Pas përdorimit të gazit helumes dhe vdekjes së qindra njerëzve në Siri, duket se koha e negociatave ka marrë fund. SHBA thotë se është kaluar vija e kuqe dhe ka tre mundësi ndërhyrjeje ushtarake.
Qindra të vdekur dhe mbi 3 mijë të plagosur, ky është bilanci i luftës vetëm javën e shkuar në në kryeqytetin sirian Damask sipas Mjekëve pa Kufij. Shumë qeveri perëndimore besojnë se Presidenti Assad është përgjegjës për sulmet me armë kimike. Presidenti Obama ka deklaruar para disa muajsh se përdorimi i armëve kimike do të ishte kalimi i vijës së kuqe. Në këtë rast regjimi i Assadit do të përballej me “pasoja serioze”. Pikërisht tani ato janë gjithnjë e më të mundshme. Sipas burimeve pranë autoriteteve të sigurisë amerikane Shtëpia e Bardhë ka diskutuar tre skenare:
1. Zonë ndalim-fluturimi
Një zonë ndalim-fluturimi do të thotë që amerikanët të ndalojnë qarkullimin ajror në një zonë të caktuar. Më pas helikopterët dhe avionët sulmues të ushtrisë siriane nuk duhet të ngrihen në ajër dhe atëherë Assad nuk do të jetë më në gjendje të sulmojë nga ajri rebelët. “Për rebelët do të ishte një ndihme e madhe”, thotë Hans-Joachim Schmidt nga Fondacioni për Studime të Paqes dhe Konflikteve në Hessen.
Sidoqoftë amerikanët duhet të nxjerrin jashtë loje mbrojtjen ajrore siriane, thotë Paul Rogers, ekspert sigurie pranë Oxford Research Group. Kjo do të kushtonte shumë dhe do të ishte e rrezikshme, sepse Rusia ka pajisur Sirinë me një sistem mbrojtës modern. “Nëse rusët furnizojnë, amerikanët do të kenë një problem të vërtetë “, thotë Schmidt. Ai nuk e mendon të mundshëm vendimin e SHBA për vendosjen e një zone ndalim-fluturimi: “Një gjë e tillë do të përfshinte shumë Amerikën në konflikt dhe qeveria amerikane nuk e do një gjë të tillë.” Për aprovimin e një zone ndalim-fluturimi është i nevojshëm edhe një votim unanim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Kina e Rusia nuk do të bëjnë një gjë të tillë.
2. Sulm me raketa
Edhe me sulmet me raketa Kruiz SHBA mund të shkatërrojnë shumë aerodrome ushtarake dhe mund të dobësojnë kapacitet ajrore të Sirisë. “Këto raketa kanë një rreze shkatërrimi prej 20 metrash dhe dhjetë të tilla do të mjaftonin për shkatërrimin e një objektivi”, thotë Rogers. Amerika ka stacionuar në Mesdhe disa shkatërrues dhe nëndetëse, të cilat janë në gatishmëri. Avionët ushtarakë më pas nuk mund të ngrihen më në ajër.
Schmidt nga Fondacioni për Studime të Paqes dhe Konflikteve e shikon ndërhyrjen ushtarake si një opsion të mundshëm. “SHBA nuk do të përfshihet shumë në këtë konflikt. Një ndërhyrje ushtarake do të ishte efektive, por e kufizuar, si një sinjal që të mos përdoren më armë kimike.” Gjithashtu edhe kjo mënyrë e sulmit duhet të marrë aprovimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo është pamundur.
3. Ndihma me armë për rebelët
Zyrtarisht SHBA deri tani nuk ka mbështetur më armë rebelët, por ka dhënë ndihmë mjekësore. Rebëlët marrin armë dhe municione përmes Turqisë dhe Jordanisë, me financime nga Arabia Saudite dhe Emirate të tjera të vogla, shprehet Rogers. Schmidt e shikon me skepticizëm ndihmën konkrete me armë: “Për armët moderne amerikane rebelët duhet të trajnohen në fillim.” Kjo kërkon shumë kohë.
Sidoqoftë një problem për këtë opsion është që radikalët Islamistë të Frontit-Nusrah mund të kthehen në fraksionin më të fortë të rebelëve. Po aq shumë sa amerikanët duan që Assad të iki nga pushteti, edhe të tjerët nuk duan që sistemi modern i mbrojtjes nga raketat të mos bjerë në duart e radikalëve islamikë. “Ekziston frika se situata mund të bëhet akoma më shumë problematike, në rast se në vend të Assadit në pushtet vijnë islamistët”, thtoë Rogers.
… po diplomacia?
Por edhe një ndërhyrje e kujdesshme mbetet një ndërhyrje. Prandaj edhe SHBA është në mëdyshje. “Është e vështirë të parashikohet se cilat mund të jenë pasojat”, thotë eksperti i sigurisë Rogers. Presidenti sirian ka bërë të ditur se në rast të një sulmi e gjithë Lindja e Mesme do të kthehet në “top zjarri”. Irani mund të intesifikojë operacionet me Hezbollahun në Liban kundër Izraelit dhe të mbështesë akoma më shumë talibanët për të dëmtuar sa më shumë amerikanët, thotë Schmidt.
Prandaj ai mbështet një opsion të katërt, që nuk përmendet më në raportimet e mediave: Presioni diplomatik. „Mund të ashpërsohen kërcënimet, por në rast të një sulmi tjetër më armë kimike duhet të ketë reagim dhe më saktësisht me një kundërsulm të vërtetë.“ Sidoqoftë Schmidt thotë se ka mjaftueshëm prova për të nisur një sulm. Kur, si dhe ku nuk është ende e qartë. Ndoshta SHBA është ende në kërkim të aleatëve për këtë sulm.
Berlini kërkon politikë unike ndaj Sirisë
Pas përdorimit të gazrave helmuese në Siri janë shtuar spekulimet për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake kundër regjimit në këtë vend. Gjermania kërkon reagime të përbashkëta.
Qeveria gjermane është e mendimit se sipas të gjitha gjasave në Siri është përdorur gaz helmues, pohon zëdhënësi i Qeverisë, Steffen Seibert. “Rrethanat, fotografitë, dëshmitarët okularë dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare flasin me një gjuhë shumë të qartë. “Në Siri është bërë një krim i tmerrshëm, fotografitë e viktimave janë tejet shqetësuese. Kjo është një thyerje e tabuve dhe shkelje e rëndë e konventës kundër përdorimit të armëve kimike. Kjo kërkon një përgjigje të qartë të bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Seibert. Sipas tij, kjo nuk mund të mbetet pa pasoja, ndaj kërkohet veprim.
Westerwelle kërkon konseguenca
Edhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle kërkon një qëndrim të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe angazhim politik për t’i dhënë fund dhunës. Në konferencën me ambasadorë në Berlin ai tha se “bllokimi i Këshillit të Sigurimit të OKB paraqet një frustrim”. Ministri i Jashtëm gjerman tha se në rast se konfirmohet përdorimi i armëve kimikë në Siri, bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë. “Gjermania do të jetë në një rast të këtillë në anën e atyre që kërkojnë konseguenca”.
Westerwelle megjithatë nënvizoi se një ndërhyrje ushtarake mund të jetë vetëm e përbashkët. Një zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme theksoi se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare është që të ketë një reagim unik. Nëse nuk ka një reagim të këtillë, do të krijohej një gjendje e re, për të cilën në këtë moment Qeveria gjermane nuk do të spekulojë.
Wall Street Journal: Problemi është Assadi
Qëllimi i ndërhyrjes amerikane në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë ndryshimi i regjimit në Damask. Të hënën, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë deklaratën më të qartë deri më tash, se SHBA beson se Siria ka përdorur armët kimike, dhe ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë janë duke pëshpëritur se presidenti Obama është duke lëvizur drejt përgjigjes me sulme ushtarake. Pyetja tani është nëse kjo do ta bëjë Perëndimin të ndjehet më mirë apo do të jetë një ndërhyrje me forcë të mjaftueshme për ta rrëzuar Bashar al-Assadin.
Këtë dilemë shtron në fillim të artikullit gazeta Wall Street Journal. Sipas saj, përgjigjja më e keqe do të ishte hedhja e disa raketave nga deti. Ato do të vrisnin disa sirianë, përfshirë civilë, por vështirë se do të arrinin qëllimin strategjik apo civil. Assadi dhë mbështetësit e tij në Teheran do ta merrnin si një gjest të destinuar kryesisht për të përmbushur premtimin e Obamës, se përdorimi i armëve kimike ka pasoja. Assadi nuk do të ndalonte vrasjet, shkruan gazeta.
Më serioze do të ishte fushata e bombardimit dhe bastisjet e forcave speciale, për të shkatërruar ose kapur stoqet e armëve kimike në Siri. Kjo është një objektivë e rëndësishme ushtarake dhe antiterroriste. Nëse regjimi ka përdorur armë kimike, atëherë Assadi u është bashkuar preferencave të Saddamit dhe Hitlerit.
Stoqet e armëve kimike në Siri besohet se janë të gjera, por askush nuk duhet të besojë se ato do të qëndrojnë të mbyllura në atë vend. Ato mund të përdoren eventualisht edhe kundër amerikanëve. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe bota e civilizuar nuk bëjnë asgjë, presidenti do të dalë joserioz dhe do të nxiste despotët e tjerë të përdorin armë kimike në të ardhmen.
Megjithatë, askush nuk duhet të mendojë se një sulm kirurgjik ose “proporcional” do t’i jepte fund konfliktit. Sipas gazetës, problemi është se ai nuk merret me burimin, e që është regjimi i Assadit, i mbështetur nga armët e Rusisë dhe të Iranit. Ai e di se pas 30 mujash masakra nuk mund të ndajë pushtetin dhe të mbijetojë. Duhet të mposhtë rebelët ose të tjerët.
Një analogji e dobishme është Sllobodan Millosheviqi dhe Ballkani në vitet 1990, shruan Wall Street Journal. Lideri serb ka dashur të dominojë rajonin dhe të spastrojë grupet e tjera etnike. Midis përparimeve të Serbisë dhe spastrimit etnik në Kosovë më 1999, Bill Clinton ka nisur fushatën e bombardimeve dhe pas 78 ditësh Millosheviqi ka ndaluar. Pak më shumë se një vjet më vonë, serbët e kanë përmbysur atë.
Clinton ka vepruar pa shkuar në Këshill të Sigurimit, i cili edhe atëherë, sikur edhe tash, është bllokuar nga Rusia. Fushata në Siri mund të jetë më e vështirë se ajo në Kosovë. Damasku ka mbrojtës më të sofistikuar ajror.
Kundërshtarët e aksionit amerikan në Siri kanë argumentuar se ajo është një luftë civile myslimane, pa pasoja për interesat amerikanë. Kjo është gabim, pasi konflikti po përhapet në Irak dhe Liban.
Irani bën përpjekje të ndërtojë një aleancë me bazë shiite, nga Teherani, përmes Irakut dhe Sirisë, deri në Mesdhe, që do ta bënte atë fuqi dominuese rajonale. Nëse Assadi fiton në Siri, Turqia dhe shtetet e Gjirit duhet të përshtaten me dominimin e ri të Iranit, së shpejti të pasur me armë bërthamore. Izraeli do të jetë më i rrethuar se në çdo kohë që nga mesi i viteve 1960. Shtetet e Bashkuara mund ta gjejnë veten të tërhequra në një konflikt më të madh dhe më të kushtueshëm, apo në pozicion më të dobët për të ndihmuar aleatët dhe ruajtur stabilitetin, thuhet në artikull.
Argumenti i fundit i të mos bërit asgjë është se opozita siriane dominohet nga xhihadistët, andaj SHBA nuk do që të fitojë asnjëra palë.
Xhihadistët janë më të fortë seç do të ishin po qe se SHBA-ja do të vepronte dy vjet më parë, por edhe tani ata nuk e dominojnë opozitën. Rebelët e armatosur mirë, të mbështetur nga fuqia ajrore e NATO-s, kanë një shan të mirë për të triumfuar dhe shumica e botës së lirë do t’i ndiqte po qe se udhëheqin Shtetet e Bashkuara.
Problemi i vërtetë në Siri nuk janë armët kimike. Është udhëheqësi që i ka përdorur ato, Bashar al-Assadi. Këtu duhet të përqendrohet reagimi ushtarak, shkruan Wall Street Journal.