti, pritet që PBDNJ të marrë një ose dy poste më shumë në nivel qendror e lokal)

PDS ka marrë 11889 vota- do të përfitojë 5 drejtorë rajonalë . Ndërsa në Shkodër, Korçë dhe Vlorë, ku PDS ka marrë më shumë se 2 mijë vota, do të marrë drejtor qendror si edhe një post prefekti.

PSD ka marrë 10194- do të përfitojë 5 drejtorë rajonalë.  Në qarkun e Fierit dhe Tiranës Partia e Gjinushit kërkon drejtor qendror apo postin e prefektit.

Aleanca Popullore ka marrë 8929 vota- do të përfitojë 4 drejtorë rajonalë. Në Fier dhe Elbasan, ku ka edhe numrin më të lartë të votave, partia e drejtuar nga Dojaka kërkon drejtor qëndror apo postin e prefektit.

PKDSH ka marrë 7993 vota- do të përfitojë 2 drejtorë rajonalë. Në qarkun e Shkodrës, partia e Frrokut kërkon një drejtor qendror ( Për shkak të mos përfshirjes në qeveri edhe pse kishte arritur të merrte një mandat deputeti, pritet që PKDSH të marrë një ose dy poste më shumë në nivel qendror e lokal)

PSV ’91 ka marrë 6135 vota- do të përfitojë 2 drejtorë rajonalë. Në qarkun e Fierit kërkon një drejtor qendror.

 

 

Marrëveshja paraelektorale PS me aleatët

Bashkëqeverisje- Partitë që marrin 500 deri 1000 vota në nivel qarku 5000 deri 10.000 vota në nivel kombëtar

Bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror- Partitë që marrin mbi 10.000 vota

Portofol ministror- Kur një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhje

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency