Qeveria e re / Procedura e plotë për mandatimin, dy datat e mundshme të dekretimit

0
127

Gëzim Saliu

Dorëzimi i mandatit, si do të veprojnë ministrat e PS-së dhe LSI-së

 

qeveria-ramaMbledhja e së hënës e Parlamentit të ri përbën hapin e parë për konstituimin e plotë të qeverisë së re të majtë. 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të bëjnë betimin në seancën e nesërme, ku gjithashtu do të zgjidhet edhe Kryetari i Kuvendit, i cili sipas marrëveshjes PS-LSI do të jetë Ilir Meta. Më pas, Parlamenti i ri do të votojë qeverinë e re, e cila do t’i dërgohet Presidentit për ta dekretuar. Këtu nis faza tjetër e procesit, ku në bazë të asaj që ka bërë të ditur kreu i shtetit, dekretimi i qeverisë së re do të bëhet në zbatueshmëri të plotë me Kushtetutën, duke shmangur çdo vonesë. Por në të njëjtën kohë, Nishani ka theksuar se do të verifikojë integritetin dhe ligjshmërinë e propozimeve për emrat e ministrave, proces që kërkon konsulencën e institucioneve përkatëse. Nisur nga kjo, dekretimi i qeverisë së re mund të marrë më shumë kohë nga sa pritej, ku sipas burimeve pranë Presidencës datat më të mundshme janë mes 12 dhe 15 shtatorit, por nuk përjashtohet që ky afat të tejkalohet deri më datë 18. “Edhe për ministrat nuk do krijoj pengesa artificiale për dekretimin… Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga mazhoranca konkrete”, – ka pohuar Nishani. Më parë, procedura përcakton se Presidenti Nishani do t’i kërkojë kreut të partisë më të madhe në zgjedhje, kryesocialistit Rama, që të formojë qeverinë dhe më pas të nxjerrë dekretin. Pas dekretimit të qeverisë së re nga Kryetari i Shtetit, do të jetë parlamenti i ri që do të votojë kabinetin “Rama”, proces që nuk paraqet problematikë sa u përket numrave në Kuvend, pasi mazhoranca aktuale ka më shumë se minimumin e domosdoshëm prej 71 votash. Me votimin e qeverisë së re në Kuvend, anëtarët e Këshillit të Ministrave do të betohen më pas në Presidencë, në një ceremoni të posaçme. Ky hap shënon edhe nisjen zyrtare të detyrës nga ana e qeverisë së re e cila do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.

Ministrat

Sipas marrëveshjes PS-LSI, ministrat e rinj të kabinetit qeveritar do të heqin dorë nga mandati i deputetit i fituar në zgjedhjet e 23 qershorit. Deri më tani është konfirmuar fakti se vetëm pas votëbesimit të qeverisë së re në Kuvend do të nisë procedura për dorëzimin e mandatit nga ana e ministrave. Këta të fundit do t’i drejtohen individualisht me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për t’u dorëhequr si deputetë dhe më tej Parlamenti do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar. Por institucioni më i lartë zgjedhor e ka të pamundur të mandatojë 16 deputetët e rinj, për shkak të mungesës së kuorumin në KQZ, duke detyruar sërish mazhorancën të çojë çështjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor. Një zgjidhje në këtë mes mbetet edhe ajo që deri më tani është përfolur vetëm si alternativë zgjidhjeje, që ka të bëjë me rikthimin e anëtarëve të dorëhequr të KQZ-së në detyrë. Ky rikthim i tyre do të bënte të mundur efektivitetin e plotë të këtij organi, me mundësi për të marrë vendime me shumicë të cilësuar. Në rast të kundërt, mandatet do të shkojnë Kolegjin Zgjedhor, aty ku edhe u bë i mundur certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Nga ana tjetër, pritet që të majtët të ndjekin një skemë të mirëpërcaktuar lidhur me dorëheqjen e ministrave. Këta të fundit do të heqin dorë nga mandatet në periudha të ndryshme për të shmangur rrezikun e humbjes së shumicës parlamentare. Nëse ministrat do të dorëzonin mandatet në të njëjtin moment, atëherë mazhoranca do të reduktohej në 67 vota dhe në rast se e djathta do të braktiste seancën parlamentare, atëherë do të mungonte kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh për të zhvilluar normalisht punimet kuvendore.

 

 

Verifikimi i mandateve të deputetëve

Pas zgjedhjes së Kryetarit të ri Kuvendit, në kuvend nis procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Ky komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda dy ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend.

 

 

 

 

Ministrat që do të dorëhiqen

Shkëlqim Cani: Ministria e Financave

Ditmir Bushati: Ministria e Jashtme

Klajda Gjosha: Ministria e Integrimit Evropian

Saimir Tahiri: Ministria e Brendshme

Mimi Kodheli: Ministria e Mbrojtjes

Nasip Naço: Ministria e Drejtësisë

Ilir Beqja: Ministria e Shëndetësisë

Arben Ahmetaj: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Damian Gjiknuri: Ministria e Energjisë dhe Industrisë

Eglantina Gjermeni: Ministria e Zhvillimit Urban

Edmond Haxhinasto: Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës

Lindita Nikolli: Ministria e Arsimit dhe Sportit

Edmond Panariti: Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

Erjon Veliaj: Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Mirela Kumbaro: Ministria e Kulturës

Lefter Koka: Ministria e Mjedisit

 

Dorëheqja e ministrave

Kush do të marrë mandatin e deputetit

Partia Socialiste

Tiranë

Dorëzon mandatin- Saimir Tahiri, Lindita Nikolli, Milena Harito dhe Ditmir Bushati

Zëvendësohen nga- Ervin Bushati, Enkelejda Shkreli, Blerina Gjylameti dhe Bledar Doracaj

Fier

Dorëzon mandatin- Eglantina Gjermeni dhe Ilirjan Celibashi

Zëvendësohen nga- Adelina Rista dhe Anduel Xhindi

Lezhë

Dorëzon mandatin-Mimi Kodheli

Zëvendësohet nga- Mejreme Delishi

Dibër

Dorëzon mandatin- Shkëlqim Cani

Zëvendësohet nga- Hasan Ceni

Durrës

Dorëzon mandatin- Ilir Beqja

Zëvendësohet nga- Shkëlqim Troplini

Elbasan

Dorëzon mandatin-Damian Gjiknuri

Zëvendësohet nga – Arben Kamami

Gjirokastër

Dorëzon mandatin – Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj

Zëvendësohen nga – Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi

 

Lëvizja Socialiste për Integrim

Tiranë

Dorëzon mandatin Klajda Gjosha

Zëvendësohet nga- Kejdi Mehmetaj

Elbasan

Dorëzon mandatin – Edmond Haxhinasto

Zëvendësohet nga – Miranda Rira

Dorëzon mandatin – Lefter Koka

Zëvendësohet nga – Bujar Derveni

Berat

Dorëzon mandatin -Nasip Naco

Zëvendësohet nga – Selfo Kapllani

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency