I plagosuri në atentatin e Bllokut ndërtim pa lejë në tarracën e pallatit

0
171

Elton Fusha ndërtoi shtesën mbi pallat. Policia, akuzë për ndërtim pa leje dhe zënie ambienti

 

FUSHA VRASJETelashet nuk kanë të sosur për Elton Fushën. U plagos nga vëllai i ustait që po i ndërtonte shtesën në pallatin në rrugën “Fadil Bodinaku”. Në atentatin e 9 shtatorit, mbeti e vrarë ekonomistja e lokalit Majlinda Hoxha. Por, tashmë nuk mund ta gëzojë katin shtesë në pallatin ku banonte. Komisariati numër 2 ka sekuestruar shtesën e ndërtuar, ndërkohë që nuk ka asnjë reagim nga Inspektorati Urbanistik Ndërtimor. Shtesa ishte objekti, për të cilin Fusha u qëllua me armë në lokalin e tij në zonën e ish-Bllokut. Për ngjarjen, policia arrestoi nënoficerin e ushtrisë, Ndriçim Balla, i cili pranoi krimin duke deklaruar se ka dashur të ndëshkojë Fushën, për shkak ishin 25 mijë lekët e reja të hakut së punës, të cilat nuk ia jepte vëllait të tij usta ndërtimesh. Brenda 4 ditëve të fundit Policia e Shtetit ka ndërhyrë në 6 raste në Tiranë për bllokimin e ndërtimeve pa leje dhe 3 në rrethet Fier, Lezhë dhe Sarandë.

Tek Krimet e Rënda

Në ditën e tretë të punës si ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri ka vijuar axhendën e takimeve ditën e djeshme me drejtuesit e sektorit të Krimeve të Rënd, me të cilët temë kryesore e bisedimeve ishte lufta kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtori i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, si dhe Edmond Rizaj, drejtori kundër Krimit të Organizuar dhe Trafiqeve të Paligjshme. Sakaq në një deklaratë, Policia e Tiranës ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit janë shoqëruar në komisariatet e policisë 131 persona, janë kontrolluar 276 persona, 230 automjete të ndryshme për dokumentacion të rregullt apo xhama të errët, si dhe janë arrestuar në kushtet e flagrancës 6 persona, nga të cilët një për armëmbajtje pa leje dhe 4 të tjerë për vepra të ndryshme penale si dhunë në ambientet familjare, plagosje, vjedhje në bashkëpunim. Policia gjithashtu njofton se janë kryer kontrolle të shumta në automjete dhe janë shoqëruar disa dhjetëra vetë për shkelje të ndryshme. “Strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë do të vazhdojnë të punojnë më tej për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, me synim parandalimin, evidentimin, zbulimin dhe goditjen në kohë të autorëve të veprave penale, duke bashkëpunuar ngushtë me organin e Prokurorisë si dhe organe të tjera të zbatimit të ligjit”, – thekson deklarata e policisë. Disa minuta pas dekretimit nga Presidenti në këtë detyrë, ministri i Brendshëm ka pasur të dielën një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, më pas me kryeprokurorin Adriatik Llalla, një axhendë e ngjeshur me takime, për të vërë në zbatim programin e tij për rikthimin e policisë në detyrë dhe rikthimin rendit dhe qetësisë në vend.

 

Trafikonte kokainë në Britani

Arrestohet një shqiptar në Angli 37-vjeçari u burgos me 15 vite

Një shqiptar, i cili fuste kontrabandë në Britani miliona euro kokainë, u burgos të martën me 15 vjet heqje lirie. Admir Doda, 37 vjeç, ka qenë më përpara në kërkim në lidhje edhe me ngjarje të tjera, dy tentativa vrasjeje dhe krime me armë në Shqipëri. Doda u arrestua nga skuadra e ekstradimit të Scotland Yard, në shtëpinë e tij në Girton Road, Kingsbury, në 2009-ën. Por ai u la i lirë sepse akuzat ndaj tij rranë kur mandati i tij i ekstradimit, çuditërisht humbi. Doda-s iu dha një vizë 5-vjeçare për të qëndruar në Britani pasi u martua më një europiane, para se të krijonte rrjetin e drogës. Ai përdorte “Vicks Vaporub”, një krem i cili përdoret në fyt dhe gjoks kundër kollës, për të mashtruar qentë e policisë të cilët nuhasnin mallrat e tij. I njohur si Miri ose Mirja, Doda ishte ekstraduar nga Londra në vitin 2003 nga policia italiane, si i dyshuar për vrasjen e një shqiptari.

 

Atentat me pesë plumba në Durrës plagoset rëndë drejtuesi i autobusit

Një motorist me skafandër sulmoi me breshëri automatiku autobusin e punëtorëve të fabrikës së këpucëve në Shijak. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës në zonën e Ish-Kënetës në Durrës, në kohën kur po transportoheshin punëtorët si zakonisht drejt vendit të punës. Drejtuesi i autobusit, Alfred Gjeçi, 46 vjeç, banor i lagjes numër 4 Durrës, u plagos rëndë, kur Xheni Doko, mjeke, mori një plagë të lehtë në krahë. Policia lokale informoi se ishte një atentat për drejtuesin e mjetit, ndaj të cilit autori pasi ka zbritur nga motori, qëlloi gjashtë herë. Nga ana e trupës së hetuesve të çështjes, në përbërje të së cilës është edhe një prokuror, po punohet për zbardhjen e atentatit si dhe identifikimin e autorit. Nga dëshmitë e para policia ka ngritur dy pista hetimi. Atë të konfliktit mes autorit dhe të plagosurit për motive xhelozie për një femër, si dhe ajo e konflikteve të nisura për shkak të linjës së transportit të punëtorëve të kompanisë. Nga mjekët e spitalit mësohet se 46-vjeçari Gjeçi ka marrë një plumb në mushkëri. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë. E plagosura lehtë pas ndihmës së parë mjekësore është larguar për në banesë. 

 

Operacioni nga Interpoli

Grabitën dhe mbytën ish-policin pranga në Fier autorit të krimit

Nëntë muaj pas rrëmbimit dhe vrasjes se ish-policit italian, Ugo Canozzi, në krahinën e Lukas në Itali, arrestohet në Fier një nga autorët e dyshuar të këtij krimi. Florind Marini nga Libofsha e Fierit, u kap nga policia lokale, pasi që nga 15 gushti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai u prangos në fshatin e tij në Daullë të Komunës së Libofshës. Marini ka tentuar që të largohet, për ti shpëtuar arrestimit, por policia e kishte rrethuar zonën. Në datën 15 gusht, policia italiane kishte arrestuar në aeroportin e Malpensës bashkëpunëtorin e Marinit, Besnik Metushin, 25 vjeç, kur po hynte në Itali nga Greqia. Dy të rinjtë shqiptarë, akuzohen se në datën 15 janar të vitit 2013, kanë rrëmbyer, vrarë dhe vjedhur, ish-policin italian, Ugo Canozzi, 82 vjeç.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency