Elton Qyno
Policia merr në mbrojtje banesën e autorëve të krimit. Xhaxhai: Nuk ia vlente ky dëm
Bilanci i konfliktit të mbrëmshëm në Vukatanë të Shkodrës, me një viktimë dhe katër persona të plagosur, ka pasur si shkak prishjen e hardhive të rrushit. Policia e Shkodrës bëri me dije se pjesëtarët e të njëjtit fis kanë debatuar ashpër, sepse bagëtitë kishin prishur hardhitë e njërës prej familjeve. Nik Muri, 54 vjeç, ka debatuar me nipin e tij, Gjin Murin, 23 vjeç. Në debat janë përfshirë edhe djemtë e tjerë të dy familjeve. Sipas policisë, gjithçka ka nisur kur Niku i ka kërkuar të nipit që të ndalë bagëtitë së ngrëni hardhitë. Kjo arsye banale ka mjaftuar që debati të shtrihej për pronësinë e rrugës në vendin ku familja e Mark Murit kishte nisur të bënte një ndërtim. Pas debatit Çesk Muri në bashkëpunim me babain e tij Nik Murin ka marrë armën e zjarrit në banesë dhe ka nisur të qëllojë në drejtim të djemve të xhaxhait të tij. Policia thotë se nga të shtënat ka mbetur i vdekur në vend Gjin Muri, 23 vjeç, dhe janë plagosur Aleksandër dhe Gjin Muri si dhe vëllezërit e viktimës. Katër të plagosurit e dy familjeve të përfshira në konflikt janë jashtë rrezikut për jetën. Për këtë ngjarje policia ka arrestuar babë e bir, Nik Muri dhe Çesk Muri, si autorë të ngjarjes nën akuzën “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e kryer në bashkëpunim”.
“Nuk ia vlente ky dëm”
Shtëpia e viktimës dhe autorit ndodhet vetëm 30 metra larg njëra-tjetrës dhe kjo duket se e bënë edhe më të rëndë gjithçka çfarë ka ndodhur mes dy familjeve. Xhaxhai i viktimës dhe njëkohësisht i autorit të ngjarjes, Zef Nika, ka treguar: “Kjo është një ngjarje e rëndë për këdo që e dëgjon dhe merreni me mend se sa e rëndë është në familjet tona. Nuk do kishim dashur që kjo kurrë të ndodhte, por kështu paska qenë shkruar. Jemi tepër të mërzitur dhe të hidhëruar për atë çfarë ka ndodhur. Nuk ia vlente në asnjë mënyrë që të behej gjithë ky dem për debate të kota, për më tepër kur është mes vëllezërve”. Ndërsa familja e Mark Murit ka hapur dyert e mortit, banesa e autorëve të ngjarjes që ndodhet vetëm pak metra larg shtëpisë së viktimës, është marrë në mbrojtje nga policia nga frika e ndonjë hakmarrjeje mes palëve. Dy familjet e dy vëllezërve Mark dhe Nikë Muri të ardhura nga zonat e thella të malësisë jetonin prej shumë vitesh në fshatin Vukatanë dhe marrëdhëniet mes tyre ishin ftohur prej kohësh, për shkak të një konflikti për pronën. Një ftohje që tashmë përfundoi në një gjaknxehtësi të tepruar me një të vrarë e katër të plagosur.
Vrasja
Sipas policisë, shtetasi Nik Muri, 54 vjeç, ka shkuar te banesa që po ndërtonte aty pranë nipi i tij, Gjin Muri, dhe ka nisur të debatojë. Më pas në debat janë përfshirë edhe meshkujt e tjerë të dy familjeve. Grindja mes tyre ka nisur fillimisht për motive banale, ku Nika i ka kërkuar llogari nipit se bagëtitë i kishin ngrënë hardhitë. Kaq është dashur që mes palëve të fillojë edhe debati për pronësinë e rrugës në vendin ku familja e Mark Murit kishte nisur të bënte një ndërtim. Pas pak minutash gjithçka ka dalë jashtë kontrollit kur shtetasi Çesk Muri, 23 vjeç, në bashkëpunim me babain e tij, Nik Murit, ka marrë armën e zjarrit në banesën e tyre aty pranë dhe ka nisur të qëlloj në drejtim të djemve të xhaxhait. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Gjin Muri, 23 vjeç, dhe janë plagosur shtetasit Aleksandër Muri, Gjin Muri, vëllezërit e viktimës si të plagosur lehtë. Ndërkohë që nga goditja me sende të forta kanë mbetur dhe dy autorët e ngjarjes babë e bir Nik dhe Çesk Muri. Mësohet se të katër plagosurit e dy familjeve të përfshira në konflikt Mark dhe Nik Muri janë jashtë rrezikut për jetën.
Maskat sulmojnë çiftin në Peqin s’gjejnë lekët, rrahin dy persona
Haki dhe Farie Beqiri goditen me sende të forta. Policia shoqëron 15 persona të dyshuar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Peqin, ku burrë e grua janë sulmuar nga persona ende të paidentifikuar, ku janë rrahur me sende të forta. Haki dhe Farie Beqiri kanë qenë në gjumë kur janë sulmuar befasisht brenda ambienteve të banesës së tyre në fshatin Celhagë. Mësohet se tre persona kanë hyrë për të grabitur, por në pamundësi për të gjetur paratë dhe sendet me vlerë kanë lidhur dhe më pas keqtrajtuar dy bashkëshortët, të cilëve u është kërkuar që të tregonin vendin se ku kishin strehuar shumat financiare. Mësohet se grabitësit kanë goditur me mjete të forta Haki Beqirin dhe gruan e tij Farie Beqiri dhe janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital dhe sipas mjekëve gjendja shëndetësore e gruas është e rëndë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
15 të shoqëruar
Lidhur me ngjarjen e rëndë, policia e Elbasanit në bashkëpunim edhe me komisariatin e Peqinit, kanë marrë së një sërë masash për identifikimin e tre autorëve. Mësohet se gjatë ditës së djeshme uniformat blu kanë shoqëruar 15 persona për t`i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Pasi kanë treguar atë çfarë dinin, më pas të gjithë personat janë lënë të lirë. Burime pranë, policisë sqaruan se dyshimet e para bien mbi disa persona, që janë banorë të disa fshatrave për rreth fshatit Celhagë, por tashmë këta individë janë duke u mbajtur në vëzhgim, në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme. Në pyetje është marrë dhe Haki Beqiri, i cili u ka treguar momentet dhe bisedat që personat e maskuar kishin hyrë për të grabitur në banesë. Ai u ka treguar vetëm karakteristikat e grabitësve, ndërkohë që policia është duke kryer verifikime për gjetjen e autorëve. Ngjarja në fjalë tronditi opinionin e zonës, për shkak se në fshat nuk kishte ndodhur një sulm i tillë.
“Lekët ose të vramë”
Tre personat pasi kanë kontrolluar shtëpinë dhe nuk mundën të gjenin paratë, kanë kapur burrë e grua duke i goditur me sende të forta. “Lekët ose ndryshe të vramë”, – i kanë thënë Haki Beqirit, ndërsa ky i fundit i ka pohuar se nuk mund t’i jepte asnjë lek, pasi s’kishte në banesë. “Më vrisni nuk kam çfarë t’ju jap”, – i ka pohuar Beqiri. Pas kësaj përgjigje, ai është keqtrajtuar së bashku me gruan e tij. Ndërkohë që më tej tre personat janë larguar në drejtim të paditur. Sipas dëshmisë së Haki Beqirit, prej disa vitesh ai kishte qëndruar emigrant në Itali dhe se ishte kthyer disa kohë më parë, ku kishte filluar të ndërtonte një shtëpi. Siç duket kjo i ka shtyrë dhe tre personat për të hyrë në banesën e tij, me qëllim grabitjen e parave.





