Gëzim Saliu
Ndarja mes postit të deputetit dhe atij të ministrit sjell debate tek e majta
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama duket se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetit. Edhe pse nisma e ndërmarrë së fundmi nga PS dhe LSI, e cila ka në bazë të saj ndarjen mes mandatit të deputetit dhe postit të ministrit, pritet të aplikohet tek ligjvënësit e të dyja forcave kryesore të koalicionit të majtë, vetë kryeministri i ardhshëm i vendit, pritet të mos heqë dorë nga mandati i marrë në qarkun e Vlorës. Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se ky do të jetë vendimi më i mundshëm që do të marrë kreu socialist, edhe pse deri në ditën e formësimit të qeverisë së re, ky qëndrim mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve në kampin e purpurt. Gjithsesi, vetë Rama ka lënë të nënkuptohet një javë më parë në takimin e zhvilluar në Vlorë se nuk do ta dorëzojë mandatin e deputetit. “Dua t’u them se unë vërtet kam detyrën të drejtoj qeverinë e vendit, por nuk do ta harroj për asnjë çast se kam detyrën të jem edhe deputet i Vlorës. Dhe duke besuar tek forca e shembullit dhe jo tek shembulli i forcës, si deputet i Vlorës unë do të kem zyrën e deputetit këtu në Vlorë dhe do të mbaj kontakte të vazhdueshme me qytetarët e Vlorës, me ata që na kanë votuar dhe ata që nuk na kanë votuar duke besuar se të gjithë deputetet e skuadrës sonë kombëtare të rilindjes që në 9 shtator do të hyjnë në sallën e Parlamentit nuk do ta harrojnë për asnjë çast se kush i ka çuar në atë sallë dhe të gjithë do të vazhdojnë ta mbajnë të hapur zyrën e tyre në çdo zonë kujdestarie për tu kujdesur për ata njerëz që në këtë fushatë në kuptimin më të vërtetë të fjalës na kanë shtuar jetën me energjitë e jashtëzakonshme pozitive që na kanë dhënë”, ka theksuar Rama. Ndërkohë edhe aleati kryesor i tij, kreu i LSI-së Ilir Meta ka bërë të ditur pak kohë më parë qëndrimin e tij lidhur me kryesocialistin, ku tha se nuk ka sens që Rama të dorëzojë mandatin pasi të marrë drejtimin e qeverisë. “Unë mendoj se nuk është diçka që bën sens, po të kemi parasysh se do të jetë jo vetëm Kryeministër, por normalisht edhe kryetar i mazhorancës parlamentare, që ka njëkohësisht përgjegjësi për vendimet e grupit parlamentar. Në këtë rast, sipas mendimit tim, kjo nuk ka sens. Ky është një mendimi im, të cilin edhe e kam shprehur. Natyrisht i takon atij të vendosë, por të kemi parasysh që nuk është Kryeministër i një qeverie e cila nuk ka lidhje me Parlamentin, ka përgjegjësinë kryesore edhe partinë e tij, e cila është edhe forca kryesore parlamentare. Ka përgjegjësi edhe për vendimet e grupit parlamentar. Pra, nuk është njësoj rasti i Kryeministrit me rastin e ministrit”, tha Meta në një dalje televizive.
Deputetët
Pjesa më e madhe e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit kanë shprehur tek kryesocialisti Rama dhe në diskutimet brenda partisë qëndrimin e tyre kundër ndarjes ministër-deputet. Kryesisht deputetët tradicionalë të PS-së janë ato që janë deklaruar hapur kundër këtij vendimi, duke theksuar se kjo ndarje shkon në kundërshtim më votën e qytetarëve, duke zhvlerësuar sipas tyre si postin e deputetit ashtu edhe atë të ministrit. Po ashtu edhe pjesa tjetër e të rinjve, të sapoardhur në grupin parlamentar socialist, nuk janë shprehur entuziast për këtë nismë, duke ditur se ambicia për një post ministror mund të kushtojë shtrenjtë politikisht për ta, në rast të dështimit në detyrën e tyre. Mospasja e mandatit të deputetit rrezikon jo pak ministrat e qeverisë së ardhshme, duke marrë parasysh edhe faktin se posti i ministrit konsiderohet si afatshkurtër dhe i ekspozuar ndaj kritikave, të cilat mund të vijnë si nga kundërshtari ashtu edhe nga vetë radhët e të majtëve. Nga ana tjetër një pjesë e vogël e deputetëve kanë mbështetur publikisht marrëveshjen PS-LSI për ndarjen mes postit të ministrit dhe mandatit të deputetit. Deputetja e qarkut të Shkodrës, Mimoza Hafizi ka pohuar se do pranojë pa asnjë lloj hezitimi të heqë dorë nga mandati i deputetit. “Unë nuk shoh asnjë problem për të lënë mandatin e deputetit. Mandati i deputetit është një bashkësi detyrash, funksioni i ministrit është një bashkësi detyrash të tjera, por unë personalisht nuk kam asnjë problem, për të lënë mandatin e deputetit në momentin që i shërbej asaj që ne kemi premtuar para qytetarëve”. Po ashtu edhe nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili është shprehur pro kësaj nisme, duke theksuar se ndarja mes ministrit dhe deputetit rrit eficencën e punës. “Motivi i cili ka shtyrë ka qenë i shëndetshëm, për të bërë eficent dy institucionet që era herës për arsye të impenjimeve apo mungesës së eficencës, ose çalonte njëra ose tjetra. Unë kam qenë ministër pa qenë deputet. Puna më kërkonte kohë sa të jeni të bindur nuk do të gjeja kohë për impenjimet e elektoratit i cili të zgjedh. Ndarja rrit eficencën”, ka thënë Vasili.
Ministrat jo deputetë
Meta: Nisma krijon raport të ri mes Parlamentit dhe qeverisë
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka shprehur publikisht mbështetjen ndaj nismës ku sipas së cilës deputetët e ardhshëm të kuvendit të Shqipërisë duhet të lënë mandatin e tyre në rast se do të përzgjidhen në poste ministrore. Kreu i LSI-së ka pohuar se kjo nismë krijon një raport të ri mes Parlamentit dhe qeverisë. “Në thelb, ky është edhe një parim kushtetues, pavarësisht se është e lejueshme me ligj që deputeti të jetë edhe ministër. Mendoj që aplikimi i një parimi të tillë veçse i bën më efikase edhe qeveritë, edhe Parlamentin, aq më tepër po të kemi parasysh që sistemi nuk është mazhoritar, por është një sistem proporcional. Natyrisht, besoj se qeveria do të ketë punë jashtëzakonisht të mëdha, do të ketë një barrë të rëndë të cilat kërkojnë që ata që do të jenë ministra të jenë 24 orë të angazhuar për të bërë detyrën e ministrit. Ndërkohë që Parlamenti do të ketë shumë angazhime, shumë detyrime që do të thotë se edhe deputetët që do të jenë në Parlament, kanë një punë shumë të madhe për të bërë. Njëkohësisht krijohet edhe një raport i ri midis Parlamentit dhe qeverisë, që do të jetë një raport edhe bashkëpunimi, edhe transparence”, ka bërë të ditur Meta qëndrimin e tij.
Marrëveshja e Shkodrës, pika e 5-të për ndarjen ministër-deputet
“Do të organizojmë një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re”
Aplikimi online
Vasili: Edhe LSI ka bazën e saj të të dhënave për burimet njerëzore
Krahas Partisë Socialiste, edhe aleatja kryesore e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur prej kohësh aplikimin online për të punësuar qytetarët në administratën e qeverisë së re. Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili theksoi dje se forca e drejtuar nga Meta ka kohë që operon me një bazë të dhënash që po mblidhen nga aplikimet e qytetarëve. “LSI e ka përdorur prej kohësh aplikimin me CV për të sjellë sa më shumë prurje dhe për të bërë të mundur më pas përzgjedhjen e tyre. Kjo bazë të dhënash shërben për të motivuar njerëzit dhe për ti krijuar atyre mundësinë për të pasur akses. Ka qenë në traditën tonë që të jketë një garë të mirë të ndershme”, u shpreh Vasili për abcnews. Ndërkohë i pyetur nëse me krijimin e qeverisë së re, secili nga të dy aleatët do të ketë listën e saj të të punësuarve për administratë apo LSI do pranojë njerëz edhe nga baza e të dhënave të Partisë Socialiste, Vasili u përgjigj duke pohuar,: “Kjo është një pyetje e cila nuk një lidhje të drejtpërdrejtë. Ne kemi disa curriculume, të cilat janë dinjitoze. Këta njerëz duhet të kenë mundësi që të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme të vendit”.
PS ankimon sot rezultatin e Lezhës. Zguri: Rezultati i shpallur nga KQZ, legjitim
Partia Socialiste do të ankimojë sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor, rezultatin e disa zonave zgjedhore të qarkut të Lezhës. Në ankimin e Partisë Socialiste do të kërkohet të goditet vendimi i KQZ-së që shpalli rezultatin e qarkut të Lezhës, duke mos marrë për bazë tabelat e KZAZ-ve, por duke iu referuar tabelave elektronike të databazës së saj elektronike, rezultat që i hoqi PS-së një mandat në këtë qark. “Për këto 10 qendra do të kërkohet pavlefshmëria e tyre, por duke mos përjashtuar dhe rivotimin për afro 10 qendra votimi. KQZ, pasi konstatoi parregullsi në procesverbalet e disa qendrave të votimin në qarkun e Lezhës, vendosi të përdorë të dhënat e tabelave të saj elektronike për të shpallur rezultatin përfundimtar me to”, tha dy ditë më parë nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Koli Bele. Ndërkohë anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri theksoi dje nevojën e bërjes së transparencës së këtyre kutive të votimit sa më parë. “Është e nevojshme që të ketë një trasnparencë për këto 10 qendra dhe shpresoj që KQZ-ja në të ardhmen e afërt do të bëjë ë mundur transparencën që kanë këto 10 kuti votimi. Ato 10 qendra në prani të medias duhet të bëhet e ditur se çfarë kanë brenda”, u shpreh ai për tvklan. Zguri hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste për nxjerrjen e rezultatit për Lezhën, në bazë të tabelave elektronike t Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar legjitimitetin e vendimit të marrë. “Nga 258 qendra votimi kanë ardhur vetëm 248 tabela origjinale. 10 të tjera kanë qenë me korrigjime dhe fotokopje, gjë që ligji se njeh dhe as e pranon. KQZ në vend që nxirrte rezultatet mbi fotokopje të korrigjuara e gjeti më pranë ligjit dhe së vërtetës që të dhënat të merreshin nga sistemi elektronik i KQZ-së. Ndërkohë që të dhënat që vijnë në sistemin elektronik në KQZ vijnë zyrtarisht nga KZAZ, pavarësisht se ligji nuk kërkon që ti referohemi”, theksoi anëtari i KQZ-së Klement Zguri.