Ministria e Emigracionit, PD: Rama fyeu 1 milion shqiptarë, t’u kërkojë ndjesë

0
148

Ina Jano

Zëdhënësja e selisë blu në një konferencë për shtyp deklaroi se interesi i vetëm i Ramës është ai për pushtet dhe përfitime personale

 

vorpsi-konference-300x192Pasi një javë më parë Kryeministri i zgjedhur Edi Rama bëri publike strukturën për qeverinë e re, ajo që u vu re ishte se mungonte ministria e posaçme që ai kishte premtuar për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Në lidhje me këtë çështje reagoi dje edhe Partia Demokratike. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, në një dalje për mediat u shpreh se kryesocialisti duhet që t’u kërkojë falje të 1 milion shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve dhe që janë emigrantë, ndërsa kështu ai nuk mban premtimin e bërë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. “Shqiptarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se Edi Rama s’ka ndërmend të mbajë asnjë premtim që u dha qytetarëve para 23 qershorit. Mes shumë premtimeve prej të cilave ka hequr dore është dhe ngritja e një ministrie të veçante për emigracionin. Por jo vetëm kaq Edi Rama gënjeu publikisht duke deklaruar se nuk e ka premtuar një gjë të tillë. Edi Rama mashtroi në këtë mënyre rreth 1 milion qytetarë që punojnë dhe jetojnë jashtë territorit shqiptar, duke faktuar se për të interesi i vetëm është karrigia kryeministrore dhe jo tu shërbejë qytetareve”, – u shpreh Vorpsi. Ajo vijoi më tej duke cituar edhe premtimet dhe deklaratat e Ramës për në gazetat e huaja dhe që ka deklaruar për krijimin e këtij dikasteri të veçantë. “Edi Rama u tha mediave se e kanë ngatërruar me partinë e çamëve! Partia Demokratike i bën sot (të premten) publikisht një pyetje zotit Rama.

A keni deklaruar ju zoti Rama për gazetat shqiptare të Athinës citoj: “Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të vecantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur prej emigracionit”?! Më e pakta që mund të bëni sot zoti Rama është tu kërkoni ndjesë emigrantëve shqiptare për talljen dhe fyerjen publike që ju bëtë pa u mandatuar ende si kryeministër”, – bëri me dije zëdhënësja e selisë blu. Megjithatë kjo e fundit nuk la jashtë as mediat dhe profesionalizmin e tyre, duke i bërë thirrje Ramës që tu kërkojë ndjesë edhe atyre që u ka fyer në mënyrë publike kujtesën. “Tu kërkoni ndjese mediave që u fyet publikisht kujtesën dhe profesionalizmin e tyre. Shqiptarët po e kuptojnë çdo ditë se mazhoranca e 23 qershorit u ndërtua mbi mashtrimin dhe se për kryeministër do të kenë nje gënjeshtar që si interes të vetëm ka atë personal!”, – përfundoi Vorpsi.

 

Rama: Nuk mbaj mend të kem bërë premtim për ministri për emigrantët

Kryeministri i ri Edi Rama tha gjatë paraqitjes së kabinetit qeveritar, ku binte në sy mungesa e një ministrie për Emigracionin, se nuk e ka premtuar asnjëherë krijimin e një ministrie të tillë. I pyetur nga gazetarët për këtë temë ai u përgjigj: “Nuk e di të kem bërë ndonjë premtim elektoral për Ministrinë e Emigracionit. Mos e ngatërroni me partinë e çamëve!”
Edhe pse nuk ishte shumë e gjetur përqasja që kryeministri ardhshëm i bëri çështjes së emigrantëve me partinë e çamëve, e sigurt është se qindra-mijëra shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit, kanë mijëra probleme që presin zgjidhje. Në një intervistë për “Plus Gazeta Athina” më datë 15.2.2013, Edi Rama ka thënë: “Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të veçantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur prej emigracionit si dhe një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe konsullata”. Gazeta në fjalë botohet në Athinë për shqiptarët e Greqisë, por gjendet edhe në Tiranë.

 

 

Prononcimi për ekzekutivin e ri

Paloka: Vendi, me dy qeveri atë të Ramës dhe Metës, për t’u shërbyer interesave personale të tyre

Edi Paloka, deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar i kryesisë, u shpreh dje me bindje se qeveria e majtë do të jetë jofunksionale. Sipas tij nuk ka vetëm një qeveri por dy njëra e Ramës dhe tjetra e Metës, dhe qëllimi final nuk është t’i shërbehet qytetarëve por interesave personale të tyre. “Kuptohet që nuk mund të ketë dy qeverinë që funksionojnë secila sipas qejfit të vet dhe të jenë funksionale. Për sa i përket vet ministrave të Ramës, janë thjesht të zgjedhur për të qenë të tillë, ushtarë pa personalitet, me të vetmin qëllim që të kontrollohen lehtësisht nga Rama”, – tha Edi Paloka. Kjo lloj qeverie ia lehtëson opozitën Partisë Demokratike, shprehet ai dhe ndan mendimin se ajo duhet lënë të vetëshkatërrohet. “Me këtë qeveri që do të ketë njëra që do punojë për të rikthyer depozitat, pra qeveria Meta për të rikthyer depozitat që ka harxhuar gjatë zgjedhjeve dhe tjetra që do punojë për hesap të kryeministrit piktor që nuk e di ç’do të lyejë këtë herë. Pra është një qeveri që do fillojë të vetëshkatërrohet. Unë do zgjidhja ta lija këtë qeveri të fillonte. Shqiptarët që në një farë mënyre e kanë votuar, të shohin se ç’kanë votuar. Ta shohin vetë me sytë e tyre që çfarë i kanë bërë vetes”, – tha Edi Paloka. Për Edi Palokën opozita duhet të jetë unike në qëndrimet e saj. Ai e sheh si problem që kryetari i partisë nuk është në parlament, por vë në dukje se kjo është zgjedhja që bënë vetë demokratët. “Nuk mund të themi që nuk është problem por përderisa grupi do të ketë kryesinë e tij, mund të drejtohet absolutisht edhe nga një kryetarë që nuk është vetë në parlament. Pastaj kjo është një zgjedhje që e bënë demokratët”, – u shpeh Edi Paloka. Ndërsa referuar kreut të ri të selisë blu, Paloka mendon se ai do të jetë gjithëpërfshirës në procesin e zgjedhjes së forumeve të reja. “Duhet që secili ta mbante fjalën. Të dy palët dhanë fjalën që pas zgjedhjeve do të bashkëpunonin dhe unë shpresoj që të ndodhë kështu. Le t’i quajmë ato momentet e para të mërzisë dhe shpresoj që të gjithë të bashkëpunojmë. Kemi një qëllim të përbashkët”, – tha Edi Paloka. Lulzim Basha ka bërë të ditur se strukturat e reja të partisë demokratike do të zgjidhen në shtator ndërkohë që ka nisur konsultimet për zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar me anëtarë të kryesisë dhe të figura të larta të selisë blu.

 

 

Berisha ironizon PS-në

“Mos kujtoni se do vjedhim! Paratë ia kemi lënë LSI-së!!!”

Kryeministri Berisha ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me ndarjen e posteve në ekzekutivin e ri. Shefi i qeverisë duke u shprehur në faqen e tij zyrtare në Facebook, pohoi se në analizën e një të përditshme shqiptare, Rama kujton se bind qytetarët duke u shprehur se ministritë ku varen investimet publike zotërohen 80 për qind nga LSI-ja. Shefi i mazhorancës duke ironizuar ka thënë se ky është totalisht një argument kleptokratik dhe që me këto analiza Rama dhe PS mendon se është duke i mbushur mendjen qytetarëve se nuk është duke u vjedhur. “Piktori sot (dje): “Mos kujtoni se do vjedhim! Paratë ia kemi lënë LSI-së!!!” E bukur, bindëse!!!Të dashur miq, statusit tonë të djeshëm mbi ekipin e kleptokracisë me në krye Piktorin ky i fundit iu përgjigj me një njoftim unik në faqen e parë të gazetës së tij “Shqip”. Kështu, për të hedhur poshtë faktet që u paraqitën në status për ministrat e kabinetit të tij “kleptokracia”, Piktori botoi sot (dje) në faqe të parë ministrat socialiste, kontrollojnë vetëm 20% të parave të buxhetit të shtetit (investimeve publike) dhe 80% të parave do ti kontrollojnë ministrat e LSI-së (të gjorët socialistë). Me tortat e botuara në gazetën e tij, Piktori i dështuar në pikturë por famoz për bizantinizma, kërkon të na mbush mendjen se ministrat e tij mund të abuzojnë vetëm me 20% të buxhetit sepse 80% të tij do ta kenë ministrat e aleatit strategjik, LSI. Kësaj i thonë mbrojtje. Këtij i thonë argument fund e krye kleptokratik!”, – shkroi ditën e djeshme shefi i ekzekutivit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency