Berisha: Dorëheqja ime, jo emocionale, vendimi i duhur për PD-në

0
130

“Në gjirin e mazhorancës së dalë nga 23 qershori gjenden klanet tashmë me pushtet më të rrezikshëm të drogës dhe krimit në rajon dhe më gjërë. Ky nuk është një ogur i mirë për Shqipërinë. Ky është Ndryshim! Me vrap drejt krimit dhe drogës!”

 

timthumbNë pamundësi për t’iu përgjigjur 12 mijë personave që i kanë shkruar në rrjetin social Facebook, Kryeministri Berisha ka vendosur të shkruajë për ta një letër publike. Në radhët e letrës së shefit të qeverisë, komenton dhe shprehet për dorëheqjen e tij, marrjen e vendimit, por edhe për sfidat e ardhshme që presin opozitën e djathtë. Lideri historik i së djathtës, shkruan edhe mendimin e tij në lidhje me mazhorancën e re që është formuar pas 23 qershorit, ndërsa shprehet se kjo zgjedhje është një ndryshim rrënjësor drejt krimit dhe drogës. Kryeministri rrëfen se e ka marrë vendimin për dhënien e dorëheqjes nëse do të humbiste zgjedhjet që në 1992. Më poshtë po publikojmë letrën e plotë të shefit të qeverisë në detyrë dhe të kreut të Partisë Demokratike, deri në 22 korrik, ditë kur do të mbahen edhe zgjedhjet për kryetarin e ri të selisë blu:

“Të dashur miq, së pari ju drejtohem me lutjen të më pranoni këtë mesazh si përgjigjen time më miqësore për secilin prej jush, mbasi me gjithë dëshirën shumë të madhe që kam që në traditën time t’ju përgjigjem, ashtu siç e meritoni, me mesazh të veçantë çdonjërit prej jush, praktikisht kësaj radhe e kam të pamundur.

Së dyti ju falënderoj me mirënjohje të thellë për mesazhet tuaja të njerëzishme, prekëse por dhe frymëzuese për mua. Ju në to keni derdhur dhe dëshmuar ndjenjat më të pastra e miqësore ndaj meje, keni shprehur si në poema të vërteta vlerësimin dhe krenarinë tuaj për arritjet e mëdha të vendit nën qeverisjen e PD-së, të cilat janë dhe të secilit prej jush dhe të çdo shqiptari. Ato nuk zhbëhen dot nga asnjë revansh dhe përbejnë një trashëgimi të shkëlqyer të Partisë Demokratike dhe të gjithë atyre që i besuan dhe i besojnë asaj. Në mesazhet tuaja thuajse të secilit prej jush, ju shpreheni kundër dorëheqjes sime dhe kërkoni që unë ta shqyrtojë përsëri vendimin tim.

Miqtë e mi, unë dhashë dorëheqjen jo nga emocione as dhe nxitim por sepse nuk mund të merrja vendim tjetër. Kam qenë dhe jam thellësisht i bindur se ky ishte vendimi më i mirë për vendin tim por edhe për Partinë Demokratike, për mua dhe për ju, për çdo demokrat. Për mua dhe për ju miqtë e mi, thelbi i njeriut të lirë dhe forca e tij prej Anteu qëndron në dinjitetin e tij. Unë ju garantoj se kurrë nuk e kam shkëputur dinjitetin tim njerëzor nga dinjiteti i atyre që unë kam përfaqësuar si president i vendit, si Kryeministër, si kryetar i Partisë Demokratike. Unë dhashë dorëheqjen pikërisht sepse atë kërkonte dinjiteti im, dinjiteti i secilit prej jush, i Partisë Demokratike dhe i vendit tim. Jam shumë i sigurt se me dorëheqjen time, secili prej jush, në çdo rast e në çdo betejë, do të ndjehet më dinjitoz me mikun tuaj Sali Berisha dhe me krenar me besimin, mbështetjen, dashurinë dhe respektin që keni treguar ndaj tij. Sikundër dua t’ju rrëfej sot haptazi se vendimi që shpalla me datë 26 qershor është marrë si një betim nga unë në verën e vitit ‘91 dhe nga ajo kohë nuk e kam vënë kurrë në diskutim.

Kur prin, kur udhëheq, duhet të ndërtosh jo vetëm sulmin e fitores por duhet të parashikosh gjithnjë dhe tërheqjen në rastin e humbjes, si kushtin vendimtar që kjo e fundit të shndërrohet në sfidë për fitoren e radhës. Pra e kam dhënë dorëheqjen me bindjen më të thellë se unë dhe të gjithë ju vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë me dinjitet njerëzor dhe politik të pacenuar do të ngrihemi me kokë lart me fuqishëm dhe më shpejt se gjithë të tjerët për të vazhduar betejën tonë. Unë dhashë dorëheqjen nga Kryetar i PD dhe funksionet tjera në PD për të qëndruar në politikë, në Parlament dhe kudo me secilin prej jush çdo orë e çdo ditë, 18 orë në ditë për të organizuar së bashku me të gjithë forcën, përkushtimin, energjinë tonë opozitën më të fuqishme që Shqipëria ka njohur ndonjëherë.

Ne do të qëndrojmë avoketër të pamposhtur të parimeve dhe vlerave që besojmë dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, të atyre që na votuan ne dhe të atyre që besuan premtimet antiglobaliste të kundërshtarëve tanë, të cilët sapo morën votën nisën t’i zëvendësojnë premtimet e tyre me revanshin e papërmbajtur të pushtetit që lindi siç po duket çdo ditë e më shumë nga mashtrimi.

Në gjirin e mazhorancës së dalë nga 23 qershori gjenden klanet tashmë me pushtet më të rrezikshëm të drogës dhe krimit në rajon dhe më gjerë. Ky nuk është një ogur i mirë për Shqipërinë. Ky është Ndryshim! Me vrap drejt krimit dhe drogës!

 

Por ne do qëndrojmë së bashku në një beteje jetike për të mos lejuar shndërrimin e Shqipërisë në protektorat droge dhe krimi të pushtetarëve të rinj dhe ndëshkuar kështu rëndë çdo fëmijë, të ri, të moshuar, burrë, grua të këtij vendi.

Pra misioni ynë është i madh dhe jo i lehtë. Por ne demokratët dhe demokratet kemi qenë dhe jemi qytetarët e misioneve të mëdha! Përpara në misionin tonë!

Ju përqafoj secilin prej jush!

Miqësisht Sali Berisha”

 

 Paloka: Qeveria e re s’do të mbajë premtimet, humbja, nga shkëputja me bazën dhe lista

 Pa u formuar ende qeveria e re socialiste, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaron se premtimet e tyre kanë filluar të dështojnë që tani. Sipas tij, justifikimet mes përfaqësuese të PS-së dhe të LSI-së kanë filluar të shfaqen pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. “Janë mashtrimet e para që po dalin në shesh, pasi ishin absurde edhe si premtime, ishin krejtësisht të parealizueshme. Pra, shëndetësia falas, ulje taksash, heqje e taksave për 95 për qind, heqje e TVSH për energjinë elektrike, taksën progresive. Duke përdorur edhe këtë variantin tjetër që gjoja nuk po merremi vesh me LSI-në, tani fillojnë t’u bien një nga një. Tani kanë filluar t’u dalin mashtrimet pa u bërë ende qeveri. Por sigurisht që problemet do t’i kenë me qytetarët, edhe atyre që u kanë blerë votën, qoftë për një thes me miell, për 20 mijë lekë apo më shumë, edhe atyre u ka mbaruar mielli tani”.

Iniciativa e Kryeministrit të ardhshëm për prishjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare të jugut, për Edi Palokën është një farsë, pasi, sipas tij, bashkitë në këto zona janë drejtuar nga e majta dhe lejet e ndërtimit janë dhënë nga vetë krerët e këtyre njësive vendore. Paloka komenton edhe deputetin e zgjedhur tashmë në Vlorë, Koço Kokëdhimën. “Edhe kjo është pjesë e atyre absurditeteve dhe atyre shfaqjeve jonormale që bën Rama. Po prish ndërtimet pa leje në një qytet që historikisht është drejtuar nga e majta. Dhe dëgjoja Koço Kokëdhimën që fliste në mënyrë parimore për ndërtimet që u merrnin frymën qytetarëve në bregdet. A e kupton çfarë absurditeti ka këtu? Ndërtesat dhe pallatet më të mëdha dhe jashtë loje aty janë pallatet që ka bërë Koço Kokëdhima”. Ndërsa është ndalur në humbjen e së djathtës, Paloka tha një sërë arsyesh që fillojnë nga qëndrimi në kabinetin qeveritar të ministrave për 8 vjet, të cilët e shkëputën së bashku me drejtorët e emëruar prej tyre vëmendjen nga qytetarët dhe militantët. Madje, sipas tij, ministrat arritën të bëheshin arrogantë edhe me deputetët, çka s’mund të krahasohej me qytetarët. Një tjetër ndëshkim për të djathtën erdhi për shkak të koalicionit me LSI-në në mandatin e dytë, ndërsa nuk përjashton si shkak për humbjen edhe listat e kandidatëve. “Këta ministra sollën drejtorë të pandryshueshëm që krijuan një distancë dhe u bënë arrogantë jo vetëm me militantët e thjeshtë, por edhe me deputetët. Kur ishin arrogantë me deputetët, imagjino si mund të ishin me qytetarët këta lloj drejtorësh, sepse u krijua ideja që unë jam në këtë vend, nuk më lëviz kush. Të mos harrojmë se ishte një koalicion i detyrueshëm. Faktorët janë të shumtë, mbase edhe listat si pjesë e këtyre faktorëve që ndikojnë sigurisht, emrat e qytetarëve ndikojnë tek qytetarët”, – u shpreh ai. Deputeti demokrat vlerësoi pozitivisht fushatën e dy kandidatëve për kryetar të PD-së si dhe platformat e tyre, ndërsa mirëpret idenë e partive të koalicionit që me zgjedhjen e lidershipit të ri, me fillimin e sesionit të ri parlamentar, partitë e djathta të krijojnë një formacion stabël të së djathtës shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency