Elton Qyno
Dëshmia e Leo Osmënit: Unë u konfliktova me fierakët, qëlloi Delini me armë
Policia gjen armën 1 km larg vendit të krimit. Negociata për dorëzimin e Hajdarajt
Rëndohet akoma dhe më tepër tragjedia e Vlorës. Personi i dyshuar që ka marrë pjesë në vrasje, ka pohuar pas arrestimit se ekzekutimi i tre personave në plazh ka qenë aksidental, pasi objektiv i tyre ka qenë një person tjetër nga qyteti i Fierit. Ky person ndodhej në zonën e pushimit, por që në fakt nuk është arritur të qëllohet për vdekje, pasi ndodhej në disa çadra pushimi të tjera. Breshëria e plumbave të lëshuar në tym ka bërë që të vritet në gjumë shtetasja 53-vjeçare Diana Ademi, ndërsa Sokol Isufi dhe Serdi Bajlozi të goditen me plumba rikoshet, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Bajlozi është goditur në kokë nga një plumb i vetëm, teksa ishte duke notuar, ndërsa Sokol Isufaj është qëlluar nga një plumb në qafë. Një version të tillë e ka konfirmuar edhe mjekësia ligjore, e cila pasi ka këqyrur trupat ka konstatuar se plumbat kishin deformime, gjë që vërteton teorinë e rikoshetit. Për këtë vrasje të trefishtë policia dhe prokuroria e Vlorës kanë arrestuar shtetasin Leo Osmëni, 18 vjeç, dhe kanë shpallur në kërkim personin që qëlloi me armë zjarri shtetasin Delin Hajdaraj. Për këtë të fundit policia e Vlorës është duke negociuar me familjarët, me qëllim që Hajdaraj të vetëdorëzohet.
Dëshmia e adoleshentit
Leo Osmëni është ndaluar nga policia e Vlorës, mes 55 personave të tjerë që janë shoqëruar gjatë kësaj ngjarje. Nga ballafaqimi me dëshmitarët dhe dëshmitë që ata kanë dhënë në polici, Osmëni ka qenë personi që kishte shumë ngjashmëri. Përgjatë gjithë natës së djeshme ai është marrë në pyetje nga prokurorë dhe oficerë të policisë, ku gjatë intervistimit, ai ka pranuar se kishte qenë pjesëmarrës në vrasje, por jo që kishte qëlluar me armë. Në deklarimin e tij të gjatë, Osmëni ka rrëfyer edhe vendin e hedhjes së armës dhe pas kësaj një grup hetuesish ka shkuar në vendngjarje gjatë orëve të natës, ku edhe kanë gjetur armën e krimit një automatik “Kallashnikov”, i hedhur mes ferrave rreth 1 km larg vendit të krimit. Më tej, në dëshmi, 18-vjeçari Osmëni ka rrëfyer: ”Kam qenë në qytetin e Vlorës, duke bërë xhiro me makinë dhe në telefon më ka marrë motra ime A. Osmani, e cila më ka pohuar se duhet të shkoja tek zona e Kalasë, pasi një grup djemsh nga Fieri e kanë ngacmuar. Nuk e kam zgjatur më tej dhe pas kësaj kam marrë në telefon shokun tim Delin Hajdaraj, me të cilin, pasi ka hipur në makinën time, jemi nisur së bashku në drejtim të plazhit. Sapo kemi shkuar aty, kam takuar motrën që ndodhej së bashku me disa shoqet e saj. Ajo më ka treguar vendin se ku ndodheshin grupi me 5 djem nga Fieri. U jam afruar dhe kam filluar t’i kërkoj llogari se përse i kishin folur motrës. Qëllimi im ka qenë që të sqaroheshim dhe jo të ziheshim. Por, djemtë kanë filluar të shajnë dhe të më kërcënojnë me jetë. Në këtë moment ka ndërhyrë edhe shoku im Delin Hajdaraj, por ndërhyrja e tij ka bërë që më pas të goditeshim dhe shtyheshim me trup, duke shkëmbyer edhe fjalë të rënda. Më pas kanë ndërhyrë edhe disa persona të tjerë të lokalit dhe jemi ndarë. Unë kam marrë motrën dhe shoqet e saj dhe jemi larguar në drejtim të Vlorës, së bashku me Delinin. Pasi kemi lënë vajzat, Delini më ka thënë që të ktheheshim sërish dhe t’u q… robt fierakëve, pasi me vete do të merrnim edhe automatikun që kishte në shtëpi Delini. Kemi marrë armën dhe jemi nisur në drejtim të Ujit të Ftohtë. Kemi zbritur poshtë, afër bregut, dhe jemi afruar tek çadra ku pak orë më parë kishim bërë sherr. Në këtë moment, Delini ka qëlluar me breshëri disa herë dhe mes njerëzve që bërtisnin jemi larguar me vrap në makinë, të cilën e kishim lënë ndezur dhe më pas jemi larguar menjëherë. Unë nuk di se kë kemi qëlluar, por në momentin kur Delini ka hapur zjarr, grupi i djemve që ishim konfliktuar ishin zhvendosur në disa çadra të tjera”, – ka treguar në policinë e Vlorës 18-vjeçari Osmëni. Sipas burimeve të policisë, ky i fundit njihet si kontigjent krimi në shpërndarjen dhe konsumimin e drogës.
Negociata për dorëzim
Pas arrestimit të 18-vjeçarit Osmëni, policia e Vlorës ka kryer dhjetëra kontrolle në banesa dhe vende të ndryshme për arrestimin e autorit të krimit, shtetasit Delin Hajdaraj. Ky i fundit deri në orët e vona të natës së djeshme nuk ishte arrestuar nga policia, ndërkohë burime pranë uniformave blu thanë se janë marrë kontakte për të negociuar dorëzimin e Hajdarajt. Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe familja e tij. Familjarët e autorit të krimit kanë pohuar se do të negociojnë me të birin, me qëllim bindjen e tij të dorëzohet. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 16:00, në vendin e quajtur Kalaja, ku si pasojë e të shtënave me armë humbën jetën shtetasit Sokol Isufaj, 34 vjeç, Diana Ademi, 53 vjeç dhe Servi Bajlozi, 17 vjeç.
Repartet speciale
Në lidhje me këtë ngjarje, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Vlorë dhe Departamentit kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe janë kryer veprime operacionale në terren me mbështetjen e forcave speciale FNSH Fier dhe repartit RENEA Tiranë.
Dëshmia e motrës së 18-vjeçarit, Arisa Osmëni
Motra e Leo Osmënit: Fieraku më ngacmoi brenda në det, ndaj i telefonova vëllait
Arisa Osmëni ka qenë nën shoqërinë e shoqeve të saj, kur është ngacmuar me fjalë të ëmbla nga disa djem të ardhur nga qyteti i Fierit. Herë pas here, njëri prej tyre ka marrë veprime të ripërsëritura, duke tentuar të notojë në det së bashku me Arisën, gjë e cila e ka trembur vajzën e re. Nisur në këto rrethana, ajo ka vendosur që të njoftojë të vëllanë për këtë ngacmim. Në dëshminë e saj dhënë në policinë e Vlorës, pas ndodhjes së krimit të rëndë, Arisa Osmëni ka pohuar se ka qenë ajo që i kishte telefonuar të vëllait. “Djali që më ngacmonte u bë tepër i bezdisshëm. Ai në fillim filloi të dërgonte kamerierin në çadrën tonë për të na qerasur dhe më pas më afrohej, duke me kërkuar që të flisnim. Unë vetë nuk kam pranuar t’i jap muhabet dhe e kam shmangur, por vazhdimisht ai këmbëngulte. Kam hyrë në det bashkë me shoqet dhe edhe aty, ky djalë, të cilin nuk e njihja, më është afruar dhe ka filluar të më flasë me fjalë të bukura dhe të mos më linte të qetë. Pasi kam dalë nga deti sërish, e njëjta gjë ka vijuar, prandaj dhe e kam ndier veten të frikësuar dhe kam marrë vëllain tim në telefon, duke i thënë se kisha probleme”.