Karburantet / Akuza: Në 10 litra naftë, vidhet shuma prej 1 mijë lekësh

0
140

Hetimet shtrihen në Durrës, Korçë, Fier dhe Elbasan. Ekzistojnë pika që abuzojnë

 

karburant,_1Pikat e karburanteve mashtrojnë qytetarët, duke i mbajtur për çdo blerje nga 100 lekë. Ky është një ndër detajet e hetimit të prokurorisë në lidhje me skandalin e vjedhjes dhe abuzimit të metrologjisë. Sipas hetimeve të deritanishme të organit të akuzës rezulton se qytetarëve për çdo 10 litër karburant i vidhej gjysmë litri, që e përkthyer në shifra do të thotë se për çdo blerje prej 2000 lekësh, konsumatorëve i grabitet 100 lekë. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në total janë 14 pika karburantesh ën mbarë vendin, të përfshirë në rrjetin e mashtrimit dhe vjedhjes, nga të cilat 4 pika në kryeqytete dhe 10 pika në rrethe. Nga ana e organit të akuzës është marrë në dorëzim gjithë dokumentacioni përkatës i Drejtorisë së Metrologjisë ndërsa bëhet me dije se në ditët në vijim do të merren në pyetje inspektorët dhe vetë drejtuesja e këtij institucioni. Nga të dhënat e prokurorisë këto pika karburantesh rezultojnë se kanë qenë më parë të gjobitura me rreth 7 mln lekë për abuzime, por me sa duket, gjoba nuk i ka penguar për të vijuar grabitjen dhe mashtrimin e qytetarëve. Qytetet ku janë hasur probleme janë Tirana, Durrësi, Korça dhe Elbasani. Por organi i akuzës nuk bën me dije emrat e firmave të karburantit ku janë hasur shkeljet, për arsye hetimore. Momentalisht procedimi është në fazën e verifikimit, ndërsa akuza paraprake është thjesht shkelje administrative. Në përfundim të verifikimit të dosjes me materialet e sekuestruara nga Prokuroria e Përgjithshme, pritet që javën e ardhshme organi i akuzës të vendosë për nisjen e kallëzimeve penale, pasi, sipas hetuesve, ky abuzim klasifikohet si vjedhje masive.

Hetimet

Sipas burimeve nga Drejtoria e Metrologjisë mësohet se janë vënë në dispozicion të prokurorisë gjithë dokumentacioni që disponohej lidhur me pikat e karburanteve që abuzonin me sasinë që u shisnin klientëve. Mësohet se katër pika të evidentuara si të tilla ndodhen në qytetin e Tiranës, ndërsa disa të tjera në Kavajë dhe në rrugën nacionale Durrës-Lushnjë. Lidhur me këto pika prokuroria e Tiranës nuk ka kompetencën të hetojë, por konfirmohet se do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme. “Nëse gjatë hetimit do të jetë e nevojshme kryerja e verifikimeve në terren, pra në pikat e karburanteve të dyshuara, hetuesit do të ushtrojnë kontrolle në bashkëpunim me inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë”, – tha një burim pranë prokurorisë. Mësohet se procedimi penal për këtë çështje është regjistruar për akuzën e vjedhjes, mashtrimit dhe evazionit fiskal. Gjithashtu në përgjegjësi penale do të merren edhe zyrtarët e Metrologjisë në rast se konstatohen elemente të veprës penale nga hetimi i nisur për mashtrimin me sasinë e karburanteve. Aktualisht kjo çështje duket se ka marrë zgjidhje, pasi të gjithë subjektet e kapur me shkelje janë ndëshkuar me gjobë nga Metrologjia dhe mekanizmi mbushës i pompave të karburanteve është vulosur nga inspektorët. Megjithatë, prokuroria do të kryejë verifikimet e nevojshme, pasi dyshohet se vjedhja e konsumatorëve është bërë për një kohë të gjatë dhe dëmi i shkaktuar mund të jetë shumë i madh. Hetimi fillimisht do të nis nga kryeqyteti aty ku janë evidentuar katër kompani problematike në sasinë e karburantit, ndërsa më pas do të shtrihet në të gjitha pikat dhe subjektet e tjera që dyshohet se kanë vjedhur konsumatorët nëpërmjet sasisë së tregtuar të karburantit. Kjo çështje u kthye në debat publik pasi drejtoria e Metrologjisë nuk publikoi emrat e subjekteve abuzuese me argumentin se një gjë të tillë nuk e lejon ligji për Inspektimet.

 

Ish-ministri, shpjegimi për abuzimet në 40 koncesione

Koncesionet e dyshimta, Dritan Prifti dëshmi përballë prokurorëve të Tiranës

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, u rishfaq sërish në zyrat e prokurorisë, këtë radhë për të dhënë shpjegime për të paktën 40 koncesione minerare e hidrike, të dhëna nga paraardhësi i tij në detyrë. Prej pak kohësh, njësia task-forcë në Prokurorinë e Tiranës ka nisur një hetim të detajuar për raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar nga Dritan Prifti, menjëherë sapo mori detyrën e ministrit të Ekonomisë, në shtator të vitit 2009. Raporti mbi koncesionet është në dispozicion të akuzës, e cila ka thirrur për të disatën herë Dritan Priftin, ish-ministrin i cili paralajmëroi se do të vazhdojë me denoncimet për skandalet e qeverisë. Mësohet se Prifti ka shpjeguar para oficerëve të Policisë Gjyqësore detaje të shkeljeve të evidentuara në dhënien e të paktën 40 lejeve koncesionare minerare dhe hidrike. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se ish-ministri ka sqaruar raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar prej tij, menjëherë sapo mori detyrën dhe ku u gjetën shkelje në të paktën 40 koncesione të dhëna gjatë muajve korrik-gusht të vitit 2009. Nga problemet e evidentuara mësohet se një ka të bëjë me mosmarrjen në konsideratë të përfitimit real të shtetit si dhe shmangien nga konkurrimi i subjekteve të ndryshme. Paralelisht me këtë çështje, organi i akuzës ka nisur hetime edhe për dy leje të mëparshme koncesionare, njëra prej të cilave është dhënë gjatë kohës që në krye të kësaj ministrie ishte Dritan Prifti. Ndërsa një tjetër çështje hetimore, që është konsideruar si mjaft e rëndësishme nga Prokuroria, ka të bëjë me koncesionin minerar për kromin në Bulqizë.

 

Ngjarja në Pogradec

I vranë dhëndrin në mal mbytet në rezervuar vjehrri

Një trup i pajetë i një të moshuari është gjetur mesditën e djeshme në ujërat e rezervuarit të Grabovicës në Pogradec. Trupi është parë fillimisht nga një banor i zonës, që kishte qenë duke kaluar aty dhe menjëherë ka njoftuar policinë. Viktima është identifikuar si Avni Besholli, rreth 63 vjeç, nga fshati Çërravë i Pogradecit. Identifikimi i tij ishte i lehtë për grupin hetimor, pasi viktima kishte lënë një letër para se të vetëmbytej. Në letrën e lamtumirës 63-vjeçari shkruante: “Nuk mundem të jetoj më në këtë mënyrë”. Policia, por edhe banorët e lidhin aktin e vetëflijimit të tij me faktin se një vit më parë atij i kanë vrarë dhëndrin e për pasojë vajza kishte mbetur pa bashkëshort dhe fëmijët e saj ishin jetimë. Mësohet së Avni Besholli nuk vuante nga depresioni dhe nuk kishte probleme ekonomike.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency