Zona 12 / Banorët e 150 familjeve, denoncojë në heshtje: Jetët tona po mbarojnë!

0
45

Reportazh/ Në Elbasan, në zonën ku 10 mijë banorë jetojnë me vdekjen po s’bëjnë zë

 

zona 12“Ecni më poshtë, m’u rrëze mureve të metalurgjisë. Ata janë më në rrezik. Quhet zona 12”, na drejton një mesogrua që shet në një kioskë buzë rruge, sapo merr kthesën për të hyrë në komunën e Bradasheshit, në Elbasan. Të gjithë e dijnë se kjo është zona e rrezikut më të lartë për jetën e njeriut nga ndotja e ish kombinatit. Por, në “zonën 12” askush nuk flet.

Vetë ata nuk e pohojnë këtë, por dijnë se rrojnë me frikën e shfaqjes së kancerit, dhe se fryma ju merret çdo ditë. “Jetët tona po mbarojnë”! – është zëri që munden të nxjerrin. Po ikën që aty ata njëlloj “vdesin”, banesat e tyre janë të palegalizuara.

Në një dyqan, si këto që mbajnë gjitha llojet e mallrave, gjejmë një vajzë të re te të 12-at dhe një grua shtatzënë. Sa ju tregojmë se jemi gazetare pësojnë si trembje,- gruaja, ashtu edhe vajza. Nuk e dijmë pse është gjithë ajo frikë në atë zonë për të folur, sikur nuk mjafton mbytja që pësojnë nga ndotja.

Te gjithëve, pothuaj, të njëjtën pyetje u bëjmë. Kur përpiqemi t’i çlirojmë se nuk do t’jua përmendim emrin, vetëm flisni si është gjendja juaj prej ndotjes  ata sikur ta kenë të kurdisur çastin e duhur, dhe zënë e flasin pa mbarim, se ç’po heqin!

Pra te dyqani thjesht pamë fytyra të pashpresa se do ndryshonte gjë, gati duke na e bërë qëndrimin aty të kotë, dhe në heshtje mund të na thonin kthehuni mbrapsh: ikni!

Nuk e ngacmuam më gjatë pasi gruaja shtatzanë ishte e veshur me të zeza dhe pyetja jonë mbi gjendjen shendetësore e bëri të ulte koken, e të mos na kthente më përgjigje.

E vetmja përgjigje “e vjedhur” mbi ndotjen e rëndë aty është: Kjo është normale, ne mezi marrim frymë. Kjo është e dukshme, pse na pyesni?!

Ato tregojnë se jetojnë në këtë zonë prej vitit ’92. Sapo çlirohet biseda me vazjën e re dhe gruan shtatzanë, duke na thënë se është një orar që era bëhet më mbytese, squfur, sidomos nga mbasditja. Për shtatzënën është më rënde për ta përballuar, e cila në këtë moment nuk flet dot, ul kokën dhe na shmanget me një bisedë në telefon.

gruaj me gelqerePak metra më larg duket si qendra e asaj zone. Një lokal në qendër, një shesh i vogël dhe njerëz të paktë që lëvizin me motorrë apo makina të vjetra, në të rrallë.

Përballë lokalit një çift burrë e grua po punonin në një gropë gelqere të improvizuar në oborr, po mbushnin qeset që siç duket për biznes, shiteshin. Fillimisht hezituan për të folur, pasi para nesh ndonjë punonjës tatimesh i kishte nervozuar për shkak se bënin tregti në oborrin e shtëpisë e mund t’ju ketë kërkuar “letrat” ose lekë siç mbyllen gjitha punët këtu në Shqipëri, kur gjërat janë jashtë ligjit.

Megjithatë gruaja e burri të zhytur duar e këmbë në gëlqere zunë të flasin menjëherë. Burri më shumë, ndërsa gruaja tundte kokën në shenjë miratimi.

Tungjatjetës sonë, burri i shtëpisë Z. K i përgjigjet: “Ja siç na sheh duke ngarkuar gëlqere. Po mbarojmë”! Një tjetër pranë, si duket blerësi i gëlqeres ndërhyn: ‘Për çfarë na pyesni si është gjendja, ja shiheni dhe tjegullat e çatisë janë nxirë këtu. Imagjinoni çfarë bëhet”.

Shtëpia ishte gati në të mbaruar, dy katëshe, dhe në oborr ishin mbjellë ca rrënjë portokalle dhe limonë. Pas tjegullës këto pemë janë dhimbja e dytë që tregojnë, për të parë me sytë tanë se çfarë efekti ka ndotja mbi to, kaq ngjitur me metalurgjikun. Jo shumë metra çatitë e gjata, e gërmadhat e rënda të hekurit e betonit gati ta zinin frymën, që në pamje.

Kjo familje ka ngulur shtëpinë aty prej 15 vitesh, që prej ’97-ës. Janë të lodhur së foluri për gjendjen e tyre. Dhe neve, na rreshtojnë me gazetarët e tjerë të televizioneve apo kush ka qenë aty për të shkruar për to, por në pamundësi për t’ju ndryshuar gjendjen.

Këta banorë kanë dëgjuar se komuna ka lëvizur që të paktën të detyrojë firmën që punon në metalurgjik, “Kurumin”, të vendosë filtra. Por për to asgjë nuk ka ndryshuar. “Natën, natën ndodh çdo gjë. Çohem dhe jam krejtësisht i bllokuar, mezi marr frymë. Nuk mbushem dot me frymë, e kuptoni çfarë ndodh”, thotë burri i “gëlqeres” pa ngritur kokën, e pa lëshuar thasët, duke e kaluar dorë më dorë tek gruaja- kjo si duket është jetesa e tyre, pasi janë kthyer nga emigracioni. Gruaja na shoqëron për të na treguar bahçen deri te pemët që janë prekur nga ndotja. Ashtu me duart të mbulur me gëlqere, ajo na tregon gjethet e frutin e prishur, me një ndjesi si për shëndetin e saj.

Burri ka sërish energji për të na folur e për të na bindur sa keq, dhe sa në fund jetojnë aty: “Këtu njerëzit bëhen me kancer, sëmuren e nuk gjejnë shërim nga ndotja.Ne mbaruam!”

Biseda në këtë oborr shtëpia, ku u mblodhën nja gjashtë a shtatë vetë mënjeherë shkoi më gjatë, se sa për ndotjen. Filluam të flasim për frikën dhe lirinë për të folur. Gruaja sheh nga burri, dhe nis thotë se “kanë ardh televizionet, dhe asnjëherë nuk e kemi mbyllur gojën, ta shohin, ta dijnë se çfarë po heqim”. Ndërsa dy tre të tjerë zënë bisedën se mungesa e lirisë, dhe frika për të folur për hallet, e problemet vazhdojnë akoma ta mbajnë peng shoqërinë, e hallin e tyre. Në rastin konkret më tepër zhgënjyese pasi deri tani sipas tyre, “të fortët”, ata që shkaktojnë ndotjen mbeten të padukshëm përballë ligjeve, dhe jetës së njerëzve në atë zonë.

“Ju gazetarët i dini gjërat më mirë se ne këtu, që po vdesim nga ndotja. Edhe pse ngremë zërin, po s’u ndje njeri vazhdon kjo gjendje”, rikthen bisedën gruaja duke na shoqëruar drejt bahçes, te pemët që po “vdesin” nga ndotja.

Ajo ka turp të dalë në fotografi, ndaj vetëm i mjafton të na tregojë gjurmët e zeza. Duke u larguar nga kjo shtëpi i vetmi urim, edhe pse gati i pakuptimtë në ironi, është: të kenë shendetin!

 V.Murati/G.Saliu/F.Drizari