Florenc Drizari
Projektligj për importin e mbetjeve: Ndalohet importi i çdo mbetjeje të rrezikshme dhe të parrezikshme
Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave zbardhi vendimin e marrë në mbledhjen e parë të qeverisë për ndalimin e importit të mbetjeve. Në vendim thuhet se ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. Ky vendim pritet të hasë në reagimin e Shoqatës së Ricikluesve, të cilët pritet të mblidhen mesditën e së enjtes, ndërkohë që edhe ambientalistët kanë mendime të ndryshme për vendimmarrjen e qeverisë. Në tërësi, sipas tyre, vlerësohet vendimi për ndalimin e importit të mbetjeve, por kritikohet mënyra se si ishte marrë vendimi. Sipas tyre, Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të ricikluar mbetje të ardhura nga jashtë. Vendimi, sipas ambientalistëve, duhet të ishte konsultuar edhe me grupet e interesit, pasi në këtë industri janë bërë investime me përfshirjen e bankave vendase dhe të huaja. Një tjetër vendim që propozohet, sipas tyre, është edhe moratoriumi. Në lidhje me vendimin e qeverisë, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë pritet të zhvillojë një konferencë për shtyp, por të kontaktuar nga gazeta, ata nuk e konfirmuan se cili do të ishte qëndrimi i tyre në lidhje me vendimin për ndalimin e importit të mbetjeve.
VENDIMI I QEVERISË
Tri ditë pasi kabineti qeverisës i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama vendosi për ndalimin e importit të mbetjeve, Këshilli i Ministrave zbardhi vendimin e plotës në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Në projektligj thuhet se kompanitë që përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë pajisur me autorizim për importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, janë të detyruara që, për sasinë e mbetjeve që kanë importuar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të përfundojnë procesin e riciklimit, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.
Në vendim thuhet se qeveria ndalon importin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë propozon disa ndryshime në anë ta projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi”.
Sipas projektligjit bëhen këto ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar:
Neni 1, në pikën 3, të nenit 22, fjala “…kufizon…” shfuqizohet.
Neni 2, në nenin 48, “Ndalimi i importeve dhe kalimeve transit të mbetjeve”, bëhen ndryshimet e mëposhtme: Pika 1formulohet, si më poshtë vijon: Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”. Pika 3 shfuqizohet. Neni 49, “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”, shfuqizohet.
2. Çdo dispozitë ligjore dhe akt nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
3. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikave 1 dhe 2, të këtij neni”,- thuhet në disa prej pikave të këtij projektligji.
Sazan Guri: Vendimi i qeverisë, pozitiv, por grupet e interesit dhe qytetarët s’janë pyetur
Ambientalisti i njohur Sazan Guri, në një prononcim për gazetën “Standard”, vlerëson vendimin e qeverisë për ndalimin e importit të mbetjeve, por e kritikon atë në lidhje me vendimmarrjen, duke thënë se për këtë çështje nuk janë pyetur qytetarët dhe grupet e interesit. Sipas z. Guri, për importin e mbetjeve mund të merrej edhe moratoriumi, për faktin se, sipas tij, në këtë fushë janë përfshirë disa aktorë duke investuar prej disa vitesh.
“Ashtu siç u shpreh disa ditë më parë, vendimi i qeverisë përbënte lapsus. Ndërkohë që i përkthyer sot (dje) në projektvendim, ku i çohet Parlamentit, ishte i saktë si konceptim ligjor dhe shkencor. Projektvendimi nxjerr të qartë idenë se ata e kanë për mbetjet.
Qeveria e mëparshme merrte vendime të gabuara pa pyetur qytetarët, ndërkohë që e njëjta gjë është edhe tani, veçse vendimi është pozitiv. Është pozitiv, por prapë pa pyetur ata më poshtë, sepse nuk bëhet referendumi që të bëhet perceptimi qytetar. Në këtë rast nuk pyetet grupi i kompanive që kanë sakrifikuar për disa vjet në këtë riciklim. Ballafaqimi i zërave, i grupeve dhe i kompanive së bashku me bankat që kanë investuar, sepse është edhe BERZH dhe Banka Botërore që ka investuar; pra, çfarë përgjigje do i kthejë Kryeministri këtyre që kanë investuar 100 milionë euro mbi 6 vjet.
Zgjidhe ka plot dhe vendimi mund të ishte pjekuria e një ose dy muaj debatesh, sepse vendimi vjen nga poshtë. Argumenti teknik është më i fortë se argumenti i mbetjeve sepse Shqipëria është një vend i papërgatitur për të pritur mbetje nga importi. Vendimi mund të dilte në formën e një moratoriumi”, – deklaroi Sazan Guri.
Në mesazhin e tij për ricikluesit, ambientalisti Sazan Guri thotë se ricikluesit kanë gabuar duke bërë lidhje të shkurtër me qeverinë. “Nuk bënë lidhje me shkencën, me argumentin teknik, por me qeverinë. Iku shkaku, ikën dhe pasojat. Unë jam tek debati, tek moratoriumi për mbetjet, që Shqipëria sot për sot nuk është e aftë të presë import për mbetje”.
“Vendimi i qeverisë për mbetjet”, Ferruni: Ogur i mirë për shoqërinë civile
Ambientalisti Lavdosh Ferruni, aktivist i AKIP-it, vlerësoi mbështet qëndrimin e qeverisë për ndalimin e importit të mbetjeve, duke e cilësuar si një lajm të mirë edhe për shoqërinë civile. Në një prononcim për gazetën “Standard” ai thotë: “Vendimi i qeverisë jo vetëm që është në kohë, por është në situatën që qeveria të tregojë interes për çështjen në fjalë, por nëpërmjet këtij vendimi i tregon shoqërisë shqiptare se kjo qeveri do ta konsiderojë shoqërinë civile si partner në vazhdimësi. Është një ogur i mirë për të gjithë shoqërinë civile dhe e motivon atë për të qenë një opozitë konstruktive e qeverisë. Ky vendim gjithashtu tregon një shqetësim të qartë për pastrimin e territorit të Shqipërisë nga plehrat dhe kjo është e mundur që për ca kohë të menaxhohet me plehrat e prodhuara në vend dhe jo nga ato të importit”, – tha Ferruni.
Sipas tij, Shoqata e Ricikluesve do të jetë më e motivuar për të realizuar qëllimin që ka për menaxhimin e integruar të mbetjeve, për pastrimin e territorit të Republikës së Shqipërisë. “Duke qenë se importi tashmë me këtë vendim është i ndaluar, fokusi duhet të drejtohet drejtë mbetjeve të vendit, në mënyrë që të riciklohem mbetjet nga vetë territori i republikës. Gjithashtu duhet thënë se kjo do të jetë edhe një ndikim për organet vendimmarrëse të vendit që të përmirësojnë organizimin e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve, në mënyrë që ti krijojnë më shumë mundësi ricikluesve për të përpunuar mbetjet e vendit. Kjo pasi deri tani nuk ka ndodhur ajo që është shumë e dëshirueshme, ndarja e tipit që në fillim. Tani fokusi duhet të drejtohet sesi të menaxhohen më mirë mbetjet e vendit dhe kjo do të shumëfishojë punën për ricikluesit”, – deklaroi Lavdosh Ferruni.