Sonja Caka
Gjykata/ Nuk duronte sa të vinin dritat në spital, shkoi dhe dhunoi infermierin Ruzhdi Merja
Dhunë barbare me një tub hekuri ndaj një infermieri, nga padurimi për të pritur sa të vinin dritat në spital, konkretisht në pavionin e Urollogjisë. Menjëherë është njoftuar policia, e cila i vuri prangat Aleksis Brankos nga Saranda, i cili kishte ardhur në Tiranë për bombardim të gurëve në veshka. Kjo dhunë i ka kushtuar një dënim me burg nga gjykata, e cila këtë masë dënimi me burg ia pezulloi duke e dnëuar përfundimisht me kusht. Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit e gjysëm të pandehurin Aleksis Branko, i akuzuar për “goditje për shkak të detyrës”. Për shkak të kushteve të këtij të pandehuri, gjykata ia ka pezulluar dënimin me burg, duke e lënë nën monitorimin e Shërbimit të Provës për një periudhë 2-vjeçare.
Ngjarja
Sipas gjykatës, më 24 janar 2013, rreth ores 12:00 i pandehuri Aleksis Branko së bashku me një shtetas tjetër, kanë qenë tek reparti Urollogjisë QSUT-së në Tiranë. Të dy kanë shkuar tek pavioni I Urollogjisë dhe janë takuar me shtetasin Ruzhdi Merja, i cili ishte me detyrën e infermierit. I pandehuri Aleksis Branko e ka pyetur nëse punonte aparatura për thyerjen e gurëve në veshka. Merja ka deklaruar se nuk punon pasi nuk ka drita dhe i ka thënë që të priste duke i dhënë të pandehurit edhe numrin e telefonit, me qëllim që ai ta lajmëronte sapo të vinin dritat. Me kaq, i pandehuri është larguar nga pavioni dhe e ka marrë disa herë në telefon shtetasin Merja për ta pyetur nëse kanë ardhur dritat apo jo. Shtetasi Merja në një rast i ka thënë në telefon të pandehurit të mos e shqetësonte pasi nuk kane ardhur dritat dhe kur dritat të vinin, ai do e njoftonte vetë. I pandehuri Aleksis Branko i ka thënë në telefon “prit se do vij ta rregulloj unë qejfin”. I pandehuri Aleksis Branko ka vajtur tek pavioni së bashku me një person tjetërdhe e ka goditur me një tub që mbante në dorë shtetasin Rruzhdi Merja në pjesë të ndryshme, në kokë dhe në trup, duke i shkaktuar dëmtime të ndryshme.
Tiranë
Rinas, mbërrin grupi i pestë i muxhahedinëve me 14 persona
Në aeroportin e Rinasit ka mbërritur dje grupi i gjashtë i refugjatëve muxhahedinë nga kampi Ashraf në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Brendshme, më datë 10 korrik 2013, ka mbërritur në Rinas (Tiranë) grupi i pestë i muxhahedinëve prej 17 personash nga ish-kampi Ashraf i Irakut, në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin në Shqipëri të 210 muxhahedinëve, e cila është një përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po sipas Ministrisë së Brendshme, dje ka mbërritur në Rinas grupi i gjashtë i muxhahedinëve prej 14 personash nga ish-kampi Ashraf i Irakut, në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin në Shqipëri të 210 muxhahedinëve, e cila është një përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata vijnë në Shqipëri nëpërmjet UNHCR, në përgjigje të kërkesës së qeverisë së SHBA, e cila ka në mbikëqyrje kampin Ashraf në Irak. Deri më tani numri i personave të pranuar për mbrojtje ndërkombëtare që vijnë nga ish kampi Ashraf i Irakut, ka arritur në 76 individë. Qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Brendshme ka marrë të gjitha masat për akomodimin dhe qëndrimin e sigurt të këtyre personave në Qendrën e Pritjes së Azilkërkuesve në Shqipëri. Në bazë të marrëveshjes së arritur, do të vijojë mbërritja e refugjatëve të tjerë në ditët e ardhshme, pjesë e grupit prej 210 personave, që Qeveria Shqiptare ka vendosur t’i pranojë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Qeveria ka marrë të gjitha masat për sistemimin e tyre në apartamente banimi të përshtatshme duke siguruar transferimin e tyre nga Qendra e Pritjes në banesat e tyre, brenda një kohe të shkurtër dhe trajtimin sipas të gjitha standardeve të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare dhe konventat e njohura nga Republika e Shqipërisë.
Dhuna në familje
E akuzoi gruaja për ushtrim dhune, dënohet me 4 muaj burg
Një grua, nënë e katër fëmijëve, ka humbur katër fëmijët e saj, pasi futi në burg burrin e saj, babai i këtyre fëmijëve. Tri ditë më parë ka qenë seanca e fundit gjyqësore për të pandehurin Kostandin Zamzadja nga Paskuqani, i cili akuzohet pre gruas së tij se ka ushtruar dhunë ndaj gruas dhe prindërve të saj, duke u dënuar përfundimisht me 4 muaj e 10 ditë burg. Gruaja denoncoi të shoqin në polici, fut burrin në burg dhe largohet për në banesën e prindërve në Lushnje, duke mos marrë me vete asnjë nga katër fëmijët e mitur, djalin dhe tri vajzat. Një seancë para vendimit, katër fëmijët kanë ardhur në gjykatë bashkë me gjyshërit për të takuar të atin, ndërsa janë injoruar plotësisht nga e ëma ndërsa kalonte në korridorin e gjykatës. Madje, gruaja ka akuzuar fëmijët për gjendjen e shkaktuar, por edhe prindërit e bashkëshortit se kanë bërë fëmijët për vete. Të pyetur ndërsa prisnin në korridorin e gjykatës, katër fëmijët me lot në sy deklaruan se babanë e kishte futur në burg nëna e tyre, e cila i kishte braktisur dhe tashmë jetonin me gjyshërit në Paskuqan. Më i madhi ishte vëllai i tyre në klasën e shtatë dhe më e vogla motra vetëm 4 vjeçe. Gjyqtari Kreshnik Omari ka caktuar për pasnesër seancën e radhës, ndërsa fëmijët dhe gjyshërit e tyre shprehen se presin që babai i tyre të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet për t’u kujdesur për ta.
Mat-Durrës
Shkojnë për plazh me shokët, mbyten dy të rinj
Shkojnë të shuajnë nxehtësinë e temperaturave të larta të korrikut dhe humbin jetën në plazhe. Ky ka qenë fati i keq për dy të rinj, të cilët janë mbytur dje, njëri në lumin e Matit, e tjetri në Gjirin e Lalzit. Nga hetimet paraprake, mësohet se 20-vjeçari i mbytur në lumin Mat, në zonën e Klosit, kishte shkuar në lumë për t’u larë me shokët. Po kështu, edhe 22-vjeçari tjetër i mbytur në Gjirin e Lazit, Besim Maja, nga Borizana e Krujës, kishte shkuar në plazh në Gjirin e Lalzit me shokët. Mendohet se 22-vjeçari nuk dinte not. Polumbarët kanë nxjerrë trupin e 20-vjeçarit të mbytur në lumin Mat, ndërsa po vijojnë kërkimet për të riun nga Borizana e Krujës, i cili u mbyt në plazhin e Lalzit.
Pogradec
I kapet arsenal armësh në shtëpi, prangoset 32-vjeçari
Është gjetur dhe konfiskuar dje një sasi e konsiderueshme municionesh në shtëpinë e një shtetasi. Policia e Pogradecit ka sekuestruar gjatë një operacioni në komunat e thella të ketij rrethi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarake. Në prangat e policisë ka rënë edhe poseduesi i tyre 32 vjecari nga fshati Laktesh Shpëtim Gjona. Sipas policisë, Gjonës iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 mitraloz, 300 fishekë model 56, 200 copë kallëpe tritol 200 gramësh, 100 metër fitil zjarpërcjelles, 500 copë kapsolla detonatore. I ndaluari i ka deklaruar policisë se arsenalin e armëve e kishte siguruar gjatë hapjes së depove të ushtrisë ne mars të vitit 1997.






