Nuk e preva në besë dashurinë për Havzi Nelën…!

0
479

Intervistoi: Violeta Murati

Intervista/ Për herë të parë flet 25 vjet pas varjes në litar, bashkëshortja e Havzi Nelës, Lavdia

 

Nga dita kur ishte një kërcimtare 15 vjeçare e ndiqej nga pas nga Havzi Nela,vajza e dashuruar nga Shishtaveci, Lavdie Nela bashkëshortja e poetit rrefën për herë të parë arratisjen nga Shqipëria, kapja nga UDB-ja, refuzimi për t’u bërë agjentë, spiunë; rikthimi në atdhe, burgun, peripecitë, internimin, ndalimin në kërcënimin e sigurimit për t’u divorcuar deri në momentin e varjes në litar të poetit, më ’88-ën, dy vite para shembjes së diktaturëss

Lavdia, bashkëshortja e poetit të varur në litar vetëm dy vite para shembjes së diktaturës, intensitetin e pyetjeve në këtë intervistë e përballon në një kaos emocionesh.

Thotë se e ka për herë të parë këtë rrëfim për jetën me Havzi Nelën. S’ka folur kurrë më parë, aq gjatë, edhe pas zërave që e kanë treguar historinë e tyre të dashurisë, por dhe jetën pa pyetur Lavdien, pa ditur të vërtetën e saj. Ajo thotë se askush nuk e di këtë “të vërtetë”, se çfarë ka folur ajo me Havziun, askush përveç asaj. “Kemi qenë të dashuruar, besnikë, të vendosur të dy”, thotë ajo në ditën e 25 vjetorit të ndarjes, në një takim që u organizua nga Ministria e kulturës. Ajo ndan me ne tre momente kulmore të jetës së saj me poetin; kur Havziu u dashurua me kërcimtaren e Shishtavecit, arratisja së bashku nga Shqipëria dhe momenti i fundit, larg njëri tjetrin, ku nuk u lejua asnjë e drejtë letre, apo takimi, Lavdia tregon çastin kur i vjen lajmi në internim për varjen e bashkëshortit të saj. Ajo hedh poshte çdo fjalë se ka pranuar divorcin, që ju sugjerua nga sigurimi. Vazhdimisht kujton fjalën e dhënë: të dy besnikë, të dy të vendosur, të dy të dashuruar! Çfarë mbetet pa thënë nga gjithë historia, si mungesë ndërgjegje, është mosndëshkimi i ekzekutorëve.

 

 

Si u njohet me Havzi Nelën, bashkëshortin tuaj të varur më ’88?

Unë isha në shkollën shtatëvjeçare në Shishtavec. Isha në kulm të moshës, akoma rini. Isha 15 vjeçare. Kurse ai ishte përgjegjës i sallës së kulturës. Për herë të parë u pamë në një eskursion, ku ai binte fizarmonikës, kurse unë kërceja me shoqet. Kam qenë kërcimtare, kam marrë pjesë nëpër festivale, derisa sa u martova. Me shkollën merrnin pjesë në çdo konkurs që bëhej.

Aty ju njohu dhe ju ndoqi nga pas?

Më ka ndjekur nga pas. Po, po më shikonte një vajzë me kulturë, edukatë, të zhvilluar, të bukur, të zgjuar…por ai ishte edhe më i bukur, më i zgjuar, krejtësisht e veçantë kjo anë e tij; ai ka qenë i matur, i mençur i dashur me të gjithë.

Si ndodhi ai momenti kur thuhen fjalët magjike, a ishte pak kohë fanatike atëhere?

Unë nuk isha fare fanatike, as ai nuk ishte i tillë. Sigurisht që kishte vajza me shkollë të lartë atehere që mund t’ja prishnin mendjen, por ai thoshte se vetëm atë vajzë dua, kërcimtaren nga Shishtaveci. Ai ishte nga Kollovozi. Deri atëhere nga Shishtaveci vajzat s’kishin dalë asnjëherë jashtë. Ai më bëri propozimin kur isha me vajzat. Unë nuk e besoja, mendoja se do tallej me mua. Por ai e kishte vendosur: “O vajzën nga Shishtaveci ose nuk martohem”! Ashtu më thoshte. Pastaj erdhi më kërkoi dorën te babai. Unë isha e re, dhe nuk doja në fakt të fejohesha, mirëpo ai nguli këmbë të fejoheshim patjetër, se atëhere ishte dhe në ndjekje nga sigurimi. U fejuam si e ka traditat, zakonet e Shishtavecit – me gjithë të mirat! Pas një viti fejesë, u martuam. Bëmë një dasmë me gjithë të mirat.

Si ishte lidhja juaj, dashuria?

Dashuria…ishte fantastike. Kam emocione tani. Ishte dashuria e parë, si gjithë të rinjtë. Ai ishte pak më i madh se unë, 10 vjet më i madh se unë.

Kur nisi koha e problemeve me shtetin, si mori jeta juaj, si nisën vuajtja për Havzi Nelën?

Me shtetin problemet kishin filluar para se të martohej me mua. Mbaj mend se natën e martesës ka ardhur sigurimi dhe kanë qëndruar përjashta, por nuk dinim gjë. Havziu fliste hapur. Ai thoshte se nuk jetohet kështu në Shqipëri, bota kanë bërë përmirësime, kanë demokraci, kanë liri kurse ne këtu na ndalojnë. Nuk kemi liri.

Nga e dinte Havziu si jetohej jashtë, nga e merrte vesh?

Ai më tregonte e fliste më mua për këto, dhe unë nuk e pyesja shumë nga e dinte. Ai e kuptonte çfarë po ndodhte,  ishte i zgjuar vetë. Ai mbaroi universitetin, vetëm provimet e shtetit i mbetën pa dhënë.

A nuk kishte frikë kur fliste kështu, kaq i lirë?

Jo, unë nuk i tregoja askujt, se më ikte koka mua dhe Havziut.

Përmendet gjithnjë një akt i guximshëm momenti i arratijes tuaj, ju dhe Havziu bashkë-burrë e grua. Si e morët vendimin, pse u detyruat të iknit?

Para se të arratiseshim kemi pasur probleme me shtetin ne. Sepse më 6 shkurt të vitit 1967 Enver Hoxha pati çuar një letër ku thuhej të mblidheshin të gjithë arsimtarët, inteligjenca, në fshatin tim të lindjes, në Shishtavec. U kanë thënë se do bëhej kolektivizimi dhe se do të ndryshonte veshja për të gjitha zonat. Havziu është ngritur dhe ka folur haptas, se rinia nuk duhet të ndrydhet, nuk mund të jepen urdhëra për ndërrimin e veshjes, kur është traditë e trashëgimi nga të parët. Fjala e lirë nuk lejohej…

Aq rebel ka qenë Havziu?

Ai ishte për fjalën e lirë, pse foli ashtu ata i thanë se ishte kundërshtar i Enver Hoxhës. Më pas Këshilli pedagogjik i ka dhënë vërejtje të forta. E kanë thirrur në Komitetin e partisë në Kukës duke i bërë presion pse ishte shprehur në atë mënyrë. Dhe Havziu i është përgjigjur i palëkundur: “unë nuk e ndryshoj mendimin tim”!

Si e kalonit këtë situatë bashkë, brenda mureve të shtëpisë- çfarë flisnit, e diskutonit këtë gjendje? Kjo arsyeja e arratisjes?!

Ai më tregonte çdo gjë, dhe sigurisht flisnim bashkë. Ai nuk e duronte dot këtë gjendje, ndaj më thoshte se një ditë do të dalim, do të arratisemi.  Më thoshtë se nuk do të ikte pa më marrë me vete. Ai e dinte, prandaj mendonte se po të më linte në Shishtavec, do vinte sigurimi, do të më arrestonte, do të vuaja shumë, dhe do më thonin: ja gruaja e Havzi Nelës. Prandaj ai më thoshte, që më mirë të arratiseshim të dy.

Dhe çfarë ishte më e rëndësishmja më thoshte: Ngaqë kam dashuri në ty, dua të arratisemi të dy, të jemi të gjallë ose të vrarë!

Dhe vëretetë morëm rrugën e arratisë të dy bashkë.

Çfarë ndodhi që u kthyet sërish?

Ne arritëm t’ja dalim. U arratisëm. Nuk u kthyem mënjëherë, kemi qëndruar shumë. Kisha letrat më vete, dhe nuk mund t’i merrte njeri. Shkuam në Jugosllavi. Na çuan tek hotel Theranda. Pikërisht në këtë përkujtimore që u bë këtë vit, pata dëshirë të bëja një dokumentar, ku ka qenë nëpër burgje dhe në Therandë, në Prizren. Po nuk patëm lekë, nuk na afroi njeri për këtë.

Çfarë ju ndodhi në Jugosllavi, në arratinë tuaj? Kishit ndonjë gjë të pathënë, që mendonit të thoni në dokumentar?

Thjesht doja të tregoja vendin ku qëndruam, në Prizren. Si na zuri UDB-ja, që shikonim kalanë e Prizrenit, që vinte avioni dhe hidhte fletushka…Kujtoj dhimbjen e madhe që u ndamë nga familja…

Çdo të thotë “na mbajti UDB”-ja, ishit në ndjekje dhe atje?

Pothuaj ishim si në burg, vetëm çelësat kishim. Po në ndjekje sigurisht që ishim. Unë isha motër e vetme e pesë vëllezërve, vajzë e vetme e prindërve të mi…dhe kjo ishte vuajtje e madhe. Kjo më vinte në mendje…

Çfarë ju ndodhi në Prizren, pse ishin ditë të vështira?

Në hotel ku u vendosëm erdhën njerëzit e UDB-së, na morën plaçkat dhe shkrimet.Mua më ra të fikët se ku do të na i çonin. Në Prizren ishin ditë të vështira. Në natën e tretë kanë ardhur në dhomë, na kanë trokitur në mes të natës në derë. Aty e kuptuam se ishin në ndjekje. Në atë moment Havziu më tha: “Ah ç’bëra që të mora me vete, se do të isha hedhur nga kati i tretë dhe nuk do të bija në dorë të kurkujt”! Ai nuk kishte se si të më kalonte mua, dhe të më lëshonte në dorë të serbit, ne donim të shkonim në Amerikë.

Kishit frikë?

Patjetër, sigurimi atje ishte shumë i egër.

Ju i kishit marrë me vete të gjitha shkrimet e Havziut?

Po, po të gjitha i ruaja në shtëpi, në një arkë llamarinë. I morëm me vete të gjitha, mos të kalben.

Si ju zuri UDB-ja?

Kur kaluam kufirin lajmëruan spiunët. Spiunët këtë punë bëjnë. Atje na çuan në polici të Jugosllavisë. Na çuan në zyrat e UDB-së, ku na mbajtën të gjitha plaçkat. Nga aty na çuan në hotel Theranda. Sigurisht ishim të lirë. Havziu dilte përjashtë dhe blinte gazetat te shtarvani. Unë i thoja atëhere, se çdo të thoshte: komuna, pasi e lexoja rrugëve. E pyesja Havziun pse neve nuk na lënë të takojmë lirisht njerëzit tanë, e të përshendeteshim lirisht, dhe këtu po. E pyesja pse këtu njerëzit kur vdesin shkojnë të gjithë, dhe atje kur dashurojnë është më turp, duke thënë dashuroi filani, filanen….Kjo është demokracia, më thoshte Havziu, ne, nuk e kemi këtë! Prandaj, – më tha, – jemi arratisur, se jeta jonë ishte e kufizuar, jo e lirë.

Si u rikthyet në Shqipëri?

Erdhën disa gazetarë nga Beogradi dhe Prishtina, 15 veta me çanta që hynë në një sallë të madhe, dhe ju dhanë detyra të posaçme dhe ju thanë do t’ju caktojnë agjentë jugosllavë, do të shkosh në Shqipëri, të vrasësh e masakrosh, e të bësh lloj lloj gjërash mbi popullin tënd.

Kujt i thanë kështu?

Havziut edhe mua.

Gazetarët ju thanë ato fjalë?

Po, gjithë ato që erdhën të pyesin, nuk e dinim çfarë ishin ministra apo gazetarë. Nuk na treguan.

Ata ju thanë juve se do të shkoni në Shqipëri e do bëni masakër?

Po ata na thanë. Më thanë, Lavdie do t’ju gjejmë punë këtu, do t’ju japim edhe shtëpi e mos kini merak. Unë nuk pranova. Ju thamë se punë dhe shtëpi i kam në Shqipëri, dhe s’dua të punësohem .

Pra, ju ofruan që të punonit si agjentë në shërbim të UDB-së?

Po, na ofruan që të bëheshim spiunë të tyre. Por ne nuk pranuam asnjë kusht të atyre. Ngaqë nuk pranuam atëhere, këta i thanë Havziut se do bënin marrëveshje me Enver Hoxhën për të na kthyer. Kështu na kthyen në Shqipëri.

E keni thënë më parë këtë histori, që po e tregoni këtu për “standard”?

Jo është hera e parë që e tregoj se çfarë na ka ndodhur atje, dhe si u kthyem.

Sa ditë qëndruat në Jugosllavi?

Më 27 prill jemi arratis dhe më 6 maj na kanë kthyer, duke na çuar direkt në burgun e Kukësit.

Rrugës kur erdhëm Havziut më tha: Thuaj që më mori me zor, dhe jemi arratisur.Jo me dëshirë. Unë nuk pranova. I thashë se ishte krejtësisht dëshirë e imja të arratiseshim bashkë, kishim dashurinë tonë, ne kishim dhënë fjalën se do të jetonim sëbashku, në harmoni të plotë. Ne ishim besnik të dy, të vendosur të dy ishim S’mund ta pranoja këtë.

A u dorëzuat në fund?

Po na dorëzuan. Unë i kërkova personit që na solli, ishte shqiptar, punonte për UDB-në. Iu luta në kufi kur na solli.

Po me letrat, shkrimet çfarë ndodhi?

Ato letra nuk i morëm dot më. Kur na sollën në postën e kufirit në Morinë, ju luta që të mund të më sillte shkrimet, se do ma varnin nëse i shihnin ato. Ato shkrime janë marrë, po unë nuk i kam.

Ti mendon se janë “vjedhur”, janë përvetësuar shkrimet e Havziut?

Nuk e di. Nuk besoj. Shumë njerëz shkruajnë, por asnjëherë nuk më kanë pyetur mua, ja si puna juaj. Asnjëherë nuk më kanë kërkuar informacione, sepse shkruajnë çfarë flasin njerëzit në rrugë. Ku ishin ata që prej 20 vjetësh shkruajnë e tregojnë për burrin tim?! Vetëm unë e di të vërtetën, dhe asnjë tjetër se çfarë kemi folur, së bashku me Havzi Nelën. Askush nuk e di këtë të vërtetë çfarë me ka thënë, dhe si i kam thënë.

Unë jam bashkëshortja e tij, dhe pas vdekjes së tij, ja ku jam mund të tregoj për jetën e tij. Jeta ime me Havziun është dëshmitare.

Po ju pyes edhe njëherë, për letrat, gjithë shkrimet, fletoret që kishte shkruar Havzi Nela nuk e dini fatin e tyre?

I morëm me vete kur u arratisëm. I lamë atje. Sot e kësaj dite nuk më kanë rënë në dorë. Nuk e di çfarë është bërë me to, asnjë letër nuk më ka rënë në dorë. Unë mendoj se ato janë shitur dikund, i ka marrë dikush ndoshta edhe nga Shqipëria. Për këtë arsye ndoshta është arsyeja e përvetësimit të romanit të tij, “Jeta e Zezë”, në Burrel e ka shkruar.

Pse ka lënë roman të shkruar Havziu?

Po e thashë, e ka shkruar në burg, në Burrel. Sot e kësaj dite ka humbur romani nuk na e ka dorëzuar asnjë.

Për çfarë bënte fjalë romani?

Në roman ai ka shkruar për të gjitha, për Enver Hoxhën, Komitetin qëndror…sigurisht ishte një vepër kundër qeverisë, partisë së punës në atë kohë. Atij i dhimbsej shumë populli, dhe thoshte vazhdimisht se si ju mor toka dhe lopa fshatarit.

Lavdie, pas gjithë atij kalvari, vuajtje, përndjekje…çfarë e mbante më shumë lidhjen tuaj?

Aq shumë të lidhur?! E kisha bashkëshortin që e kam zgjedhur sikur ma ka dash shpirti: i ndershëm, me shkollë, i zgjuar, i bukur, ato flokë kaçurrela, ballin e lartë, syjë bojëqielli, dhëmbët e rralla…më donte aq shumë, dhe kisha besim se kishim krijuar një lidhje besnike, ai ndaj meje, dhe unë ndaj atij. Kjo na ka mbajtur aq shumë, besnikëria, por mbi të gjitha dashuria, dashuria e sinqertë.

 Në momentet e fundit duket sikur u dorëzua, fakti që donte të vriste veten me çfarë lidhet? Ç’ ndodhi me dashurinë tuaj të fortë, ju zbeh ajo?!

Kur ka dashur të vrasë veten Havziu, mua më kanë internuar – para se ai të lirohej. Ju nuk e dini dhe këtë ngjarje. Nuk është sikur thonë të tjerët.

Mund të na i tregoni ju të vërtetën?

Në vitin 1984, mua më kanë internuar, një vit para se të lirohej nga burgu Havzia. Nga Shishtaveci sigurimi nuk më la, duke më çuar në Kalimash, në minierën e kromit atje.

Ju u shkëputët nga Havziu në këtë periudhë?

Na shkëputën nga të gjitha; pa letra, pa takime..asgjë, asgjë. Ai ishte në burg dhe unë në internim. Isha më keq se në burg, në ndjekje nga sigurimi. Nuk më lejonin të flisja me askend, kishin frikë se mos flas edhe me bishat e malit. Se as me shoqe nuk më lejonin të flisja.

Ju dinit gjë rreth gjendjes psikologjike dhe shpirtërore të Havziut në këtë periudhë?

Po e dija. Ai ka pasur tronditje të madhe, donte të dinte për çfarë dënohej. Ai duhej të dinte. Sigurimi ka qenë shumë agresiv thonin; ta ndajmë gruan t’ja çojmë në internim. Ata edhe më kanë kërcënuar, që të bëja divorc me Havziun, por unë nuk kam pranuar.

Ka zëra se në momentet e fundit të Havziut ju keni bërë divorc me të?

Qeveria e asaj kohe, partia e punës më ka ndarë, por unë ja ku jam. Unë i kam dokumentet. Nuk i kam sot, se dje më ka bërë vëllai pesë ditë që më ka vdekur, dhe kam ardhur vetëm për këtë përvjetor këtu. Më kuptoni, unë kam dhimbjen, asnjë tjetër.

A keni bërë ndonjë përpjekje për të lëvizur, për t’u takuar me Havziun ?

Jo, sepse sa më internuan mua, e liruan Havziun dhe e dërguan edhe atë, në internim. Nuk na kanë lejuar asnjërin, as tjetrin. Letrat na i kanë prerë. Asgjë nuk na kanë lejuar. Bëja përpjekje me shoqet për ta takuar, nuk më është lejuar. Më premtonin se do të më jepnim leje më vonë. Të gjithë vajzat shkonin në aksion me zhvesh misër, ndërsa mua më thonin: ti s’ke të drejtë të lëvizësh, ti do të rrish këtu! Se për çfarë arsye askush nuk më tregonte. Dhe sot e kësaj dite unë kërkoj të hapen dosjet, se të ishte për politikën duhej të ma thonin, por jo të më ndanin me Havziun.

Për ditën e dënimit, e rëndë, si e morët vesh varjen e tij në litar në mes të qytetit? Si e mbani mend?

Kur mora vesh për dënimin, varjen në litar unë isha në internim. U lirova një vit pasi varën Havziun. Isha duke punuar me gratë, në turne, në pastrimin e kromit, në Kalimash, kur më tregoi në grua. Kur ma tha nuk arrita të shprehesha prap, pasi nuk kisha besim. Ato gratë ishin të sigurimit, i kishin vënë të sigurimit që të blenin fjalët e mia, e ti shesin.

Në atë moment më kishte rënë një gur në këmbë, dhe isha duke vdek nga dhimbja, dhe nuk di çfarë kam thënë. Kanë qenë momente shumë të vështira. Nuk kam pasur asnjënjeri të më mbante. Nuk kam pasur asnjë njeri afër. Kam dokumente, kam qenë në Kalimash.

Në atë më moment kur më thanë, për vdekjen e Havziut, më mirë të kisha vrarë veten që ta kisha takuar edhe një herë, të paktën të kisha fjalën e fundit prej tij. Kemi qenë aq të lumtur për pesë vite që kemi jetuar bashkë, për dashurinë që kam pasur për të. Më jepte mësime edhe nga burgu si të sillem, si të punoj. Po të mbaroja universitetin në Shqipëri s’do ta mbaroja sikurse më ka mësuar Havziu.

Më ’88 u var Havziu, ndërsa ju jeni liruar nga internimi më ’89?

Po i kam të gjitha dokumentat, me vula dhe firma në arkivat e shtetit të  ministrinë e brendshme. Kur u lirova kam kërkuar varrin e Havziut. Kam shkuar te dega e brendshme dhe i thashë se një shofer më ka treguar se e kanë dërguar natën të hapte varrin.

I kanë çuar gjithë komitetin e partisë punës atëhere për ta parë, se si e kanë varrosur duke ju thënë: nëse bëni dhe ju si ky, kështu do t’ju varrosim.

Varri u gjet, eshtrat po ashtu, me ndihmën e policisë, me ndihmën e njerëzve, bashkëvuajtësve tonë. Varri i tij sot është në Kollovoz.

Ajo që kam pa thënë është se për vrasjen e Havzi Nelës, ekzekutorët nuk janë ndëshkuar. Fehmi Abdiu sot është gjallë. Nuk mund t’i shoh këtu në Ministri të Kulturës të varur në mur ato portrete përballë fotos së Havzi Nelës, të kem një kazëm e t’ju bie ekzekutuesve të bashkëshortit tim.

 

Firmëtarët që çuan në varje në litar të poetit

Dokumenti i Ministrisë së Brendshme, që mban firmën e ish-ministrit komunist, Hekuran Isai, mban datën 9 gusht 1988 dhe i drejtohet Degës së Brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit Havzi Nela.

Ministria njofton degën e zonës se Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, që nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankut, Simon Ballabanit, Sotir Koçollarit, Stefan Qirjakos dhe Terezina Marubit.

Të gjithë këta persona kërkuan ekzekutimin me varje të poetit Havzi Nela dhe vetëm disa muaj para rënies së perdes së komunizmit, në një kohë kur familjarët e tij kishin kërkuar faljen e jetës, gjakatarët vendosën ta dënonin Nelën me varje në mes të qytetit të Kukësit. Mbi të rëndonte akuza e krimeve kundër shtetit për dy herë radhazi, ndërkohë që vendimi përfundimtar ishte varja në litar.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency