Pjesëmarrja në votime 35 dhe 60%, partitë nuk dorëzojë anëtarët për numërimin e votave

0
161

Florenc Drizari

KQZ: Zgjedhjet shkuan mirë. Në terren raportohen incidente

 

votime_4Mbyllen zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor në dy komuna të vendit, në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës.

Pjesëmarrja në votime në komunën Rrethina ishte 34 për qind, ndërsa në komunën Dardhas, 60 për qind.

Edhe në këto zgjedhje, paçka përmasave lokalë të tyre, u rikthyen disa nga problemet që ndeshën pothuajse në çdo proces zgjedhor në Shqipëri. Pas përfundimit të zgjedhjeve në orarin zyrtare sipas Kodit Zgjedhor, në orën 19:00, partitë politike refuzuan të dorëzonin emrat e anëtarëve për numërimin e votave në dy komunat përkatëse.

Për këtë, KQZ doli me një deklaratë në të cilën i kërkoi subjekteve zgjedhore të plotësonin detyrat që u ngarkon Kodi Zgjedhor. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin se në KZAZ-në nr. 2 në Shkodër, partitë politike nuk kanë dërguar pranë KZAZ-së emrat e anëtarëve të grupeve të numërimit që do të numërojnë fletët e votimit për zgjedhjet e zhvilluara për kryetar të komunës Rrethina.

KQZ ripërsërit apelin në adresë të partive politike, Partisë Demokratike, Partisë Socialiste e Lëvizjes Socialiste për Integrim të regjistruara si koalicion në këto zgjedhje që të mos shkaktojnë vonesa në fillimin e procesit të numërimit të votave dhe të sjellin emrat për anëtarë të grupeve të numërimit”, – deklaroi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Më herët përfaqësues të KQZ-së janë ankuar për neglizhencën që forcat politike në tërësi kanë treguar për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në dy komunat e Korçës dhe Shkodrës.

Nga ana e saj, administrata zgjedhore bëri me dije se qendrat e votimit në dy njësitë e organeve të qeverisjes vendore, ku u zhvilluan zgjedhjet për kryetar të komunës Dardhas të qarkut Korçë dhe për kryetar të komunës Rrethina të qarkut Shkodër, votimi filloi në orën 7.00 të mëngjesit dhe u mbyll në orën 19.00 sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor.

Sipas KQZ-së, zgjedhjet u zhvilluan të qeta dhe pa incidente.

Pjesëmarrja në votime ka qenë si më poshtë: Në komunën Rrethina, qarku Shkodër, kanë marrë pjesë në votime 5722 (34%) zgjedhës nga të cilët 2149 kanë qenë femra.

Sipas KQZ-së, në komunën Dardhas, qarku Korçë, kanë marrë pjesë 1539 (59.67%) zgjedhës nga të cilët 786 kanë qenë femra.  “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të KQZ, ka përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme në Vendet ku do të bëhet numërimi i votave.

Konkretisht përveç bazës ligjore, në dy VNV-të, në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në Shkodër dhe shkollën 9-vjeçare Dardhas, janë vendosur kamerat që do të regjistrojnë dhe shfaqin fletët e votimit të cilat do të rrisin transparencën e procesit dhe integritetin e zgjedhjeve të pjesshme.

Sipas informacioneve të inspektorëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  KZAZ-ja  nr.73 disponon emrat e anëtarëve të grupit të numërimit të propozuar nga partitë politike pjesëmarrëse në proces dhe po kryejnë procedurat e emërimit të tyre”, – deklaroi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

 

 

 

Zgjedhjet e pjesshme, votim familjar dhe grushte mes militantëve në Dardhas

Fillimisht u raportua për 3 raste të votimit familjarë në Dardhas, teksa më vonë militantët u përplasën fizikisht për arsye të bindjeve politike jashtë QV, po në këtë Komunë.

Në këto zgjedhje, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim garojnë së bashku në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE), ndërsa Partia Demokratike garon e vetme.

Zgjedhjet në këto dy komuna, po mbahen pas vendimit të Këshillit të Ministrave, disa muaj më parë, për shkarkimin e kryetarëve aktualë, për shkak të kryerjes së veprave penale.

Në komunën Rrethina të qarkut Shkodër, Partia Demokratike garon me kandidatin Ridvan Guri, ndërsa socialistët me kandidatin Luan Harusha, i mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në komunën Dardhas të qarkut të Korçës përballen kandidatët Gentian Pere i Partisë Demokratike dhe Genci Hamollari, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i mbështetur nga Partia Socialiste.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency