Tregjet më funksionale në Tiranë janë tregjet e shumicave (si Medreseja), në të cilat mallrat jepen me një çmim relativisht të arsyeshëm, për buxhetin normal, bazë të çdo qytetari. Këto tregje shërbejnë si pika shumice për shumë dyqane të cilat tregtojnë po të njëjtin mall, por në pika të ndryshme të qytetit
Shtresa e mesme drejt mallit, jo cilësisë
Të vishesh bukur do të thotë të zgjedhësh veshjen e duhur në kohën dhe vendin e duhur. Mundësit që tregu shqipëtar ofron për tu veshur janë nga më të ndryshmet duke filluar nga dyqanet firmato deri tek rrobat e përdorura “gabi”. Çdo kush zgjedh vendin që i duket më përshtatshëm për tu veshur, ku diferencën e bëjnë çmimet,dhe cilësia. Faktori parësor që ndikon në zgjedhjen e veshjeve tona është çmimi me të cilën ai paraqitet në treg. Të gjithë ëndërrojnë të vishen bukur, me klas, dhe me rroba të shtrenjta firmato, por sa prej këtyre munden realisht t’i përkasin kësaj kategorie?
Tregjet e shumicës
Tregjet më funksionale në Tiranë janë tregjet e shumicave si (Medrese), në të cilat mallrat jepen me një çmim relativisht të arsyeshëm, për buxhetin normalë bazë të çdo qytetari. Këto tregje shërbejnë si pika shumice për shumë dyqane të cilat tregtojnë po të njejtin mall por në pika të ndryshme të qytetit. Nëse flasim për çmimet sa ndryshojnë nga vendi ku ato merren në atë që tregtohen, atëherë mund të themi që çmimet ndryshojnë nga 500-1000 mijë lekë të reja nga zonat fillestar të tregtimit. Mjafton të shkosh në tregun e quajtur tregu “Çamë” dhe shumë mirë mund të kuptohet ndryshimi me tregun tjetër po në Tiranë i quajtur “Medrese”, çmimet kanë një luhatje të konsiderueshme prej 300-500 qind lekësh të reja. Për të mos folur më pas për dyqanet e vogla të lagjeve dhe të rrugicave, në të cilat çmimi ndryshon në bazë të zonës në të cilën ndodhet dyqani duke përfshirë këtu një element tepër të rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt sipas shitësve tek çmimi, që është qiraja.
Dyqanet firmato
Emrat më të njohur të kompanive më me zë në botë, tregtojnë mallrat e tyre edhe në vendin tonë, me çmime relativisht tepër të larta. Personat që kanë mundësinë të shkojnë në të tilla dyqane janë të pakët në numër, pasi një bluzë firmato në bllok kushton 300-700 euro. Çmimi pavarësisht se është i papërballueshëm nga një shtresë e mesme, garanton cilësi dhe garanci. Ndryshe nga mallrat që tregtohen në tregje, dyqanet nën logon firmato ekzistojnë posaçërisht jo për shtesën e mesme por për një elitë e cila është në kërkim të mallrave të tilla. Personat që hyjnë në kategorinë e konsumatorëve elitë janë, vipat, personalitetet e larta, njerëz me pozicion të ngritur social etj. Nuk duhen përjashtuar dhe ata që ndoshta nuk kanë pozicionin e personave të përmendur më lartë por janë të apasionuar pas rrobave firmato dhe për këtë arrijnë deri në sakrifica të skajshme.
Qendrat tregtare
Të preferuarat e të gjitha shtresave janë qendrat tregtare, në të cilën bëhet shoping në kushte komode. Qendrat shihen si një mundësi tregtimi të suksesshme në të cilën çdo kush mund të blej atë që do sipas xhepit personal. Mallra të kohës, trendy, të grupuara në një qendër të madhe tregtare, krijojnë mundësi zgjedhjeje. Çmimet në këto qendra janë mesatare dhe mbi mesatare duke variuar nga 500-7000 mijë lekë në dyqane të mira por jo firmato. Vlera e çmimit lidhet drejtpërdrejt me emrin e dyqanit, nëse flasim për një firmë tepër të njohur nuk mund të presim që të hyjmë atje dhe të blejmë diçka të lirë nën 5000 mijë lekë.
Gabi
Tregu i gabit sjell markat më të njohura pranë klientëve me më pak lekë. Në Tiranë ekzistojnë disa pika kryesore të këtyre tregjeve, duke evidentuar tendencën më të fundit që është dalja në rrugë. Në këto pika mundet të blesh gjithçka, duke filluar nga aksesorët, veshjet etj.
“Pesa”, bluza me 50 lekë
E quajtur si “Pesa” është pika e parë dhe më e lira ndër të tjerat. Emri i saj vjen si rrjedhojë se ndodhet në krah të spitalit të neurologjisë në Tiranë. Me qindra tregtarë shesin mallin e tyre të nxjerrë nga ato dengjet e mëdha qytetarëve, të cilët në këtë zonë nuk mungojnë asnjëherë. Tregtimi i mallit në këto zona bëhet në tokë dhe në tenda të ndryshme të sajuara nga këta “tregtarë”. Zhurma e gërthitjeve në këtë zonë nuk vjen nga pacientët e “famshëm” të 5-ës, por nga tregtarët e tregjeve të cilët përgjatë gjithë paradites gërthasin me të madhe duke reklamuar mallin dhe çmimin e tyre. “Hajde këpucë me 5000 lekë”, – ulëret njëri, ndërkohë nga ana tjetër personi që shet bluza thërret me të madhe: “Sapo u hap dengu i ri, bluza me 500 lekë kemi këtu”. Çmimet me të cilat këto veshje ofrohen në këtë zonë, fillojnë nga 500 lekë dhe deri në 35000 lekë. Sigurisht, në të gjithë këtë artikull do të flasim me të vjetra.
“Treni”
Emri derivon nga afërsia që ka me stacionin e trenit. Një treg i cili mund edhe të ngatërrohet me atë të Medresesë, në brendësi të saj pasi në të ndërthuren rrobat e reja me të përdorurat. “Ka raste që këtu shiten edhe ato të përdorurat apo ato që janë nga dengu si të reja, vetëm se i vendosin një etiketë që shpesh është e rreme”, – shprehet një blerëse në këtë zonë. Tregu fillon në të djathtë të stacionit nga fillimi i rrugës, duke u shtrirë në një rrugë të ngushtë midis shtëpive private dhe tregtarët në këtë zonë shpesh oborret e shtëpisë i kthejnë në “dyqane” për të shitur mallin. Më pas tregu vijon në një fushë të gjerë, ku në njërin krah ka rroba të gabit dhe në krahun tjetër shiten fruta-perime në tokë dhe një vend apostafat i krijuar me tenda për mallin e ri dhe të vjetër. Çmimet në këtë zonë variojnë nga 2 000 lekë dhe deri në 70 000 lekë (të vjetra).





