Djali i dajës i Olldashit qëllon me armë, një të ri

0
288

Elton Qyno

Konflikti për një femër në Durrës, përfundon në përdorimin e pistoletës nga Aldo Mamaqi

 

durres-polici-300x223Aldo Mamaqi, djali i dajës i ish-ministrit të Transporteve Sokol Olldashi, ka tentuar të vrasë me pistole një bashkëmoshatarin e tij, por fatmirëisht plumbat nuk e kanë prekur. Konflikti mes dy të rinjve ka nisur në ambjentet e një lokali në Durrës dhe se shkak ka qënë një femër, me inicialet E.M. Kjo e fundit ka pasur kohët e fudnit lidhje intime me Zenaldo (Aldo) Mamaqin, por që është ngacmuar disa herë dhe nga shtetasi me të cilin Mamaqi ka pasur konflikin ditën e djeshme. Konfliktet me shtetasin me inicialet B.S, kanë qënë të trashëguara dhe se Mamaqi është pëfshirë në një konflikt tjetër kriminal me këtë shtetas. Sipas hetimeve të kryera të dy personat pretendojnë se kanë lidhje intime me shtetasen E. M. Për këtë shkak edhe herë të tjera, ata kanë pasur konflikte, ku gjatë ditës së djeshme, palët janë përplasur fizikisht dhe më pas Aldo Mamaqi, ka përdorur pistoletën, duke qëlluar disa herë me të. Burime pranë policisë së Durrësit thanë se Mamaqi është dënuar dy herë nga gjykata e Durrësit për akuzën e Armë mbajtjes pa lejë, plagosjes me dashje dhe drejtim të mjetit pa patentë e në gjëndje të dehur.

Ngjarja

Të shtënat kanë vënë në lëvizje shërbimet e policisë që kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke bllokuar pistoletën dhe ndaluar autorin e dyshuar, i cili njihet si person me precedentë penalë. Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive banale, konflikti për një vajzë. I njëjti motiv ka qenë dhe për plagosjen e rëndë të kryer nga i dyshuari në vitin 2011 pranë godinës së Gjykatës së Durrësit, vepër për të cilën është dënuar nga kjo gjykatë. Ngjarja e djeshme ka ndodhur në ambjentet e “Zoe bar”, që frekuentohet kryesisht nga të rinj. Policia lokale ka ndaluar 23-vjeçarin që është dhe kushëri i parë i ish-ministrit Sokol Olldashi, ndërkohë që zyrtarisht nuk është dhënë asnjë njoftim mbi ngjarjen. Mamaqi e kishte lënë armën e zjarrit, tip pistoletë në shkallët e lokalit që të ngjisin në katin e dytë të godinës. Plumbat deklarohet se janë drejtuar mbi një nga të afërmit e pronarit të lokalit, nipin e tij. Ndërkohë që policia ka shoqëruar disa persona për të dhënë dëshminë e tyre mbi ngjarjen.

Përplasja në 2010

Për policinë e Durrësit Mamaqi njihet si kontigjent kriminal, ndërkohë që gjykata përgjatë viteve 2010 dhe 2011 i ka dhënë dy vendime ndaj tij, për dy çështje të ndryshme: një plagosje me dashje dhe një aksident me pasojë vdekjen. Kështu, në maj të vitit 2010 Gjykata e Durrësit e ka shpallur Mamaqin fajtor për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje, e kryer në dhjetor të 2009-s. Mamaqi u shpall fajtor për plagosjen e shtetasit B. Islami, të cilit i kishte kërkuar takim për t’u sqaruar në lidhje me interesin e përbashkët mbi të njëjtën vajzë. Ngjarja ndodhi pranë Gjykatës së Durrësit, ku Mamaqi atëherë 19 vjeç qëlloi me pistoletë mbi të riun, duke i shkaktuar atij plagë që sipas ekspertëve mjeko-ligjorë ka qenë e rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit, nëse nuk do t’i jepej ndihma e kualifikuar mjekësore. Gjykata vendos ta dënojë me burgim për kohën e qëndrimit në paraburgim dhe ta vendosë në provë për një periudhë prej dy vjetësh duke urdhëruar mbajtjen e kontakteve me shërbimin e provës në Durrës. Një vit më pas, në shkurt të 2011-s, Mamaqi përfshihet në një aksident rrugor teksa drejtonte një motor pa targa. Si rezultat vdes në spital pasagjerja e motorçikletës, ndërsa plagoset drejtuesi i saj i cili më pas vlerësohet si fajtor dhe dënohet me 8 muaj heqje lirie, por që sërisht përfiton nga shërbimi i provës.

2.8 vite

Kjo është masa e dënimit që gjykata e Durrësit ka vendosur për 23-vjeçarin Aldo Mamaqi. Ky i fundit këtë dënim e ka marrë për dy akuza, por në fakt ska qëndruar asnjë ditë në burg, për shkak se gjykata e ka vënë në shërbim prove.

 

Një ditë më parë, pronarit ju kërkua leja ndërtimore

Policia “luftë” me ndërtimet pa lejë bllokohen dy pallate në zonën e liqenit

Policia e Shtetit i ka hapur “luftë” ndërtimeve pa lejë në Tiranë, ku kryesisht gjatë kësaj kohe janë duke u pezulluar prej uniformave blu ndërtimet që janë duke u kryer mbi taracat e pallateve, por edhe të disa prej pallateve që vijojnë ndërtimet duke mos pasur asnjë lejë ndërtimi nga institucionet përkatëse. Vetëm gjatë ditës së djeshme, forcat e rendit duke marrë shkas nga dhjetëra telefonata të qytetarëve kanë verifikuar punimet tek dy pallate. Pas verifikimeve në teren është është konstatuar se sipërmarësit e objektit nuk kanë pasur lejën e ndërtimit dhe për pasojë është vendosur të bllokohen punimet e dy pallateve në ndërtim, pranë Liqenit Artificial në kryeqytetit pasi mendohet se janë pa leje ndërtimi. Nga sa mësohet pronarit të këtyre dy objekteve, emri i të cilit nuk bëhet me dije, i është kërkuar një ditë më parë një leje ndërtimi, por ky i fundit nuk ka vënë në dispozicion të autoriteteve asnjë dokument. Kaq ka mjaftuar që strukturat e komisariatit të policisë nr.1 të vinin shiritat bllokues të punimeve, të cilat mësohet se kishin nisur rreth 2 javë më parë. Paralelisht me bllokimin e ndërtimeve nga ana e uniformoave blu të zonës së Farkës ka nisur proçedimi penal nën akuzën e ndërtimit pa leje për përfaqësuesin e firmës së që po ndërtonte dy pallatet, shtetasin Agron Shehu. Zona e Kodrave të Liqenit është një ndër zonat më problematike për ndërtimet pa leje, pasi gjatë kësaj jave uniformat blu bllokuan punimet në dy kate të ndërtuara në një pallat pranë Kopshtit Zoologjik. Ndalimi i punimeve në këto 2 pallate këtë të dielë, është ndërhyrja e 12-të e policisë së Tiranës pas nisjes së aksionit për bllokimin e objekteve të ndërtuara pa lejë në të gjithë vendin.

 

Ndërtimet Vlorë

Prokuroria, nis hetimet për 4 inspektorë

Katër punonjës të Inspektoriatit Ndërtimor në Vlorë po ndiqen penalisht, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Mësohet se ata kanë pasur dieni mbi katër ndërtime pa leje në qytetin bregdetar dhe nuk kanë ndërhyrë në asnjë moment. Në këtë mënyrë janë duke vijuar hetimet dhe për ta ka nisur procedimi penal. Në Vlorë ka nisur ditët e fundit një aksion i gjerë kundër ndërtimeve pa leje, pasi janë sekuestruar dhjetëra objekte ndërsa kanë nisur procedimet penale dhe për ndërtuesit e tyre. Vlora ka qënë qyteti më I debatuar për ndërtimet pa lejë, pasi pjesa më e madhe e hapësirave të gjelbëra por edhe ajo e bregdetit është zënë me pallate të lartë, duke sjellë zbehjen e bukurisë së dikurshme të zonave bregdetare dhe të vetë ujit të detit.

 

Ngjarja Lezhë

Tenton ti vjedhë varësen, arrestohet i riu

20-vjeçari Ervis Ndoji është arrestuar në flagrancë pasditen e së dielës në hyrje të qytetit të Lezhës, teksa ka tentuar të grabisë me dhunë varësen e floririt nga qafa e një të moshuare. 60-vjeçarja ka bërtitur duke sinjalizuar qytetarët përreth të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë që për fat të mirë ndodhej pranë vendngjarjes. Burime nga policia bëjnë me dije se 20-vjeçari Ervis Ndoji nga fshati Shënkoll ka qenë më parë person me precendentë penal më parë për grabitje. Aktualisht Ndoji ndodhet në masën e arrestit, ndërkohë që ndaj tij është ngritur akuza e “vjedhjes me dhunë”. Ndoji rezulton të jetë dënuar dhe herë të tjera për të njëjtën vepër penale.

 

Aksidenti Lushnjë

Makina godet për vdekje të moshuarin

Një person ka humbur jetën ndërsa është përlasur pasditen e djeshme nga një automjet. Ngjarja e rëndë u regjistrua në aksin rrugor Lushnjë-Fier, pranë fshatit Rrapëz, ku shtetasi Ilo Gega 69 vjeç, teksa kalonte autostradën është përplasur nga mjeti, duke gjetur vdekjen. Drejtuesi i makinës është përpjekur t’i japë ndihmën e parë të moshuarit, duke e transportuar drejt spitalit, por Gega nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra duke ndërruar jetë rrugës. Ndërkaq policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit të rëndë. Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar drejtuesi i mjetit dhe se ndaj tij për momentin është ngritur akuza e Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Ilo Gega.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency