Ndarja e pushteteve si farsë demokratike

0
168

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1Sipas premtimeve të koalicionit fitues të këtyre zgjedhjeve, në radhë të parë të lidershipit socialist, si duket ministrat e qeverisë së re fillimisht nuk do të jenë deputetë. Kjo do të thotë se ose do të emërohen nga radhët e personave që duke pasur një mandat deputeti, këta duhet ta dorëzojnë atë, ose duhet të gjenden njerëz të besuar dhe kompetentë, të cilët të mos kenë qenë në radhët e atyre që tashmë kanë fituar të drejtën për të qenë deputetë.

Personalisht, këtë model ndarjeje mandatesh dhe përgjegjësish deputetore dhe ministrore e kam propozuar vite më parë, i kam qëndruar besnik si ide dhe e kam shtjelluar edhe para fushatës elektorale në mediat tona. Nuk është se duhet konsideruar si themeli i ndarjes së pushteteve, por gjithsesi si një masë dhe instrument, i cili e ndihmon që ndarja dhe balancimi i pushteteve të realizohet më mirë.

Por, atëherë lind pyetja: Përse e trajtoj këtë çështje? Çfarë mbetet ende pa thënë këtu?

Ndaloj në këtë çështje pikërisht, se kam menduar dhe mendoj se problemi thelbësor i sistemit tonë politik dhe i demokracisë shqiptare është pikërisht ndarja e pushteteve, ku sipas meje pavarësisht artikulimeve formale kushtetuese, ndarja e pushteteve është false ose në mos false, krejtësisht e parealizuar.

Kam pasur idenë se pavarësisht faktit që nuk mund të bëhet asnjë lloj krahasimi me sistemin politik diktatorial, po ta shohim nga pikëpamja e rrethit të personave që marrin vendimet thelbësore politike në Shqipëri nuk besoj se ato janë tanimë në më shumë duar sesa në periudhën e regjimit të kaluar. Edhe tani vendimet e mëdha merren vetëm nga katër a pesë vetë e shumta, ndonëse rregullat e funksionimit të pushtetit politik kanë ndryshuar rrënjësisht. Ndërkaq baza njerëzore e vendimmarrësve ka mbetur po aq e ngushtë, pra në më pak duar sesa ka gishta njëra dorë e njeriut.

Asnjë ministër nuk do të jetë deputet?!

Në rregull! Kjo bën që ministri të mos jetë i mbuluar nga mandati i deputetit, pra ta shohë ministërllëkun si shansin e tij të parë dhe të fundit për të qenë në politikë. Edhe Kryeministrit të mos i bëjë shumë karshillëk dhe presione me votën e tij në Kuvend, por të ulë kokën dhe të punojë si administrator i së mirës publike dhe të mos ngatërrohet në labirintet e dialogut parlamentar. Ndërkaq, edhe Kryeministri jo gjithmonë mund të ketë njëzet vota në xhep, aq sa ka ministra, në çdo votim ligji. Pushteti parlamentar do të ushtrohet më i ndarë nga ai ekzekutiv.

Ka edhe të mira të tjera, por nuk po vonohemi t’i numërojmë të gjitha.

Ndërkaq, nuk është se kjo ndarje e zgjidh problemin, pra vesin, që ka Kushtetuta shqiptare, e cila, sipas meje, bën sikur i ndan pushtetet, por në fakt lejon përqendrimin e tyre në pak duar.

Mbi të gjitha, ky grumbullim pushtetesh realizohet nga partia dhe lidershipi i partisë që ka shumicën në Kuvend. Është ai që kontrollon ministrat dhe emërimin e tyre. Është ai që zgjedh deputetët. Nga grupi i deputetëve dalin gjyqtarët e prej andej dalin edhe burokratët qendrorë dhe pastaj edhe gjithë armata e nëpunësve të mesëm dhe të vegjël.

Në njëfarë mënyre sistemi politik shqiptar bën një lloj ndarjeje pushtetesh brenda shtetit, por i grumbullon këto pushtete jashtë sistemit shtetëror, pra bën të lindë një forcë jashtë sistemike pushteti, sikurse janë partitë politike, të cilat kur kanë shumicën grumbullojnë dhe përqendrojnë të gjitha kompetencat pushtetore në vend. Sigurisht, edhe ministrat, edhe deputetët, edhe gjyqtarët, edhe nëpunësit janë njerëz të ndryshëm, por kjo nuk do të thotë se ndarja e pushteteve është realizuar. Po kështu secili nga pushtetet ka detyra funksionale më vete dhe specifike, por kjo ende nuk është një ndarje e vërtetë pushteti meqë secili nga ata që quhet pushtet i ndarë nuk është veçse një degë më vete e një pushteti monolitik të vetëm. Pas qëndron gjithnjë partia në pushtet që kontrollon gjithçka.

Me një fjalë, ne kemi sigurisht një demokraci, por që në fakt është e bazuar te partitokracia. Dihet kjo, sepse fjala demokraci është shumë e gjerë, sepse të gjithë pretendojnë të ushtrojnë pushtetin në emër të popullit, por rëndësi ka se cila shtresë e ushtron këtë pushtet. Ka gerontokraci, aristokraci, plutokraci, sikurse ka edhe partitokraci.

Ndarja e pushteteve që erdhi në modë në shekullin e tetëmbëdhjetë realizohej njëherazi si ndarje funksionesh, si ndarje grupesh shoqërore që ushtronin pushtete të ndryshme edhe si ndarje sferash të shoqërisë. Vetëm në këtë mënyrë ndarja e pushteteve bëhet e vërtetë dhe krijon premisat për të hedhur bazat e një jete demokratike në komunitetin e njerëzve. Pra, Mbreti humbi pushtetin absolut, ushtronte vetëm pushtet kryesisht politik dhe ishte, si të thuash, përfaqësuesi i pjesshëm i një pushteti ekzekutiv, me ca kompetenca legjislative, por gjithsesi i mbështetur te shtresa e fisnikëve. Ndërkaq, pushteti ligjvënës u takonte atyre që dilnin nga shumica e qytetarëve me votë dhe përfaqësonte rendin e tretë, shtresat e mesme të pasura, shpesh borgjeze, dhe kështu ishte në njëfarë rivaliteti me vetë Mbretin. Nuk kishte asnjë parti politike që ta kthente në farsë këtë ndarje pushtetesh duke grupuar në një bashkësi të vetme politike borgjezët e qyteteve me Mbretin dhe fisnikët.

Ndërkaq, pushteti gjyqësor ishte në duart e një kaste të mësuarish që edukoheshin me kulturën e ligjit dhe vinin nga shtresa të ndryshme. Nuk mund të mos thuhet se feja, pastaj, pra si të thuash sistemi mediatik dhe shkollor i kohës, propaganda ishin në duart e Kishës, pra të një pushteti që nuk mund të kontrollohej as nga Mbreti dhe as nga gjyqtarët.

Mirëpo, kjo ndarje pushtetesh, e vërtetë, ishte një krijesë e përkohshme e historisë, ajo u propagandua si një vlerë universale, dhe vërtet ashtu duhet të jetë. Mirëpo me kalimin e kohës, kushtet sociale ndryshuan dhe bënë që ndarja reale e pushteteve të vështirësohej dhe në disa raste, në demokracitë e reja ta humbasë disi kuptimin.

A janë të ndara pushtetet te ne nga pikëpamja e ndarjes së fushave politike, ekonomike, kulturore, mediatike, arsimore etj.?

Duhet thënë se gjendja lë shumë për të dëshiruar. Mediat janë shumë të ndara sipas kampeve politike dhe ndonëse të pavarura juridikisht, ato bëjnë lojën politike të kampeve të ndryshme. Vështirë që ndokush edhe të arrijë të dallojë se si axhenda e medias dhe axhenda e politikës të jenë autonome apo të shohim në media qëndrime redaksionale të pavarura nga ato të lidershipit politik.

Problem mbetet ekonomia, ku ka gjithashtu një mbivendosje të fuqishme të politikës mbi shtresëzimin ekonomik. Lehtësira ekonomike për biznesin afër partive politike, pa fund biznesmenë në politikë dhe që politikën e kanë instrument ushtrimi pushteti edhe në fushën e ekonomisë, tenderat e administratës shpërndahen me kahje politike e kështu me radhë.

Për të mos folur pastaj për arsimin dhe kulturën, ku kontrolli i shtetit dhe i administratës mbi tekstet dhe personelin arsimor është i gjithëfuqishëm.

Cili administrator i fuqishëm ka karrierë jashtë partive politike? Vështirë të gjendet edhe një i vetëm.

Pra, ndarja e pushteteve si autonomi e fushave sociale, kulturore, mediatike, politike, ekonomike, mediatike etj., prej njëra-tjetrës është pothuajse e paqenë. Politika sundon gjithçka deri edhe në politikat e strategjitë financiare të Bankës Qendrore, rregullimin urban lokal, e kështu me radhë.

Po ta shohim ndarjen e pushteteve nga pikëpamja e origjinës të krijimit dhe legjitimimit të tyre përsëri konstatojmë lehtësisht se të gjitha pushtetet dalin nga Kuvendi, i cili është organ politik i kontrolluar nga partia apo koalicioni partizan në shumicë.

Kjo bën që njerëzit të cilët ushtrojnë pushtetet e quajtura të pavarura, në fakt janë në sistem vartësie prej njëri-tjetrit. Lidershipi partiak kontrollon grupin e deputetëve, grupi i deputetëve kontrollon drejtuesit e institucioneve dhe këta të fundit bashkë me pushtetin paralel, atë të partive, kontrollon administratorët e të gjithë bashkë edhe pushtetin ekonomik.

Sigurisht, ndarja e mandatit të deputetit nga portofoli ministror është një masë që ndihmon në një ekuilibrim më të mirë të pushteteve. Por, nuk mjafton aspak politikisht. Prapa të gjitha pushteteve është lidershipi politik.

Ndërkaq, me të njëjtën logjikë duhet ecur përpara me shumë guxim.

Janë mbushur këshillat bashkiakë me drejtorë drejtorish apo zëvendësministra.

Asnjë zyrtar i nivelit të lartë këshilltar bashkiak!

Asnjë anëtar i Agjencisë së Monitorimit të Mediave nuk mund të ushtrojë një detyrë tjetër.

Presidenti nuk mund të jetë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duhen ndarë pushtetet.

Borde drejtuese agjencish publike, si Banka Qendrore, që janë edhe drejtues firmash private në konflikt të pastër interesi mes funksionesh që ushtrojnë.

Duhet rishikuar e gjithë nomenklatura e lidershipit, në mënyrë që të ndahen pushtetet realisht si personel, kompetenca, fusha dhe burim legjitimiteti.

Përndryshe ne do të vazhdojmë të endemi në një tranzicion të stërzgjatur institucional dhe as rezultatin e zgjedhjeve nuk do ta nxjerrim dot lehtë, sepse edhe atje anëtarët e KQZ-së përfaqësojnë në origjinë të deleguar partiakë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency