Abuzimi / Prindërit ikin në Turqi, komshiu u përdhunon vajzën shurdhmemece

0
195

Policia e Elbasanit arreston Nertil Krujën. E ëma: Motrat e autorit e futën në kurth

 

abuzimi-258x200Një 26-vjeçar nga Elbasani përfundoi nën pranga mëngjesin e të premtes nën akuzën se ka abuzuar seksualisht me komshien e tij, duke përfituar nga kushtet e saj fizike. Viktima që është shurdhmemece, nuk ka mundur të mbrohet për një kohë të gjatë, dhe për pasojë është abuzuar seksualisht nga 26-vjeçari. Policia bën të ditur se ka arrestuar të riun Nertil Kruja. Abuzimi raportohet se ka ndodhur në 12 dhjetor të vitit 2012. Viktima, emri i së cilës nuk publikohet, është rreth 20 vjeç. Në Gjykatën e Elbasanit u përcaktua masa e sigurisë “Arrest me burg” për të riun, duke e akuzuar për veprën penale të “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me persona të pa aftë për t’u mbrojtur”. Gjatë marrjes në pyetje, Nertil Kruja ka pohuar se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me 20-vjeçaren, por në fakt një veprim të tillë e ka kryer me dëshirën e saj.

Dëshmia e nënës

Duke qenë se e dëmtuara nuk ka aftësi të flasë dhe të dëgjojë, policia e Elbasanit ka marrë në pyetje nënën e saj, shtetasen Zembrie Ademi. Sipas saj, e bija e ka sqaruar se “kur autori kreu aktin e përdhunimit vajza e saj i ka thënë me shenja Nertilit se gjithçka që ti më bëre mua do t’ia them babit”. “Vajza ime është e traumatizuar dhe gjithë kjo histori ndodhi nga kurthi që i ngritën dy motrat e Nertilit”. Zembrie Ademi shpjegon: “Jetojmë në një shtëpi bashkë me vajzat tona të cilat janë S. A., 20 vjeçe, Alma, 23 vjeçe, dhe Serxho, 13 vjeç. Kemi një aktivitete privat, – shton Zembria, – biznes të vogël, një dyqan këpucësh në bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan. Dua të sqaroj se unë me bashkëshortin tim Arbenin, kemi shkuar ne Turqi ditën e diele të dhjetorit 2012. Kur jemi kthyer nga Turqia, vajza ime mori një tel të trashë dhe e lidhi pas një trau dhe tentoi të vetëvarej. Shyqyr që qëllova unë aty dhe e kam shpëtuar vajzën time”. E ëma shton: “E kam pyetur vajzën se çfarë kishte që ishte aq e mërzitur dhe ajo, me shenja, më tha që, para 4-5 ditësh, pra në kohën kur unë me bashkëshortin isha në Turqi, rreth orës 10:00, vajza ishte vetëm në banesë pasi vajza e madhe Alma ishte në dyqan dhe djali ishte në shkollë. Sonila më tha me shenja se kishte qenë jashtë në katin e parë në oborr dhe në këtë moment kishin dalë fqinjët. Sonila më shpjegon, thotë Zembrija “se të dyja fqinjët të cilat janë motra i kishin thënë S. me shenja që hajde të pish një kafe”. Sonila kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe sapo është futur në banesë aty ka qenë vëllai i tyre, shtetasi Nertil Kruja, dhe e ka tërhequr vajzën me zor, e ka shtrirë në dysheme dhe e ka përdhunuar. Në këtë moment motrat e Nertilit kanë dalë nga dhoma, kanë mbyllur derën me qëllim që të mos dëgjoheshin nga komshinjtë se çfarë po ndodhte brenda shtëpisë së tyre”.

 

Ngjarja në Tiranë

Konflikti mes të rinjve, qëllojnë me armë

Një sherr mes dy të rinjve mbrëmë në Tiranë për pak ka përfunduar në tragjedi, sepse ka pasur shkëmbime zjarri mes tyre. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në zonën e Fushës së Aviacionit. Nga hetimet e para dyshohet se gjithçka ka nisur për parkimin e një makinë, ku dy personat janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe më pas ka pasur të shtëna armësh, ndërsa nuk raportohet për të lënduar. Policia ka identifikuar të dy personat dhe ka nisur punën për ndalimin e tyre. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja pistolete dhe dyshohet se personi që ka qëlluar është shtetasi E. Delia i shpallur në kërkim.

 

Itali

Arrestohet për drogë dixheji shqiptar

Një DJ i njohur shqiptar është arrestuar nga policia italiane nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Sipas mediave italiane, DJ shumë i afirmuar, i identifikuar me inicialet X. P. ishte banor i qytetit të Fanos, në provincën e Pezaros. Në momentin e arrestimit atij i është gjetur një sasi prej 40 gramë kokainë në doza të ndara, një shumë e madhe parash dhe disa objekte të tjera. Sipas policisë, DJ shqiptar për shkak edhe të punës kishte krijuar kontakte të shuma me fëmijët dhe të rinjtë e asaj zone, të cilëve u shiste drogën.

 

 

Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Hetoni zhdukjen e fëmijëve në Greqi

Komiteti i Shqiptar i Helsinkit dhe të Drejtave të njeriut, vazhdon t’i kushtojë një rëndësi të veçantit rastit të 661 fëmijëve shqiptarë të cilët kanë ikur nga Shqipëria në vitet 1998-2002 drejt Greqisë ku 502 prej tyre rezultojnë të zhdukur, e ndërsa e kundërta ndodh me autoritetet shqiptare të cilët për rastin në fjalë jo vetëm që nuk kthejnë një përgjigje zyrtare për organizatën por zyrtarisht pranojnë se shteti shqiptar nuk e disponon një të dhënë të tillë. Raporti i komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe atij grek, nënvizon “shteti shqiptar nuk ka kthyer asnjë përgjigje për pyetjet e ngritura nga këto dy komitete”. Sipas raportit fëmijët kanë qenë të strehuar në qendrën sociale, Aghia Varvara, ndërsa hetimet kanë nisur vetëm në shtetin fqinj grek pasi sipas organit të akuzës në shqipëri nuk është regjistruar asnjë vepër e tillë penale apo ndonjë institucion të ketë depozituar kallëzim. E ndërsa prej vitesh asnjë nga institucionet shqiptare nuk reagon për ti dhënë zgjidhje fatit të fëmijëve të humbur, raporti mbyllet me disa sugjerime për shtetin shqiptar dhe atë grek ku duhet një ndërhyrje emergjente për të shmangur trafikimin e fëmijëve të rrugës. Organizata të mbrojtjes së fëmijës dhe organizatat antiraciste shpesh herë kanë ngritur zërin dhe e kanë denoncuar Greqinë në lidhje me trajtimin që u bën fëmijëve të gjetur në rrugë, por edhe për faktin se ata fëmijë shpesh herë rrëmbehen nga tutorët e tyre, të cilët i marrin me dhunë edhe përpara syve të punonjësve shtetërorë të këtyre instituteve e jetimoreve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency