Partizani lë “ëmbëlsirën” për në fund, Muzaka dhe një talent i Lacios në fokus

0
135

Altin Vorpsi

Gjatë kësaj vere tek Partizani janë afruar shumë lojtarë

 Emrat më të fundit priten të jenë më të bujshëm

 

muzakaEdhe pse nga fundit i merkatos na ndajnë shumë ditë, Partizani ka menduar për t’i bërë gjërat sa më të lehta këtë vit. Drejtuesit e kësaj skuadre kanë vendosur që t’i japin në dorë Likës, një ekip të kompletuar. Të paktën kjo ishte ideja e deri pak ditëve më parë. Tani duket se situata kanë ndryshuar shumë. Partizani po tenton që të bëjë edhe disa goditje të fundit që, nëse realizohen, mund ta çojnë sërish këtë skuadër aty ku e ka vendin, në majat e futbollit shqiptar.

 

Emrat e mëdhenj

Pak kohë më parë, në skenë doli emri i ish-mesfushorit të Tiranës, që do të luajë me Skënderbeun, Gilman Lika, i cili mësohet të ketë zhvilluar disa takime me drejtuesit “e kuq”. Por në skenë, ditët e fundit ka dalë edhe emri i një tjetër lojtari mjaft të njohur në kampin e kuq, Gjergji Muzaka. Ky i fundit, aktualisht një prej mesfushorëve më të mirë të kampionatit shqiptar, ende nuk ka vendosur për cilën skuadër të luajë. Por ty lojtarët e krahut nuk janë të vetmit. Mësohet se Partizani po interesohet që të marrë edhe një talent të Lacios në Itali.

 

Kontakti

Pas Gilman Likës radhën e ka pasur Gjergji Muzaka, që ndryshe nga shkodrani nuk mund të konsiderohet si “i huaj” në këtë ekip. Muzaka ka qenë pjesë e Partizanit dhe mund të thuhet se “të kuqtë” e lançuan atë drejt objektivave të mëdhenj. Tani duket se është momenti që Muzaka t’i kthejë “kortezinë” ekipit “të kuq”. Burime pranë lojtarit kanë pranuar se mes dy palëve në fjalë ka pasur kontakte. Ndërkohë, zyrtarë të skuadrës pranojnë se janë të gatshëm që për të riveshur me të kuqe Muzakën janë gati të bëjnë edhe sforco financiare.

 

Në pritje

Edhe pse kanë afruar një numër të madh lojtarësh, përsëri drejtuesit “e kuq” duan që të forcojnë edhe më ekipin. Deri më tani ata kanë biseduar me talente si Mentor Mazrekajn dhe Enis Gavazajn që nga e tyre po presin oferta nga klube të huaja. Këto dy futbollistë ia kanë bërë të qartë skuadrës së Partizanit që nëse do të luajnë në Shqipëri nuk do të pranojnë të veshin asnjë fanellë tjetër përveç “të kuqes”.

Talenti i Lacios

Nëse do të mbyllej me sukses, atëherë mund të thuhet se Partizani ka bërë një nga blerjet më të bujshme të historisë së futbollit në vendin tonë. Siç dihet, prej kohësh drejtuesit e skuadrës “së kuqe” janë në kërkim të një lojtari cilësor për sulmin dhe shpeshherë është folur se ai do të vijë nga kampionati italian (Partizani jo më kot do të zhvillojë një turne disaditor). Burime pranë ekipit kanë bërë me dije se futbollisti në fjalë që do të vëzhgohet nga afër nga trajneri Lika aktualisht është pjesë e ekipit të të rinjve të Lacios. Flasim për Sani Emanuel, i cili prej tri vitesh është pjesë e ekipit të të rinjve dhe në asnjë moment nuk është grumbulluar me ekipin e parë. Emanuel gjithashtu ka luajtur edhe për kombëtaren e 20-vjeçarëve të vendit të tij, por nuk është thirrur në kombëtaren e parë. Emanuel është një nga dy lojtarët e vetëm në moshën 20-vjeçare te të rinjtë e Lacios dhe ai vetë ndoshta do të dëshironte të provonte një tjetër aventurë si futbollist profesionist. Blerja apo huazimi i një lojtari me shumë vlera do të ishte një hap i madh për Partizanin. 20-vjeçari ka bërë më mirë gjatë Kupës së Botës për 17-vjeçarë që u luajt në Nigeri më 2009. Në këtë edicion Nigeria e mbylli në vend të dytë dhe Emanuel u shpall golashënuesi më i mirë me pesë rrjeta të shënuara.

 

Boks

Krasniqi fiton me pikë ndaj Adamekut

Boksieri me origjinë shqiptare, Haxhi Robin Krasniqi, rikthehet te fitorja pas humbjes në muajin prill me kampionin e botës në fuqi Natan Kleverli, për peshën gjysmë të rëndë në versionin WBO. 26-vjeçari i lindur në Junik të Kosovës mposhti pas tetë raundesh rivalin çek Tomas Adamek në përballjen që u zhvillua në Gjermani. Krasniqi u shfaq superior që në raundet e para, duke fituar duartrokitjet e të pranishmëve në “Drezden Arena”. Zhdërvjelltësia në lëvizje si dhe goditjet e njëpasnjëshme të Krasniqit e vunë në vështirësi boksierin çek, që u mundua të mbrohej sa më mirë. Boksimi në distancë, sulmet e befasishme dhe tërheqja e menjëhershme për të shmangur goditjet e shkurtra të Adamekut i dhanë avantazhin psikologjik shqiptarit, në favor të të cilit shkuan tri raundet e para. Në raundin e katërt pati një kundërpërgjigje të lehtë të rivalit çek, por Krasniqi reagoi menjëherë duke treguar superioritetin e tij. Në dy raundet e fundit u ndie disi lodhja e boksierit shqiptar, që pësoi disa goditje nga Adameku, por pa vënë në rrezik fitoren. Vendimi i jurisë në fund të kësaj sfide ishte unanim në favor të Robin Krasniqit, të cilit i hapet rruga për të synuar sërish gjerdanin e artë në versionin WBO.

 

Përgatitjet

E tërë Korça “nën” efektin Champions

Korçarët janë të grumbulluar në bregdetin e Durrësit ku po zhvillojnë edhe përgatitjet e fundit përpara sfidës, që do të luajnë në Azerbajxhan përballë ekipit të Neftçi Bakusë në datën 17 korrik. Trajneri Josa po i jep ngarkesën e duhur lojtarëve si në aspektin fizik ashtu edhe teknik për të marrë një rezultat pozitiv. Pavarësisht premtimit të presidentit Takaj se Skënderbeu do të luajë ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampionëve në stadiumin e Korçës, tifozët janë në ankth për kohën se kur do të nisin punimet për ndërrimin e stolave. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se stolat janë porositur dhe pritet që të jenë në Korçë javën e ardhshme. Ndërsa në mesjavë pritet që të fillojnë punimet për ndërrimin e tyre, më qëllim që të përmbushen standardet e kërkuara nga UEFA për të zhvilluar këtë takim. Ultrasit korçarë kanë shumë shpresa që skuadra e tyre të kalojë në turin tjetër të këtij kompeticioni.

 

Dinamo

Dritan Mehmeti zëvendëson Dalipin në stol

Dinamoja është ndër skuadrat e vetme të kategorisë së parë që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Pasi i shpëtuan rënies në javën e fundit të kampionatit, blutë kryeqytetas vijnë me të tjera pretendime këtë sezon dhe për t’i përmbushur pritshmëritë kanë bërë ndryshimet e para që i përkasin stafit teknik. Edmond Dalipi nuk do të jetë më trajneri i Dinamos, ndërsa vendin e tij e ka marrë Dritan Mehmeti, i cili sezonin e kaluar e drejtoi për një kohë të shkurtër skuadrën pas largimit të Eduard Zhupës. Mehmeti i ka nisur prej disa ditësh përgatitjet, fillimisht me vetëm 6 futbollistë, por organika është plotësuar gradualisht, përveçse me disa nga elementët cilësorë të sezonit të kaluar, edhe me futbollistë të tjerë që pretendojnë ta veshin fanellën blu. Javën e ardhshme stërvitja do të intensifikohet me dy seanca në ditë, që lojtarët të marrin ngarkesën e duhur fizike. Problem për Dinamon mbeten terrenet stërvitore, pasi ende mungon një marrëveshje mes presidencës blu dhe Agjencisë së Sporteve për vijimin e përgatitjeve në ish-kompleksin “Dinamo”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency