Ekspertët e huaj: Piramida të kthehet në zonë rrëshqitëse, vila e Enverit si eksperiment politik

0
50

 Gëzim Saliu

“Pjesa e brendshme e piramidës të përdoret për leksione. Vila e ish-diktatorit Hoxha, vend ku filozofët të bëjnë studim tre mujor, me idenë e dhënies së ideve specifike”

Ekspertët ndërkombëtare: Publiku të jetë pjesë e hartimit të planit, moratoriumit të bregdetit shqiptar

 

ekspertet tek piramidaPër ekspertët ndërkombëtarë është e domosdoshme që e kaluara kulturore e Shqipërisë të mos fshihet, por të rinovohet në funksion të rritjes së turizmit. Kështu u shprehën dje ekspertët e ftuar nga Partia Socialiste në konferencën e zhvilluar për zhvillimin urban, duke dhënë idetë e tyre edhe për disa nga objektet kryesore të së kaluarës historike, që ndodhen aktualisht në Tiranë. Sipas tyre, piramida në qendër të kryeqytetit, e cila ka qenë pjesë e debatit politik mes të djathtës dhe të majtëve, duhet të rikonstruktohet. Ekspertët theksuan se një ndër idetë mund të jetë edhe ajo që pjesa e jashtme e piramidës të kthehet në një zonë rrëshqitëse për fëmijët. “Nuk është e nevojshme të fshihet e kaluara kulturore, por të rinovohen vlerat kulturore. Piramida për vizitorët që vijnë në Tiranë është ndër pikat kryesore. Ajo jashtë ka vlera, por brenda është e pasuksesshme. Ne sugjerojmë që të përfundohet pjesa e jashtme dhe te kthehet në një zonë ku mund të rrëshqasin fëmijët dhe pjesa e brendshme të hapet dhe te bëhet një, ku mund të ketë performanca dhe leksione”, u shpreh një ndër arkitektët pjesëmarrës në konferencën e PS-së. Ndërkohë një tjetër arkitekt dha idenë e tij lidhur me vilën e ish-diktatorit Hoxha në zonën e ish-bllokut, ku propozoi që ajo të kthehet në një eksperiment politik.  “Ne menduam si eksperiment politik, ku inovatorët ose filozofët e ardhshëm të bënin studim tre mujor me idenë e dhënies së ideve specifike”, tha ai.

Idetë e ekspertëve

Ekspertët ndërkombëtarë dhanë dje idetë e propozimet e tyre lidhur me zhvillimin e vendit, kryesisht në  aspektin territorial. Ata u përqendruan në çështje si hartimi i planeve të zhvillimit rajonal dhe turizmit, duke theksuar se ky plan nuk duhet të niset nga zero, por nga ekspertiza e pushtetit vendor. Një nga eskpertët pohoi se është shumë e rëndësishme përfshirja e publikut në hartimin e planeve të zhillimit rajonal, ç’ka, sipas tij, është shumë e rëndësishme. “Duhen marrë parasysh ndryshimet nga rajoni në rajon dhe të lejohen rajonet që të zhvillohen edhe në mënyrë të caktuar në fusha të ndryshme si turizmi, bujqësi, pyjet, etj, pra një kombinim i të gjitha këtyre, në mënyrë që Shqipëria të jetë një mozaik rajonesh me identitet të fortë dhe secili me strategjinë e tyre socio-ekonomike”, theksoi ai. Më tej, eksperti theksoi se plani kombëtar duhet të hartohet me anë të një qasjeje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë nivelet e ndryshme të shoqërisë me anë të një procesi konsultimi. Ndërsa një tjetër ekspert duke u mbështeture tek propozimet për turizmin, nënvizoi rëndësinë e moratoriumit të bregdetit shqiptar. “Një nga veprimet e para që duhet të ndërmarrë është ai i pastrimit. Nëse Shqipëria i tregon botës se ka një bregdet të pastër, plazhet të bukura, vetëm me një veprim të tillë i ka maksimizuar asetet e saj”, tha ai. Në këtë kontekst, ekspertët e huaj kërkuan fillimin e pastrimit të ujërave dhe ambientit dhe mos ndërtimin e rrugëve në bregdet, sepse ato sipas tyre ndikojnë në shkatërrimin e tij. Ekspertët propozuan që qarkullimi mes fshatrave bregdetare të bëhet me anije. “Sa më shumë rrugë të ndërtohen, aq më shumë do të rrezikohet bregdeti. Nëse njerëzit do shkojnë në bregdet me rrugë, aq më shumë do ta keqpërdorin. Psh, në Kroaci, në shumë fshatra shkohet me anije dhe kjo është më e mira. Kemi dëgjuar për një sistem kombëtar të rojtarëve të pyllit, që kontrollojnë atë që ndërtohet aty dhe një listë detyrash për vijën bregdetare, pjesë e një moratoriumi që ndalon ndërtimet, sidomos industriale në bregdet, përfshirë edhe lumenjtë që derdhin ujërat në det. Gjithashtu, politika që plazhet mund të jenë të hapura për gjithkënd, vlen por do nisur nga pastrimi, veçanërisht pastrimi i ujërave.”, tha përfaqësuesi i grupit të ekspertëve ndërkombëtarë për bregdetin. Sot do të zhvillohet dita e dytë e punimeve të  konferencës “Shqipëria Gjenerata tjetër”, e cila do të përqendrohet në problematikat ekonomike që ndeshet vendi, ku pritet që ekspertët të paraqesin propozimet e tyre lidhur me modelin ekonomik.

 

 

Turi i ekspertëve ndërkombëtarë në Tiranë e Durrës

Në kuadër të konferencës me titull, “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, e organizuar nga Partia Socialiste, janë ftuar në vend  50 arkitektë, planifikues urbanë dhe ekonomistë nga e gjithë bota për të dhënë idetë e propozimet e tyre lidhur me çështjet e zhvillimit urban dhe modelin ekonomik. Për dy ditë arkitektët dhe urbanistët e ftuar nga Partia Socialiste u shoqëruan në një tur njohës nëpër Shqipëri.  Të shoqëruar nga ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, si dhe arkitektë e specialistë të fushës së urbanistikës dhe trashëgimisë kulturore, 50 pjesëmarrësit në këtë konferencë zhvilluan një tur vizitash në disa nga pikat më të rëndësishme me interes arkitekturor dhe historik të kryeqytetit. Ata janë njohur me historikun e këtyre ndërtimeve e bashkë me to edhe të historikun e zhvillimit urbanistik të Tiranës. Ata u ndalën tek Piramida, apo Pallati i Brigadave më pas edhe në disa nga zonat informale, si në Paskuqan, Kamëz dhe zonën e ish-Kënetës në Durrës. Në ditën e dytë të turit njohës nëpër Shqipëri, arkitektët dhe urbanistët e ftuar nga PS u ndalën në disa nga zonat informale si në Paskuqan, Kamëz dhe zonën e ish-kënetës në Durrës si edhe në amfiteatrin antik të këtij qyteti.

 

 

Debati PD-PS për piramidën, përballja Berisha-Rama

Qendra kulturore “Pjetër Arbnori”, e njohur si piramida, ka qenë një ndër temat më të ndezura të debatit politik mes mazhorancës dhe opozitës aktuale. Mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Berisha vendosi në vitin 2010 prishjen e piramidës dhe ndërtimin në truallin e saj të kompleksit të ri parlamentar. Ky vendim solli kundërshtinë e hapur të opozitës së kryesuar nga Rama si edhe të disa shoqatave në mbrojtje të objekteve kulturore. Për mazhorancën e djathtë, piramida ishte një objekt që lidhte vendin me kohën e regjimit dhe si e tillë ajo duhej prishur për ndërtimin e “tempullit të demokracisë” siç cilësohej parlamenti që do ndërtohej në këtë zonë. Çështja e piramidës ka qenë edhe një ndër temat e pakta e cila ka bërë që të ulen së bashku në një tryezë, kreu i PD-së Sali Berisha dhe kryetari i PS-së Edi Rama. Në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, Berisha dhe Rama ishin përballë njëri-tjetrit. Në këtë takim, Berisha, deklaroi në formë të prerë se “nuk mund të ruhej monumenti i Piramidës, sepse ishte i lidhur me Enver Hoxhën”. Ndërkohë nga ana e tij, kryesocialisti Rama megjithëse pranoi ndërtimin e kompleksit vendosi tri kushte për mazhorancën. Kushti i parë i kreut të opozitës ishte mosshembja e Piramidës, i dyti kërkonte ngritjen e një konkursi ndërkombëtar dhe i treti, që qeveria të zgjidhë paralelisht edhe problemin e një televizioni kombëtar si “Top Channel” për mënyrën e sistemimit të tij. Po ashtu pas këtij takimi, Rama këmbënguli për mos prishjen e piramidës, ku si kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e vendimit të qeverisë, kërkesë e cila u hodh poshtë. Pavarësisht se koha tregoi se si kushtet e kryesocialistit ashtu edhe parlamenti ri nuk u bënë realitet,  debati për çështjen e piramidës mbetet një ndër temat më shumë të debatuara mes mazhorancës dhe opozitës aktuale në katër vjeçarin e kaluar, përkatësisht në vitet 2010-011.

 

Kreu i PD-së

Basha: Konferenca fasadë, Rama e ndau tortën e pushtetit për pronat në bregdet

Kreu i PD-së Lulzim Basha e ka cilësuar si një fasadë konferencën e organizuar nga PS për territorin duke theksuar se kreut socialist Rama e ka ndarë tashmë “tortën e pushtetit” për pronat më të çmuara të vendit. “Kryesocialisti ka thirrur disa arkitekte të huaj me të cilët ka punuar e qarkulluar konkurse në Bashki dhe ka përjashtuar në bllok të gjithë ekspertët e mirëfilltë shqiptarë. Dhe ka dy ditë që punohet me dyer të mbyllura për çfarë mendon të bëjë në pjesët më të çmuara të vendit. Sidomos bregdetit. Po ndahet torta në mënyrë okulte. Pushteti lokal është jashtë loje. Në rend të ditës grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë. Po e bën këtë pa asnjë plan e proçes transparent. Konferenca është vetëm fasadë. Pasi pazaret u bënë dje dhe sot. Por gjenerata e re e shqiptarëve nuk mund ta pranojë pazarin me të ardhmen në emër të interesave të së shkuarës”, ka shkruar Basha dy ditë më parë në rrjetin social facebook.