Aborti, në ç’mënyrë kryhet?

0
254

Aborti me barna kryhet përmes administrimit të barnave. Përgjithësisht, mënyra e kryerjes së abortit me barna mund të kryhet deri në javën e nëntë të shtatzënisë. Medikamenti që jepet, është shumë efektiv dhe ka efekt në rreth 97% të rasteve.

 

AbortiAborti është një procedurë e cila kryhet mjaft shpesh. Në SHBA, afërsisht 50% e të gjitha shtatzënive janë të padëshiruara. Rreth 22% e të gjitha shtatzënive përfundojnë me abort. Konsiderohet se një nga 3 gra amerikane deri në moshën 45 vjeçare kanë pasur së paku një abort. Shumica e femrave të cilat kanë pasur abort janë të pamartuara. Gratë e martuara më rrallë e zgjidhin “problemin” e shtatzënisë së padëshiruar, duke kryer abort.
Vendimi për të pasur abort nuk është i lehtë. Arsyet se përse një femër vendos që të ndërpresë shtatzëninë janë të ndryshme. Në shumicën e rasteve arsyeja e ndërprerjes së shtatzënisë është se shtatzënia aktuale interferon me shkollimin ose me punësimin e asaj gruaje, si dhe faktin se ato akoma mund të mos jenë të martuara.

Zakonisht një grua vazhdon shtatzëninë pasi që të martohet dhe kur të ketë një stabilitet financiar. Më rrallë shkaku i abortit është incesti ose dhunimi.
Në shumicën e rasteve, një grua e cila aborton nuk ka shqetësim psikologjik të mëvonshëm; në fakt shqetësimi psikologjik është më i madh përpara abortit sesa pasi që të kryhet kjo procedurë.
Varësisht nga mënyra se si kryhet, ekzistojnë dy lloje të abortit: aborti klinik dhe aborti me barna.

Aborti me barna
Aborti me barna kryhet përmes administrimit të barnave. Përgjithësisht, mënyra e kryerjes së abortit me barna mund të kryhet deri në javën e nëntë të shtatzënisë. Medikamenti që jepet është shumë efektiv dhe ka efekt në rreth 97% të rasteve. Pas marrjes së këtij bari duhet patjetër që të bëhet ekzaminim gjinekologjik dhe nëse ky bar nuk ka pasur efekt, aborti duhet të kryhet në mënyrën tjetër.

Ilaçin e jep gjinekologu. Ky ilaç që quhet Mifepriston vepron duke bllokuar veprimin e hormonit të quajtur progesteron. Nëse bllokohet veprimi i progesteronit, shtatzënia nuk mund të zhvillohet dhe të vazhdojë.
Hapi i dytë është administrimi i ilaçit tjetër që quhet Misoprostol. Misoprostoli merret tri ditë pasi që të merret ilaçi i parë. Në disa raste gjakderdhja mund të fillojë akoma pa filluar administrimi i barit të dytë. Me gjakderdhje del një copëz gjaku ose indi.
Në rreth 50% të rasteve, aborti fillon 4-5 orë pasi që të merret ilaçi i dytë. Në rastet tjera do të duhet të kalojë pak më shumë kohë. Pasi që të merret ilaçi pritet që ajo grua të ketë shtrëngim (dhimbje) në fund të barkut, mund të ketë ethe, barkqitje dhe vjellje. Për t’i eliminuar këto probleme mund të merret Ibuprofen, por në asnjë mënyrë aspirinë. Është e pritshme që në disa raste të ketë gjakrrjedhje të paktë edhe për disa javë pas intervenimit.
Sido që të jetë, për çdo shqetësim duhet të informohet gjinekologu.

Pasi që të shfaqet gjakderdhja duhet të bëhet edhe një kontroll te gjinekologu. Gjinekologu e kryen një ekzaminim ultrasonografik dhe e konfirmon se procedura është kryer me sukses. Në këtë vizitë duhet të diskutohet kontracepcioni, në mënyrë që të mos përsëritet një shtatzëni tjetër e padëshiruar. Mund të ndodhë që pas një aborti të ndodhë shumë shpejt një shtatzëni, prandaj është shumë e rëndësishme që të diskutohet hollësisht mbrojtja nga shtatzënia e padëshiruar.

Pas abortit fillon një cikël i ri menstrual dhe menstruacionet e ardhshme priten pas katër javësh. Nuk rekomandohet që në dhjetë ditët e ardhshme pas abortit, ajo grua të ketë marrëdhënie seksuale.

Aborti klinik
Mënyra më e shpeshtë e abortit klinik është aspirimi që njihet si vakuum aspirimi. Aspirimi mund të kryhet deri në javën e 16 shtatzënisë.
Dilatimi dhe kiretazha është një metodë tjetër e abortit klinik që mund të kryhet edhe pas javës së 16 të shtatzënisë. Këto metoda janë shumë të efektshme.

Para intervenimit duhet të bëhet ekzaminim gjinekologjik dhe ultrasonografik si dhe analizat laboratorike.
Intervenimi kryhet pasi që të jepet anestetiku (bar për bllokimin e dhimbjes). Aborti mund të kryhet edhe nën anestezion të shkurtër intravenoz. Qafa e mitrës zgjerohet me dilatatorë dhe pastaj futet një tub në brendi të mitrës i cili krijon vakuum dhe tërhiqet përmbajtja nga mitra. Ndonjëherë, mund të ketë nevojë që të përdoret kireta që është instrument për largimin e mbetjeve të mundshme nga brendia e mitrës.
Kjo procedurë zgjatë 5-10 minuta, por ndonjëherë mund të duhet më tepër kohë për të përgatitur cerviksin për intervenim. Pasi që kryhet aborti, pacientja pushon afërsisht për një orë. Nëse grupi i gjakut është Rh negativ, pas intervenimit duhet të merret ampula Rhogam e cila mbron nga sensibilizimi në shtatzënitë e ardhshme. Nuk rekomandohet që pacientja të ketë marrëdhënie seksuale për dy javë pas intervenimit. Ajo mund të bëjë dush sapo ta ndjejë se e ka të nevojshme.
Nëse anestezioni ka qenë i shkurtër intravenoz, pacientja nuk duhet të vozisë veturën ditën kur kryhet intervenimi. Edhe pas abortit klinik, menstruacionet e ardhshme priten pas katër javësh.
Rreziku i abortit është shumë i vogël kur kryhet nga profesionistët e aftësuar për të kryer këtë procedurë. Në më pak se 0.3% të rasteve do të ketë ndonjë komplikim për të cilin do të duhet që gruaja të shtrihet në spital. Abortet e kryera deri në javën e dymbëdhjetë gati që s’kanë asnjë problem si për shembull infertiliteti, abortet spontane në të ardhmen dhe shtatzënia ektopike, kur bartin rrezik shumë të vogël ose nuk kanë fare rrezik për lindje të parakohshme.
Nuk ka asnjë lidhshmëri midis abortit dhe shfaqjes së cilido lloj kanceri. Dr. Memli Morina.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency