Formulari A2 publikohet të mërkurën, ja si do të plotësohet

Dy fazat e tjera, që do të konkurrojnë kandidatët për në universitet

 

maturante-Pas datës 17 korrik maturantët do të nisin plotësimin e formularit A2. Burime pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije se formulari është në fazën e fundit të hartimit dhe do të publikohet në mesin e javës së ardhshme. Publikimi i tij do t’i vendosë maturantët në “dilemën” e fundit drejt shkollë së lartë. Zgjedhja e degëve duhet të bazohet te pikët që ka çdo kandidat dhe secili të zgjedhë degët të cilët mund t’i fitojë. Në formularin A2 maturantët do të mund të zgjedhin 10 preferenca. Në total për vitin akademik 2013-2014 do të jenë 328 programe studimi dhe vihet re se ka një shtim prej 25 degësh të reja. “Të gjithë kandidatët të cilët janë future në bazën e të dhënave me anë të aplikimit të formularëve A1 dhe A2 dhe nga këta, ata që kanë kaluar në të gjitha provimet e maturës. Janë 328 programe studimi. Çdo vit rritet numri i programeve të studimit”, – thotë Arben Fagu, specialist në Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Po kështu, specialistët e Ministrisë së Arsimit theksojnë se do të jenë rreth 42 mijë kandidatët të cilët do të aplikojnë për në universitet.

 

Si plotësohet A2-shi

Menjëherë pas publikimit, maturantët do të marrin një kopje të formularit A2. Nëpërmjet kopjes, kandidatët do të jenë më të qartë lidhur me preferencat e tyre. Aplikimi për A2-shin do të nisë nëpërmjet internetit. Në udhëzimin që MASH do të publikojë javës tjetër, do të përcaktohen edhe hapat se si do të bëhet plotësimi online. Të gjithë kandidatët mund të bëjnë zgjedhjen paraprake të degëve nga shtëpia. Pas zgjedhjes së degëve aplikimi do të vazhdojë në qendrat e përcaktuara nga MASH për mbylljen e procesit. Ministria e Arsimit do t’u japë mundësi të gjithëve të rregullojnë gabimet (nëse ka) në fazën e dytë të aplikimit, ku do të bëhet dhe dorëzimi i dokumentacionit përkatës. MASH bën me dje se çdo kandidat duhet të paguajë një tarifë prej 2000 lekësh për të aplikuar në formularin A2, mandatpagesën duhet ta kenë me vete ditën që paraqiten në shkollë për të plotësuar formularin.

 

Fazat e tjera për të qenë fitues

Kuotat, që mbeten të parealizuara për çdo program studimi pas aplikimit me formularin A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë. Në raundin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me të njëjtën renditje preferencash të atij raundi, me përjashtim të: fituesve të preferencës së parë të cilët janë regjistruar në këtë program studimi, kandidatëve të cilët nuk kanë kërkuar vazhdimin e konkurrimit për preferenca më të larta gjatë regjistrimit online dhe që rezultojnë të regjistruar në programin e studimit të preferuar. Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë me kuotat respektive të shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët: kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2. Kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013. Kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore; kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje. Kuotat, që mbeten të parealizuara edhe pas regjistrimit të fituesve të shpallur nga aplikimi në raundin e fundit, nuk rishpallen.

 

 

Japonia, 20 bursa për të rinjtë shqiptarë

 Qeveria japoneze, përmes Fondit Japonez për Zhvillimin e Burimeve Njerëzore, do të financojë 20 bursa studimi për vitin 2014-2015. Ky program parashikon akordimin e bursave individuale për kërkime të thelluara pasuniversitare në fushat e përzgjedhura të kërkimit: Mjedis (me fokus të veçantë në shkencat e ujit), Dialogu ndërkulturor, Informimi dhe shkencat e komunikimi dhe Zgjidhja paqësore e konflikteve. Bursat në fushat e mësipërme jepen për personat e diplomuar në programin e studimit master, me synim zhvillimin e kërkimeve pasuniversitare ose të specializimeve në fushat e studimit që përputhen me objektivat strategjikë të Programit të Bursave të Kërkimit UNESCO/KEIZO OBUCHI. Çdo Komision Kombëtar i vendeve përfituese (përfshirë dhe Shqipërinë) mund të paraqesë deri në 2 kandidatura. Afati përfundimtar për paraqitjen e aplikimeve pranë Komisionit Kombëtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme është data 29 korrik 2013, ndërsa afati përfundimtar për paraqitjen e kandidaturave shqiptarë pranë zyrës së UNESCO-s është data 30 gusht 2013. Në nivel kombëtar, seleksionimi fillestar do të organizohet nga Komisioni Kombëtar për UNESCO-n pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, brenda datës 31 korrik 2013. Të gjithë kandidatët do të njoftohen nëse janë përzgjedhur në këtë fazë ose jo. Ndërsa seleksionimi përfundimtar i përftuesve do të bëhet nga një Komision i Posaçëm i UNESCO-s dhe vendimi përfundimtar do të merret nga Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s. Nënvizojmë se përzgjedhja në nivel kombëtar nuk sjell automatikisht përzgjedhjen nga UNESCO-ja.

 

Durrës, ndërpritet uji te Mali i Robit

Dhjetëra familje në zonën e plazhit tek Mali i Robit në Durrës janë lënë pa ujë të pijshëm. Ata kanë denoncuar faktin se sipas tyre persona të panjohur janë prezantuar si punonjës të ujësjellësit dhe kanë prerë ujin duke ndërhyrë në matës. Sipas banorëve, me pretendimin se “kontrata e deri tanishme nuk vlen më”. Banorët shprehen se u është thënë se uji “do të vijë kur të vendosni kontratën e re me 140 mijë lekë të vjetra, pasi kontrate 10-vjeçare që keni nuk vlen më”. Uji është prerë pa dijeninë e banorëve, të cilët ishin duke pushuar në plazh. Banorët thanë se kur janë kthyer në banesa, nuk kanë gjetur ujë në çezma.

 

Vera, fluks te Infektivi, helmimi nga ushqimet

Helmimi nga ushqimi është diagnoza më e shpeshtë që haset pas vizitave të mjekëve, por edhe infeksionet e ndryshme kanë qenë të pranishme. Ndërkohë, kontigjenti i pacientëve që ka shfaqur komplikacione ka qenë ai i moshës së tretë. “Mesatarisht janë 60-70 raste në ditë. Pjesa më e madhe paraqesin simptomatologji të prekjes së aparatit tretës, pra helmim ushqimor ose gastro-interite të cilat paraqiten me të vjella, dhimbje barku, diarre, temperaturë. Problematika tek moshat e vjetra është akoma më e madhe pasi ato kanë bashkëshoqëruese edhe sëmundje të tjera, siç mund të jenë diabeti, hipertensioni, problem të zemrës, të mushkërive, të cilat e komplikojnë dhe e vështirësojnë trajtimin e tyre”, – thotë mjekia infeksioniste Klodiana Shkurti. Mjekët ngrenë shqetësimin se pacientët nuk e respektojnë sistemin e referimit, duke e neglizhuar mjekun e familjes dhe drejtohen menjëherë në spital, duke bërë që shpeshherë të krijohet një numër i lartë pacientësh të cilët kërkojnë njëkohësisht ndihmë mjekësore. Kjo shpeshherë për bluzat e bardha bëhet e papërballueshme. “Doja t’u bëja një apel të gjithë qytetarëve. Së pari, të mos neglizhojnë mjekun e familjes, i cili është i pari që duhet t’i vizitojë, t’i vlerësojë, t’i mjekojë dhe pastaj t’i drejtojë për në qendrën e domosdoshme dhe jo të neglizhojnë në shtëpi apo të alarmohen e të vijnë drejt në spital”, – thotë Shkurti.

Share it :