Në ditët në vazhdim AKP pritet të publikojë dhe udhëzimin se si do plotësohet A2-shi, ku siç është theksuar dhe më parë do të aplikohet me dy hapa
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar formularin A2. Kandidatët tashmë mund të fillojnë zgjedhjen e degëve duke filluar nga Historia që është numri 1 në formularin A2 deri te dega e Kitarës në Akademinë e Arteve në Shkodër. Në ditët në vazhdim AKP pritet të publikojë dhe udhëzimin se si do plotësohet A2-shi, ku siç është theksuar dhe më parë do të aplikohet me dy hapa. Fillimisht kandidatët do të zgjedhin degët online dhe më pas aplikimi do të mbyllet në shkollën e mesme ose në ambiente që do të caktohen nga MASH.
Formula për llogaritjen e pikëve
Kandidatët mund të llogarisin vet pikët që do të konkurrojnë për në shkollën e lartë. Formula: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja e katër viteve të gjimnazit, D1 = provim i detyruar i Letërsisë, D2 = provim i detyruar i Matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti sipas provimeve me zgjedhje.
Pas A2-shit
Pas plotësimit të formularit A2, kandidatët do të kenë dy faza të tjera për të konkurruar për në universitet. Fillimisht do të shpallen fituesit paraprak më pas fituesit përfundimtar dhe hapi i fundit do të jetë formulari A3. “Në raundin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me të njëjtën renditje preferencash të atij raundi, me përjashtim të: fituesve të preferencës së parë të cilët janë regjistruar në këtë program studimi, kandidatëve të cilët nuk kanë kërkuar vazhdimin e konkurrimit për preferenca më të larta gjatë regjistrimit online dhe që rezultojnë të regjistruar në programin e studimit të preferuar”, – thuhet në vendimin e qeverisë të miratuar pak ditë më parë. Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë me kuotat respektive të shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët: kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2. Kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013. Kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore; kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje. Kuotat, që mbeten të parealizuara edhe pas regjistrimit të fituesve të shpallur nga aplikimi në raundin e fundit, nuk rishpallen.