Rrëfimi i Zidanit: Në Itali kam luajtur me emigrantë

0
157

Përgatiti Altin Vorpsi

 Zidan ka rrëfyer për revistën “So Foot” disa prej ndodhive më pikante që i kanë ndodhur gjatë kohës kur ishte pjesë e Juventusit të Torinos.

 

zinedine-zidane-10Në fushë nuk ka qenë “i dyti” i askujt, por tani i duhet që të mësohet me rolin e zëvendësit. Zinedin Zidan ka pranuar që të “mësojë” nga një mjeshtër i madh i bankinave, si Karlo Ançeloti. Tashmë prej pak ditësh ish-numri 5 i Realit është vënë në dispozicion të italianit që ka në dorë frenat e “të bardhëve”. Në nisje të kësaj aventure të re, Zidan ka pranuar që të kthejë kokën prapa e të flasë për disa nga aventurat që i kanë mbetur në mendje.

 

Ndeshjet me emigrantët

Episodi më interesant i përmendur nga Zizu Zidan ishte ai kur kampioni tregonte se kishte lidhur miqësi me djemtë që luanin në parkingjet e Torinos. “Disa herë kam vënë në kokë kapele peshkatarësh dhe kam luajtur futboll me emigrantët. Ai që më nxiste ishte miku im Edgar Davids. Ai kishte shumë qejf që të luante me ta. Edgari merrte makinën dhe kur shikonte që në ndonjë hapësirë luanin futboll, ndalonte dhe futej në lojë”, – tha Zizu. Kampioni franko-algjerian për mikun e tij nga Holanda shtoi: “Më thoshte gjithmonë: ‘Ne për ata duhet të luajmë. Këto janë ndeshjet e rëndësishme’. Dhe unë i thosha: ‘OK, por kemi edhe stërvitjet; ne jemi pjesë e një skuadre të një niveli të lartë, nuk mund të rrezikojmë të dëmtohemi’. Në të njëjtën kohë unë e admiroja atë, pasi bënte gjeste kaq të mëdha”.

 

Ditët e para me Juventusin

Më tej kampioni francez tregoi edhe ditët e para si lojtar i Juventusit: “Shumë lojtarë bënin si të fortë. Në atë kohë unë mbaja çorape shumë të shkurtra që rrëmbenin paksa vëmendjen, por më vonë kuptova se në Itali ato lloj çorapesh nuk bënin punë. Në fund të një stërvitjeje, kur u ktheva në dhomat e zhveshjes, vura re që çorapet e mia m’i kishin prerë copa-copa dhe m’i kishin vënë në sirtar. Më thanë, – shtoi Zidani, – se duhet të mbaja çorape me një ngjyrë dhe mundësisht të gjata deri tek pulpa. Që nga ajo ditë unë ndërrova mënyrë të veshuri dhe mbaja çorapet si më udhëzuan ata”.

 

 

Bavari

Shvajni rikuperon dëmtimin, Guardiola e fton për drekë

Dje ishte radha e Bastian Shvajnshtajgerit për t’u njohur më mirë me trajnerin e tij, por për të marrë edhe disa garanci për rolin e tij në fushë. Zv.kapiteni është takuar me Pep Guardiolën në një restorant në periferi të Mynihut (në Shvabing). “Pas prezantimit të Tiagos, janë takuar në orën 19:20 të ditës së martë dhe kanë folur për rreth dy orë. Ishte një takim joformal, sepse dukej nga tonet e bisedës dhe veshja e tyre”, – tregojnë dy studentë dëshmitarë, të cilët rrezikuan të zbuloheshin vetëm për të dëgjuar atë çka flitej mes trajnerit dhe liderit të skuadrës. Takimi ishte sekret, çka e dëshmon fakti që tavolinat përreth ishin të gjitha të rezervuara. “Guardiola fliste me gjestikulacione dhe në gjermanisht, por nuk arritëm dot të zbulonim më shumë se çfarë po bisedonin, edhe pse nga gjestet dukej se kishte tone shumë miqësore”, – tregojnë djemtë. Mediat ngritën pikëpyetje përse nuk ishte edhe kapiteni Lami në takim, por “Tz” zbuloi se Guardiola donte të fliste me Shvajnin për t’i garantuar atij se vendi në skuadër dhe pozicioni i liderit nuk rrezikohej nga ardhja e spanjollit në “Zebener Shtrase”. Gjashtë javë pas operacionit në kavilje, Bastian Shvajnshtajger është rikthyer në stërvitje. Zv.kapiteni iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale më 3 qershor pas problemeve në kaviljen e djathtë që kishte ndier gjatë sezonit. “Është bukur të rikthehesh të luash me skuadrën dhe të kryesh disa ushtrime. Ndihem shumë mirë. Dua edhe pak kohë për t’u rikuperuar plotësisht, por ishte një fillim i mbarë”, – tha 28-vjeçari. Mesfushori i uroi dhe mirëseardhjen Tiago Alkantarës: “Është një lojtar shumë i talentuar. Jemi të lumtur që i shtohet një tjetër futbollist cilësor ekipit. Ai duhet të përshtatet, por jam i sigurt se do ndodhë shumë shpejt”.

 

Antidopingu

Bundesliga “imiton” Ligën e Kampioneve, me teste gjaku

Pak javë më parë, UEFA lajmëroi se do të kryente teste gjaku për antidopingun në klubet e kompeticioneve të saj. Një metodë të tillë tani do ta përdorë edhe Federata Gjermane e Futbollit që prej këtij sezoni. Deri tani, për të zbuluar substancat e ndaluara ishte përdorur analiza e urinës. Ajo do të vazhdojë të ekzistojë, por do të shtohet edhe analiza e gjakut. “Federata pritet të përmbyllë marrëveshjen me VADA-n (Agjencia Botërore e Antidopingut). Jemi shumë të kënaqur që prej sezonit të ri ne do të zhvillojmë analiza gjaku në qendrat stërvitore të skuadrave të Bundesligës”, – njoftoi Rainer Koh, presidenti i Komisionit të Antidopingut në Federatën Gjermane. Analiza e gjakut do të jetë më e kushtueshme, por është më e saktë. Shefi i stafit mjekësor të kombëtares gjermane, Tim Mejer, e përshkroi si të domosdoshme një analizë të tillë. “Substancat e dopingut nuk janë të dallueshme pa një test gjaku”, – tha ai.

 

Sulmuesi

Dorëzohet “Leva”: Më duhet të qëndroj këtu për një vit

Në një intervistë për “SportBild”, Levandovski pranoi zyrtarisht se është dorëzuar për të shkuar te Bajerni që këtë sezon, ndërsa u shpreh i zhgënjyer nga vendimi i Dortmundit për të mos e lejuar të largohej që këtë verë. “Më duhet ta pranoj se duhet të qëndroj te Dortmundi edhe për një vit”, – tha 25-vjeçari. Bomberi polak pritet të kalojë te Bajerni verën e ardhshme me parametra zero, por rekordmenët ishin gati ta transferonin që këtë verë, duke paguar 25 milionë euro. Menaxheri i përgjithshëm i Dortmundit, Hoakim Vacke, akuzoi drejtuesit e Bajernit se luajtën pisët, duke iu afruar lojtarit dhe nuk bënë asnjë ofertë zyrtare. Vacke nuk ia fali Bajernit dhe mënyrën se si bleu Mario Gëcen, duke i paguar direkt klauzolën dhe mos e injoruar Dortmundin. Megjithatë, Levandovski premtoi se do të japë gjithçka për skuadrën e tij. “Në të shkuarën unë kam dhënë gjithçka për Borusian. Edhe sezonin e fundit kështu ndodhi. Unë fola me drejtuesit dhe isha shumë i sigurt se ata do më jepnin leje për t’u larguar. Por fatkeqësisht nuk ishte kështu. Jam i zhgënjyer nga vendimi i klubit për të më penguar të largohem. Fatkeqësisht ndodhi kështu, kur ata mund të kishin përfituar edhe financiarisht. Megjithatë, unë jam i detyruar të luaj edhe vitin e fundit të kontratës sime. Është një vendim që më duhet ta pranoj dhe respektoj. Borusia e di shumë mirë se siç ka ndodhur në të shkuarën, unë do të jap gjithçka për këtë skuadër deri në ndeshjen e fundit”. Destinacioni i tij do të jetë “Alianc-Arena”, por ylli i nënkampionëve të Gjermanisë refuzoi edhe një herë tjetër të kishte firmosur një parakontratë me kampionët. Klop pranoi pak ditë më parë se lojtari do të shkojë në Mynih. Levandovski është aq i vendosur për të veshur fanellën e Bajernit sa i mjafton dhe një marrëveshje verbale mes menaxherit të tij dhe Rumeniges për ta quajtur të mbyllur transferimin e tij te Bajerni. Në një intervistë për “Sport 1”, shefi i Dortmundit, Hoakim Vacke, pohoi se është i sigurt që pret një sezon profesionisti të Levandovskit në “Signal Iduna Park”, ndërsa nuk harroi të sulmonte edhe Bajernin për shpenzimet e larta. “Robert është një djalë me karakter dhe do japë gjithçka për Borusian. Jam i sigurt se do të bëjë një tjetër sezon të madh, ashtu siç ka ndodhur gjithë këto vite që luan këtu. Ne i kemi ngushtuar diferencat ekonomike me Bajernin, por raporti i pagave mes klubeve tona është ende 1:2. Megjithatë, Bajerni dhe Dortmundi kanë thelluar akoma më shumë diferencat ekonomike me vendin e tretë dhe të katërt”, – nënvizoi menaxheri i përgjithshëm.

 

Botërori “Katar 2022”

Blater: Do të zhvillohet në dimër

Nisi nga një ide, ndërsa tani po bëhet gjithnjë e më konkrete. Kampionati Botëror i Futbollit “Katar 2022” me shumë mundësi do të zhvillohet në dimër. “Duhet t’i mbrojmë lojtarët dhe tifozët nga i nxehti i madh. Në seancën e radhës së mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv në tetor, ne do të marrim një vendim të tillë. Unë hedh vetëm një propozim dhe nuk marr vendime për ta zyrtarizuar”, – konfirmoi presidenti i FIFA-s për “Bild”. Temperaturat në Katar gjatë verës arrijnë deri në 45 gradë celsius.

 

“Komunisti”

SHBA i refuzon vizën Diago Armando Maradonës

Diego Maradona donte t’i dhuronte disa ditë pushimi nipit të tij Benxhamin në “Dinsey World”, por SHBA ka refuzuar kërkesën e tij për vizë. “Pibe de Oro” dorëzoi një kërkesë në ambasadën amerikane në Dubai ku jeton aktualisht, por mori kartonin e kuq. Arsyet e refuzimit, të paktën sipas një burimi të cituar nga “The Sun”, mendohet të jenë “marrëdhëniet e rrezikshme” të kampionit argjentinas me ish-liderin komunist të Kubës, Fidel Kastro, dhe ish-presidentin e ndjerë të Venezuelës, Hugo Çavez, armiq të betuar të SHBA-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency