Mbërrijnë në Tiranë 20 mijë fletët e votimit, KQZ 4 ditë para testit të dytë me gjysmën e anëtarëve

0
31

Florenc Drizari

Për fletët e votimit, Drilona Hoxhaj:  U zbatuan procedurat e prokurimit sipas kritereve ligjore

 

Dje-gjatë-mbledhjes-së-KQZ-300x201Mbërrijnë në Tiranë 20 mijë fletët e votimit që do të përdoren për zgjedhjet e pjesshme  të datës 1 shtator 2013-të. Këto zgjedhje do të zhvillohen dy komuna të vendit, në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës. Zhvillimi i zgjedhjeve të pjesshme vendore, bëhet për shkak se Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimet e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e dy kryetarëve të komunave.

Por edhe pse zgjedhjet e datës 1 shtator janë të lokalizuara në dy komuna të vendit, ato të t’i nënshtrohen të gjitha procedurave që ndiqen për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, siç ishin ato për Kuvendin e Shqipërisë të mbajtur dy muaj më parë.

Përpos kësaj, edhe pse me katër anëtarë, KQZ prite ta ketë më të lehtë menaxhimin e këtyre zgjedhjeve të pjesshme vendore, kjo për faktin se nuk kanë kaluar shumë kohë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013, zgjedhje të cilat u administruan nga anëtarët e propozuar nga koalicioni i djathtë.

KQZ PËR FLETËT E VOTIMIT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaroi një ditë më parë se për këto zgjedhje ku do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës shtetasit shqiptarë të Komunës Dardhas dhe Komunës Rrethinat, u përdor, për aq sa ishte e mundur baza logjistike e mbetur nga zgjedhjet e datës 23 qershor 2013.

Fleta e votimit, për nga vetë përmbajtja e saj, është ndër të paktat materiale zgjedhore, që u  prodhua specifikisht për këto zgjedhje.

Në sqarim edhe të disa publikimeve në media për modelin e fletës së votimit dhe procedurat e zhvilluara për tenderimin e saj, një ditë më parë zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fillimisht miratoi specifikimet teknike të fletës së votimit,  në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor, si  dhe përmbajtjen e këtyre fletëve.

“Për prodhimin e 20.000 fletëve të votimit që do të përdoren për këto zgjedhje, me fondin limit prej 200.000 lekësh pa TVSH, u zbatuan rigorozisht procedurat e prokurimit sipas kritereve ligjore, publikuar  në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik më datë 12 gusht 2013.

Ligji i prokurimit publik, ashtu si çdo ligj tjetër, ka në themel të tij parimin e barazisë, çka do të thotë që asnjë kompani nuk mund të përjashtohet apriori nga e drejta e konkurrimit.

Por janë kriteret e tjera ligjore, përmbushja apo respektimi i të cilave, përcakton faktin e kualifikimit apo jo të kompanive pjesëmarrëse në procedurë.

sipas dokumentacionit të paraqitur, kjo shoqëri nuk mund të prodhonte fletët e votimit sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor me letër watermark dhe bar kod me numër serial progresiv, kriter i domosdoshëm ky për fletën e votimit, mospërmbushja e të cilit çoi në anullimin e kësaj procedurë prokurimi (për më tepër çdokush që ka interes mund të informohet hollësisht në www.app.gov.al).

Në këto rrethana KQZ, iu drejtua shoqërisë sllovene Cetis D.D. e cila mori përsipër të prodhojë fletët e votimit në përputhje me specifikimet teknike të kërkuara, kompani e cila ka prodhuar dhe fletët e votimit të datës 23 qershor 2013”- deklaroi zëdhënësja e KQZ-së.

 

 

 

 

“Kisha e Përmetit”, përplas sërish Ministrinë e Jashtme greke me atë shqiptare

Athina: Shqipëria të respektojë pakicat. Tirana: Jemi model, mund t’u japim leksione

Florenc Drizari

Athina zyrtare duket se nuk e ka harruar konfliktin e ndodhur disa ditë më parë mes zyrës së përmbarimit në Përmet dhe disa besimtarëve ortodoksë.

Dy ditë më parë zv. Ministri i Jashtëm grek deklaron në një të përditshme, duke i kujtuar shtetit shqiptar se harmonia fetare përbën një nga kushtet për integrimin në BE. Ndërkohë që nuk vonoi edhe përgjigja Tiranës zyrtare, ku harmonia fetare në Shqipëri evidentohet si shembull për t’u ndjekur .

ZV/MINISTRI GREK, DIMITRIS KURKULAS

Në një intervistë për gazetën “Elefterotipia”, zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Kurkulas, duke iu referuar Shqipërisë, se “Hyrja në familjen evropiane kërkon respekt për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre”.

I pyetur nga gazetari se “si do të ndikojnë incidentet e fundit të dhunshme në Përmet në kursin evropian të Shqipërisë”, diplomati grek deklaron: “Çfarë është e vërtetë për vendet e tjera, vlen edhe për Shqipërinë. Hyrja në familjen evropiane kërkon harmonizim me frymën e normave evropiane. Kjo përfshin respektin për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre. Respekti për parimet e kulturës evropiane është parakusht ligjor i nënkuptuar”.

Ai thekson se ngjarje të tilla si incidentet e fundit në Përmet janë të papranueshme. “Ne duam të thellojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë dhe besoj se kjo është edhe dëshira e palës shqiptare”, deklaron zyrtari duke shprehur shpresën se “pala shqiptare do të jetë në gjendje për të izoluar ata që minojë marrëdhëniet dypalëshe”.

Ndërsa i pyetur për politikat që do ndjekë Greqia në krye të presidencës së BE gjatë 6 muajve të parë të 2014, zëvendësministri siguron se “Greqia tradicionale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor” dhe vijon duke thënë se “po zhvillohet një proces i vazhdueshëm për harmonizimin gradual të politikave dhe institucioneve të Ballkanit Perëndimor me kërkesat evropiane”.

ZV/MINISTRI SHQIPTAR, ÇOLLAKU

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Kreshnik Çollaku, reagoi mbi deklarimin e homologut të tij grek, Dimitris Kurkulas, se pretendimet e tij janë krejtësisht të pabazuara, pasi në çdo plan historik, siç thekson ai, “shqiptarët mbahen si model i tolerancës fetare”.

“I pabazë pretendimi i zv-ministrit të jashtëm grek, për respektimin e komuniteteve fetare në Shqipëri. Në çdo plan historik apo aktual, individual apo shtetëror, shqiptarët dhe Shqipëria kanë qenë e janë model i harmonisë e tolerancës ndërfetare…Në këtë plan, Shqipëria mund t’u japë leksione harmonie e bashkëjetese fetare shumë vendeve të BE dhe ndër me të parëve Greqisë…”, shkruan Collaku në rrjetin social, “Facebook”.

 

 

Zëdhënësi i ortodoksëve: Kristo Frashëri, Xhufi, etj. mllef ndaj nesh. Ja e vërteta e kishës

Zëdhënësi i Kishës Ortodokse, Thoma Dhima, ka akuzuar Kristo Frashërin, Pëllumb Xhufin, Mentor Nazarkon etj. për deklaratat e tyre në lidhje me Kishën Ortodokse në Përmet. Sipas tij, ata janë të mllefosur ndaj ortodoksëve, për shkak të formimit të tyre komunist.

Më pas ai ka paraqitur një foto, duke thënë se nuk është e vërtetë që Kisha Ortodokse ka pasur vetëm 25 metra katrorë nga prona ku është ndërtuar Pallati i Kulturës. Ai thotë se jo vetëm prona ku është ndërtuar Pallati i Kulturës i përkiste kishës, por edhe oborri.

“1956. Kjo foto tregon më mire se çdo gënjeshtër Profesorësh, se kisha në Përmet nuk ishte “vetëm 25 m2″. Madje, edhe gjithë bahçja që e rrethon i përkiste kishës. Kemi të bëjmë me një mashtrim të përsëritur e të ripërsëritur me ndërgjegje të plotë, për të dëmtuar komunitetin ortodoks. Është pikërisht vendi ku u ngrit Pallati i Kulturës komuniste, me lulishten që e rrethon. Mjafton të shkohet të gërmohen muret në sallën kryesore, për të zbuluar muret e mbetura të kishës, por këtë askush nuk ka interes që ta bëjë… Se si do t’i shajnë ortodoksët pastaj?!”, -shprehet Thoma Dhima.

 

 

Ditëlindja e Nënë Terezës, Berisha dhe Topalli vlerësojnë figurën e nobelistes

Kryeministri Berisha dhe Kryetarja aktuale e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, rikujtuan përvjetorin e lindjes së Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiu), duke vlerësuar figurën e saj dhe veprën që la pas. Me anë të një komenti në “Facebook”, Berisha rikujton takimin e parë me nobelisten shqiptare në vitin 1993, vit në të cilin Shqipërinë e vizitoi edhe Papën Gjon Palin i II-të.

BERISHA

“Sot (dje) është ditëlindja e shqiptares me të famshme të të gjitha kohërave, gruas më të njohur të shekullit të saj, nobelistes Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza e Kalkutës. Kjo ditë, për në shqiptarët dhe mbarë njerëzit e qytetëruar, është ditë mirënjohje ndaj asaj që u shenjtërua për se gjalli me titullin Nënë e mbarë njerëzimit.

Për Nënë Terezën 25 prilli i viti 1993, siç do të shprehej ajo vet, ishte dita më e lumtur e jetës së saj, sepse ne së bashku pritëm në dheun tonë Papën Gjon Palin e II në vizitën e tij të parë historike në Shqipëri dhe Ballkan. Nderim të madh Nënë Terezës, bijës se kombit tone qe si shqiptare na dha nder me shume se kushdo tjetër dhe te urojme qe Papa Francesco te shpejtoje shenjtërimin e saj. Nene Tereza u nda nga jeta shenjtore e mbare njerëzimit!”, – shkruan Berisha në “Facebook”.

TOPALLI

Ndërkaq, kryeparlamentarja Topalli tha se në këtë përvjetor, “ne shqiptarët përkulemi me nderim e krenari për gruan më të madhe në botë NËNË TEREZËN! Misionarja e dhembshurisë, e dashurisë së pakushtëzuar, e përkushtimit për të sëmurët, për njerëzit në nevojë, për të margjinalizuarit, për të braktisurit, të vetmuarit …..nuk mohoi kurrë kombësinë e saj shqiptare. Janë lapidare fjalët e saj:“Me gjak jam shqiptare, me qytetari indiane, nga besimi jam murgeshë katolike, me shpirt i përkas botës..” edhe pse regjimi i vendit të saj për 50 vite, nuk e lejoi të hynte në Shqipëri, nuk e lejoi që të shihte nënën e saj, e motrën e saj… Të dashur miq! Si shoqëri, secili prej nesh ka nevojë të besojë tek vlerat universale; dhe atëherë, do jemi më të mirë, më të vërtetë!”, – shkruan Topalli në “Facebook”.

Nënë Tereza, (ose siç njihet me emrin e saj të vërtetë Gonxhe Bojaxhiu) lindi në Shkup, të Shqipërisë te pushtuar prej Perandorisë osmane, më datë 26 gusht 1910 dhe ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme.