Marrëdhënia me median / Ministrat nuk flasin pa pëlqimin e Zyrës së Komunikimit

0
164

Gëzim Saliu

Kodi i ri, ministrat nuk duhen të diskutojnë në kundërshti me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë

Asnjë pagesë për fjalimet, komentet ose artikujt e natyrës zyrtare. Shpërblimet për botimet i marrin organizatat sociale

 

big_old1

19 ministrat e kabinetit të ri qeveritar nuk mund të japin prononcime apo deklarata për shtyp pa marrë më parë pëlqimin e Zyrës së Komunikimit që ndodhet pranë Kryeministrisë. Kështu thuhet në Kodin Etik të miratuar nga Këshilli i Ministrave, praktikë kjo që ndiqet për të garantuar bashkërendimin e efektshëm të punës së kabinetit qeveritar. “Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë. Ai duhet të tregojë kujdes të veçantë gjatë trajtimit të tematikave, të cilat hyjnë te përgjegjësitë dhe kompetencat e ministrive të tjera. Në një rast të tillë, përpara se të prononcohet, ai duhet të informohet dhe të sqarojë çështjen me ministrin përkatës”, – thuhet në kod.

Ministrat dhe media

Sipas Kodit Etik, anëtari i Këshillit të Ministrave mund të botojë mendime, komente, opinione në media të ndryshme, por me kusht që përmbajtja e tyre të mos bjerë ndesh me parimin e besueshmërisë dhe solidarësisë. “Shpërblimet për këto botime u kalojnë organizatave sociale apo institucioneve që merren me zhvillimin e programeve të ndihmës dhe përkrahjes ose institucioneve të ndryshme arsimore”, – theksohet në kod. Nga ana tjetër, anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të pranojë asnjë formë pagese për fjalimet, komentet ose artikujt e natyrës zyrtare apo që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë apo përvojën e tij si anëtar i qeverisë, të cilat botohen në media të ndryshme. “Anëtari i Këshillit të Ministrave ndalohet të ngrejë një padi civile dhe/ose të bëjë një kallëzim penal kundrejt një medieje të caktuar apo përfaqësuesit të saj pa marrë më përpara miratimin e Kryeministrit ose të Këshillit të Ministrave”, parashikon Kodi. Ndërkohë lidhur me librat autobiografikë, përcaktohet se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet, që, ndërsa është në detyrë, të shkruajë dhe të botojë një libër për përvojën e tij ministrore apo të hyjë në çfarëdo marrëveshje për të botuar kujtimet e tij pas largimit nga pozicioni i tij ministror. Kodi Etik i ministrave, përkatësisht në pjesën për marrëdhëniet me mediat, është kritikuar ashpër nga opozita e djathtë, e cila e ka cilësuar këtë një censurë të rrezikshme. Sipas demokratëve, kodi synon të modelohet si autocensurë dhe vijë sjelljeje për mjetet e informimit publik.

 

Neni 14

Publiciteti i veprave publike

Veprat publike dhe çdo produkt i veprimtarisë qeveritare, që realizohet me fonde publike, mund të përdoren për publicitet dhe në reklamat e qeverisë, por nuk duhet të prezantohen si meritë e një apo disa partive politike.

Neni 15

Intervistat dhe fjalimet

1. Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, për përmbajtje dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe nismave të reja duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave.

2. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë. Ai duhet të tregojë kujdes të veçantë gjatë trajtimit të tematikave, të cilat hyjnë te përgjegjësitë dhe kompetencat e ministrive të tjera. Në një rast të tillë, përpara se të prononcohet, ai duhet të informohet dhe të sqarojë çështjen me ministrin përkatës.

Neni 16

Botimet në media

Anëtari i Këshillit të Ministrave mund të botojë mendime, komente, opinione në media të ndryshme, por me kusht që përmbajtja e tyre të mos bjerë ndesh me parimin e besueshmërisë dhe solidarësisë. Shpërblimet për këto botime u kalojnë organizatave sociale apo institucioneve që merren me zhvillimin e programeve të ndihmës dhe përkrahjes ose institucioneve të ndryshme arsimore.

Neni 17

Pagesa për fjalimet dhe artikujt në media

Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të pranojë asnjë formë pagese për fjalimet, komentet ose artikujt e natyrës zyrtare apo që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë apo përvojën e tij si anëtar i qeverisë, të cilat botohen në media të ndryshme.

Neni 18

Librat autobiografikë

Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet, që, ndërsa është në detyrë, të shkruajë dhe të botojë një libër për përvojën e tij ministrore apo të hyjë në çfarëdo marrëveshje për të botuar kujtimet e tij pas largimit nga pozicioni i tij ministror.

Neni 19

Aktet kundrejt medias

Anëtari i Këshillit të Ministrave ndalohet të ngrejë një padi civile dhe/ose të bëjë një kallëzim penal kundrejt një medieje të caktuar apo përfaqësuesit të saj pa marrë më përpara miratimin e Kryeministrit ose të Këshillit të Ministrave.

 

Masat disiplinore, kush thyen Kodin Etik shkarkohet nga detyra

Neni 40

1. Anëtari i Këshillit të Ministrave qëndron në detyrë për aq kohë sa gëzon besimin e Kryeministrit. Ky i fundit vlerëson standardet e sjelljes që pritet të mbahen nga ana e ministrit dhe vendos për masat, që do të ndërmerren në rast të thyerjes së këtyre standardeve.

2. Komisioni i Etikës, pasi del në përfundimin se kemi të bëjmë me një thyerje të Kodit Etik Ministror, ia bën atë me dije Kryeministrit nëpërmjet një akti me shkrim. Në këtë rast, masat disiplinore që mund të japë Kryeministri janë:

a. vërejtje;

b. paralajmërim për shkarkim nga detyra;

c. fillimin e procedurave për shkarkim nga detyra.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency