Rama: Territori në gjendje emergjence si në ’92, model të ri për qeverisjen urbane

0
145

Gëzim Saliu

Kreu i PS: Duhet të kalojmë në plane rajonale, s’mund të bëjmë më plane si piktura në letër

 

Rama duke folur ne konferenceTerritori i vendit ndodhet në një gjendje emergjente dhe për ndryshimin e saj është e domosdoshme marrja e masave të jashtëzakonshme. Kështu deklaroi dje kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama në punimet e Konferencës dy ditore “Shqipëria, gjenerata tjetër”, duke theksuar se vendi është duke vuajtur nga mospasja e një modeli zhvillimi. “Ne jemi ne kushtet e një emergjence kombëtare dhe jemi të vendosur që gjendjen jashtë kontrollit ne territorin e endit ta trajtojmë dhe përballojmë si gjendje te jashtëzakonshme. Ne kemi sfidën e një transformimi te madh social që nis me ato dhjetëra familje që janë afruar drejt qyteteve. Duhet të mbyllet epoka ku paratë e shqiptarëve u shfrytëzuan kuturu, planet dhe zhvillimet ne qytete u bene kuturu dhe duhet të hapet një epokë e re kur një model i zhvilluar në funksion të cilësisë së saj të zërë vend sa më shpejt. Ndaj ne do të ndryshojmë modelin e qeverisjes së territorit. Nga sot hymë në rrugën e alternativës që ne kemi propozuar dhe votuar pasivisht për shqiptarë, që për nga ndryshimi është i krahasueshëm me ndryshimin e vitit 199”,u shpreh Rama.

Urbanizimi

Për kryesocialistin Rama, arsyeja kryesore e gjendjes aktuale të territorit të vendit mbetet  hendeku mes ligjërimeve ne letër dhe asaj që çdo shqiptar jeton në realitet. Sipas tij është e rëndësishme një qasje e re ndaj territorit, duke vendosur piketat për drejtimin e vendit. “Ne besojmë se një qasje e re ndaj territorit është e domosdoshme për të bërë një qasje të re ndaj problemeve ekonomike dhe sociale. Ne besojmë se sot vendi ka rënë pre e një zhvillimi kaotik. Jemi të vetëdijshme se pika më e dobët e konstatuar dhe nga KE dhe aleatët dhe partnerët tanë është hendeku ne rritje mes asaj që ligjërojmë në letër dhe asaj që jetojmë në realitet. Sfida nuk është të hartojmë plane të reja, por te vendosim piketat në drejtimin e vendit, ku vizioni, plani dhe jetësimi i planit të jenë bashkërisht te ndërthurur në çdo hap. Në rrugën e ndryshimit jo të kahut politik por të qeverisjes, na duhen që kapacitet ti kthejmë në një instrument pe të ndërtuar një partneritet dhe aleancë shumë të gjerë me çdo force dhe individ jashtë nesh që ka gatishmërinë për tu bashkuar në këtë përpjekje”, tha Rama. Po ashtu një tjetër arsye sipas tij e falimentimit të planeve të territorit është se ato janë zhvilluar në kundërshtim me tendencën e zhvillimit social në Shqipëri, nisur që nga ndryshimet demografike të mëdha. “Të ashtuquajturat plane rregulluese kanë rezultuar tërësisht të padobishme për këta që janë stabilizuar rreth e qark qyteteve. Komunat kufitare janë kthyer nga territore të zhvillimit rural në sheshe ndërtimi për banesa e vetëm banesa. Pra, ne duhet të kalojmë në plane rajonale. Një nga gjërat që duam të bëjmë është që ta vëmë shtetin nga një ndjekës impotent të zhvillimeve, në drejtues”. Në këtë kontekst, kreu socialist pohoi se një ndër nismat që pritet të ndërmerret  do të jetë edhe ndryshimi i modelit të qeverisjes së territorit. “Për këtë arsye ne do të përfshijmë në qeverisjen e territorit kapacitete që na ofrohen nga jashtë vendit. Një nga gjërat që ne duam të bëjmë është ta vëmë qeverinë e vendit nga pozitat e ndjekësit të zhvillimeve, e ndjekësit impotent të zhvillimeve, siç ka qenë deri më sot, në pozitat e udhëheqësit të zhvillimeve. Duhet të shkrijmë kufijtë e vendosur mes sektorëve, kufijtë e vendosur mes administratave dhe duhet të ndërtojmë një qasje të integruar”, nënvizoi Rama.

 

 

Zv/kryeministri i ardhshëm

Peleshi: Mos përsërisim gabimet e së shkuarës

Zv/kryeministri i ardhshëm Niko Peleshi theksoi se me rëndësi parësore për qeverisjen e ardhshme në kuadër të territorit do të jetë mos përsëritja e gabime të së shkuarës. “Mu duk interesant diskutimi që kishte të bënte me qasje të ndryshme që kemi ndjekur deri tani. Nëse kemi prodhuar strategji të ndryshme zhvillimi ne ja kemi nisur nga fillimi dhe nuk kemi ndjekur një strategji të caktuar, kjo është një nisje e re, dhe nuk duhet të bëjmë gabimet e së shkuarës. Të ndërtojmë një qasje historike që do përkojë dhe me fundin e tranzicionit shqiptar. Sot vetëm fillimi , po marrim imputet dhe në të ardhmen jo vetëm si qeveri, por dhe si shoqëri do ndërtojmë rrugën e se ardhmes”, u shpreh Peleshi.

 

Ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizimit

Gjermeni: Do marrim modelet më të mira të rajonit, ekspertiza e huaj mbështetëse në këtë proces

Ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në qeverinë e majtë Eglantina Gjermeni deklaroi dje në konferencën për territorin se ekspertiza ndërkombëtare do të jetë një përqasje e vazhdueshme, duke marrë modelet më të mira të rajonit. “Kjo do të jetë jo vetëm në procesin e hartimit të këtij plani kombëtar, por sigurisht edhe në zbatimin, pa harruar këtu edhe ekspertizën e huaj dhe donatorët dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vërtet kanë kontribuar deri tani dhe do të jenë mbështetës në të gjithë këtë proces”, tha Gjermeni.

 

Reagimet e të djathtëve

Bogdani: Kryesocialisti mos merret me shpikje, të japë llogari për premtimet elektorale

Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka reaguar dje pas ditës së parë të konferencës së Partisë së Partisë Socialiste mbi territorin, duke theksuar se kryesocialisti Rama duhet të përballet me premtimet elektorale që ju ka bërë qytetarëve dhe jo me temat e diskutuara në konferencë, të cilat i cilësoi si shpikje në fund të gushtit. “Lypset t’i kujtojmë se fushata zgjedhore ka mbaruar dhe se këto idetë e tij të reja dhe zbulimi që po i bën botës janë të pavend, në mos qesharake. Kryesocialisti premtoi shëndetësi falas, premtoi heqje të taksës së biznesit të vogël, legalizim falas, dhe ulje të taksës për 95% të shqiptarëve. Njerëzit me të drejtë presin zhvillimin e këtyre ideve e të këtij programi, dhe jo zbulesat e mëdha të z.Rama. Premtimet elektorale janë marrëveshja që ai ka me qytetarët, dhe ai do të duhet të përballet me këto sfida. Nuk mund ta marrë lehtë me shpikje të fund-gushtit. Qeverisja kërkon seriozitet, dhe kjo nis nga mbajtja e premtimeve”, shkruante Bogdani në rrjetin social facebook. Sipas deputetit demokrat, kreu socialist po tregon se mbetet në kaos sa i parkete ideve të tij për zhvillimin e vendit. “Habit të madh e të vogël kur pasi shpalli se Shqipërisë i duhen redaktorët e shqipes për të ecur përpara, tani ka zbuluar se në këtë drejtim nevojiten dhe artistët e sociologët. Këto janë thjesht bojëra për të mbuluar tablonë e tij të vërtetë, se ai ka ardhur në pushtet për të qeverisur të mirat dhe përfitimet me grupimet e tij dhe biznesmenët që e ndihmuan të vijë në pushtet”, theksoi Bogdani.

 

Olldashi: Rama qesharak, nuk ka ende asnjë plan konkret për territorin

Ministri aktual i Transporteve, deputeti i PD-së, Sokol Olldashi akuzoi dje kreun e PS-së Edi Rama për mos ekzistencën ende të një plani për territorin dhe zhvillimin e vendit. Sipas tij, edhe pse duhen pak ditë që Rama të marrë postin e kryeministrit të vendit, mungon ende një plan konkret nga ana e tij për urbanizimin.  “Pashë takimin e Ramës për zhvillimin e territorit. Pyetja që vetiu mund të bëjë gjithkush në këtë moment është: A ka një plan ky njeri, apo po improvizon projekte. Kjo është qesharake! Për pak ditë do të jetë kryeministër i vendit dhe ende nuk ka të qartë se çfarë do të bëjë, si do e bëjë dhe sa do t’i kushtojë. Nuk mundet që të vazhdojë të bëjë show me gjoja konsultime ekspertësh si këto që po bën së fundmi. Thjesht tregon që nuk ka asnjë projekt konkret. Është për të ardhur keq!”, shkruante Olldashi.

 

Tabaku: Rama, një reflektim pa mea culpa

Nënkryetarja e Bashkisë, deputetja e PD-së Jorida Tabaku e ka cilësuar një reflektim pa mea culpa, deklaratat e kryesocialistit Rama në konferencën e organizuar nga Partia Socialiste, “Shqipëria e gjeneratës së re”.  “Reflektim pa mea culpa! Kush e la Tiranën pa plan për 11 vite? Kush e betonizoi atë?”, shkruante Tabaku në Facebook.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency