Rama përzgjedh Fate Velajn si këshilltar për diplomacinë kulturore

0
246

Ina Jano

Kryeministri i zgjedhur: Velaj iu përgjigj pozitivisht ftesës sime për të qenë këshilltar i kryeministrit në funksion të ambicies sonë për të zhvilluar diplomacinë e shumëprapambetur kulturore

 

fate velajKryeministri i zgjedhur Edi Rama, në vijimësi të plotësimit të stafit të afërt të tij, ka publikuar dje emrin e atij që do të jetë këshilltar për diplomacinë kulturore. Përmes faqes së tij në Facebook, kreu i socialistëve ka njoftuar se Fate Velaj do të jetë ai që do të mbajë një post të tillë dhe do të jetë një ndër bashkëpunëtorët e tij të afërt. Rama ka shkruar se zoti Velaj e ka pranuar ftesën e tij për të qenë këshilltar për diplomacinë kulturore për të çuar përpara sipas tij ambicjen e përbashkët për kulturën e vendit.

Emërimi

Vetë Edi Rama në statusin e tij në Facebook, të shoqëruar edhe me foto të këshilltarit të tij të ardhshëm ka dhënë edhe vlerësim për të. Për këshilltarin e diplomacisë kulturore, Rama shkruan se ai është nderuar nga Presidenti i Parlamentit Europian me çmimin e Qytetarit Europian. Kryeministri socialist shprehet se firmën e Velajt e mbajnë shumë aktivitete kulturore në gjithë Europën dhe kjo padyshim ka bërë që të rritet edhe më shumë imazhi i vendit tonë në sytë e të huajve dhe sidomos i europianëve. Duke e cilësuar si shumë të prapambetur diplomacinë kulturore në vend, zoti Rama thotë se ndihet mirë që Fate Velaj ka pranuar ftesën e tij për të qenë këshilltar dhe  “Para dy vitesh Presidenti i Parlamentit Europian nderoi me çmimin prestigjioz të Qytetarit Europian një shqiptar. Të cilit çmimi i posaçëm i Parlamentit Europian iu dorëzua për merita të veçanta në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin e mëtejshëm të vendeve në Bashkimin Europian, si edhe ndihmesën e dhënë në nxitjen e mirëkuptimit mes qytetarëve të vendeve të ndryshme të Europës përmes bashkëpunimit pa kufij. I ikur si shumë të tjerë nga Shqipëria në kërkim të Tokës së Premtuar, ky shqiptar emigrant nga Vlora bëri me jetën e tij prej endacaku ëndërrimtar nëpër Europe, një histori suksesi mes artit, kulturës e politikës. I diplomuar në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vienë për Menaxhim Arti e Kulture, Fate Velaj është organizator i shumë ngjarjeve kulturore nëpër Europë që kanë prekur vëmendjen e politikës si edhe padyshim, një prej promotorëve më shembullorë të imazhit pozitiv të Shqipërisë në Kontinentin e Vjetër. Ai mori për merita të spikatura disa vite më parë, të drejtën e dynënshtetësisë nga Qeveria Austriake dhe se fundi iu përgjigj pozitivisht ftesës sime për të qenë këshilltar i kryeministrit në funksion të ambicies sonë për të zhvilluar diplomacinë e shumëprapambetur kulturore”, – ka shkruar ditën e djeshme Kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë.

Velaj është këshilltari i tretë i zgjedhur nga kryeministrit Rama, pas Sander Lleshit si këshilltar i mbrojtjes dhe Shkëlzen Maliqit, drejtuesi i institutit të njohur “ Gani Bobi” si këshilltar për rajonin. Më parë, kryeministri i ardhshëm i vendit ka bërë të ditur edhe emrin e Vali Bizhgës të përzgjedhur në postin e shefes së kabinetit të ri të Kryeministrisë.

 

 

 

Bashkëpunëtorët e përzgjedhur nga Rama në zyrën e Kryeministrit

Vali Bizhga- Shefe e kabinetit të Kryeministrisë

Sandër Lleshi- këshilltar për çështjet e mbrojtjes i Kryeministrit

Shkëlzen Maliqi-këshilltar për rajonin i Kryeministrit

Fate Velaj – këshilltar për diplomacinë kulturore i Kryeministrit

 

 Kush është Fate Velaj

Fate Velaj ka lindur në vitin 1963 në qytetin e Fierit, ndërsa është rritur në atë të Vlorës. Që prej vitit 1991 ai jeton dhe punon në Vienë, ndërsa aktiviteti i tij shtrihet edhe më gjerë në shtete të ndryshme të Evropës. Në vitin 2006 ai është diplomuar në Universitetin e Vienës për Menaxhim Arti e Kulture, ndërsa në vitin 2011 është diplomuar në Universitetin Kristal, në Tiranë për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ndërsa në po këtë vit ai ka marrë edhe çmimin e “Qytetarit Europian” dhe po ashtu çmimin “Qytetar Nderi i Vlorës”. Shumë shpejt arriti të depërtojë e prezantojë artin e tij në ekspozita, galeri e muze, si në Austri ashtu edhe në metropole të njohura botërore, duke merituar kështu edhe vëmendjen e vlerësimin e kritikës. Ekspozitat personale më të suksesshme si nga stili ashtu dhe nga mesazhi që përcjellin janë “Ngjyra jete” Fqinjët dhe arti i tyre” – Austri, “Art nga Maqedonia” -Shkup, “Ndërmjet Danubit e Nilit”- Kairo, “Kujtime nga e ardhmja”, Londër . “Merrmë dhe mua tek deti Jon” -Varshavë, “Mirëmëngjes Balkan”-që u ekspozua në Bukuresht, e Athinë. Ndërsa viti 2005 solli një sërë ekspozitash si ”Imitim nga jeta” hapur në Ëels, “Kujtime nga e ardhmja” – Vien, Austri dhe “Vlora mon amour” – Vlorë, Vien, etj.

 

Incidenti i Vjenës

Velaj dëshmon në komisionin parlamentar

Fate Velaj u risoll në vëmendjen e publikut shqiptar vetëm pak muaj më parë, në saktë disa javë më parë se të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme në vend. Ndoshta deri atëherë ai nuk ishte aq shumë i  njohur për masën e gjërë të publikut, përveç ekspertëve të fushës. Velaj u thirr për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar për zbardhjen e “incidentit” të Vjenës, pasi ai ishte një nga organizatorët e këtij aktiviteti. Asokohe Fate Velaj, tha se në atë sallë nuk ka pasur asnjë incident mes diplomatit Ceka e kryesocialistit Rama. “Takimi ishte më se korrekt dhe normal. Këtë e morëm vesh vetëm nga mediat në Shqipëri, nuk ka pasur incident. Këtë e them dhe do ta them deri në vitin 6000, që nuk ka pasur incident. Akademia Diplomatike ka deklaruar se nuk ka pasur incident, atëherë jeni ju që po prishni imazhin”, – tha ai. Ai më tej sqaroi para komisionit parlamentar vetëm me deputetët e mazhorancës se si e ka parë ngjarjen. “Gjestin e Ramës nuk e kam parë, kam qenë në pozicion të tillë që nuk e kam parë. Kur u ktheva, dëgjova zotin Ceka që i tha: “Ju jeni plehra, ju jeni ndyrësira”. Dhe këtë e bëri jo se mbrojti dinjitetin e Shqipërisë, por sepse i kërkonte llogari pse ma zini emrin tim në gojë. Rama i tha se nuk e njihte dhe se po të kishe pyetje, mund t’i kishte bërë në sallë. Ramës më pas ia kam thënë unë që ishte djali i Neritan Cekës, dhe Rama t’ia kisha thënë një gjë të tillë që në fillim. Ceka nuk ka qenë që në fillim në sallë, është ulur diku në reshtin e dytë dhe të tretë, kur të gjithë bënë pyetje, ai nuk pyeti, vetëm në fund u afrua për debat. Ndërsa zoti Rama në sallë ka qenë shumë i qetë, u përgjigjej të gjitha pyetjeve”, – tha Velaj. Incidenti mes diplomatit Egin Ceka dhe kryesocialistit Rama, në Akademinë Politike të Vienës, gjërësisht u quajt si “incidenti i veshit”, pasi zoti Ceka pretendoi se Rama i kishte shkulur atij veshin, pasi ky diplomati i kishte bërë një pyetje private kandidatit për kryeministër.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency