Altin Vorpsi
Drejtuesit e skuadrës kuqezi janë në bisedime me Dragoin
Tekniku Gjoka ka shtyrë “startin” e përgatitjeve, pasi jo të gjithë lojtarët janë zyrtarisht të klubit
Në Vlorë po punojnë për një skuadër të fortë por ende asgjë nuk është zyrtare. Të paktën deri më tani një pjesë e mirë e grupit që i është “premtuar” kësaj skuadre nuk janë zyrtarisht pjesë e saj. Përse? Nuk kanë parë ende vendin bosh në kontrata ku të hedhin firmën e tyre. Një fakt i tillë shpjegon nisjen me vonesë të përgatitjeve për edicionin e ri.
I riu
Dje doli edhe emri më i ri për Ernest Gjokën. Dani Dragoi shihet nga drejtuesit e Flamurtarit si një element i vlefshëm. Futbollisti në fjalë, sezonin e shkuar ka qenë pjesë e Vllaznisë dhe tashmë është shumë pranë vlonjatëve. Burime pranë klubit bënë me dije se Dragoi është një hap larg firmës edhe pse më parë duhet të zhvillojë një raund final bisedimesh. Gjithsesi për të ardhmen e futbollistit do të diskutohet gjatë takimit që ai do të ketë me drejtuesit, ku pritet të firmoset edhe kontrata.
Rinovimet
Ajo e sotmja pritet të jetë një ditë mjaft e rëndësishme për Flamurtarin pasi pritet të firmosin me këtë klub të tjerë lojtarë titullarë të cilët mbyllin sezonin e kaluar kampionatin tek ky ekip. Burime pranë kësaj skuadre kanë bërë me dije se sot mund të firmosin malazezi Rajoviç, dhe kroati Bratiç. Dy lojtarët pritet të nënshkruajnë një kontratë dyvjeçare duke mbyllur kështu edhe mundësitë e largimit të tyre. Po sot mendohet se do të zgjasin kontrata respektive edhe lojtarë si Lena, Veliu dhe Zeqiri.
Stërvitja
Edhe pse dita e sotme ishte vendosur si afat për të nisur përgatitjet për edicionin e ri një gjë e tillë nuk mendohet se do të ndodhë. Shkaku? Shumë lojtarë ende nuk kanë firmosur dhe grupi është i paplotësuar. Nuk dihet ende një datë e saktë se kur do të nisin stërvitjet, megjithatë brenda javës së ardhshme, me shumë mundësi trajneri Gjoka do të nisë nga puna për sezonin e ardhshëm futbollistik.
Reagimi
Basha: Nuk kam kërkuar largimin nga Torinoja
Dy ditë më parë njëri prej sajteve italiane që trajton më së shumti merkaton e futbollistëve informonte se Migjen Basha, për arsye familjare, i ka kërkuar Torinos që ta shesë. Po reagimi i 26-vjeçarit ndaj këtyre spekulimeve ka qenë i prerë. 24 orë me vonë Basha ka thënë se nuk e di se nga ka dalë ky lajm dhe as që e ka menduar largimin pas blerjes së kartonit te klubit nga Atalanta. “Momentalisht jam me pushime, nuk jam në dijeni se nga kush është plasuar ky lajm por sidoqoftë më duhet të them se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes”, – ka thënë Basha. Sipas faqes “Tuttomercatoweb”, thuhej se mesfushori i Kombëtares Shqiptare po mendon largimin nga Piemonte për arsye familjare. Edhe pse nuk dihen qartësisht shkaqet e këtij vendimi, presidenti Urbano Kairo është i gatshëm ta nxjerrë në shitje 26-vjeçarin e lindur në Kosovë, pavarësisht se ai hynte në planet e trajnerit Ventura për sezonin e ri përfundon “Tuttomercatoweb”.
Në rrugë të mbarë
Shkëmbi nuk shqetësohet nga humbjet e thella në miqësore
Humbjet, disa me shifra të thella, në miqësoret e zhvilluara në Austri nuk e shqetësojnë kapitenit e Skënderbeut Bledi Shkëmbi, i cili mendon se kampionët e superiores janë gati për t’u përballur me kundërshtarët evropianë në Champions Ligë. Neftçi Baku, sipas Shkëmbit është një kundërshtar i fortë i nivelit të Debreçenit, por që Skënderbeu mund ta kalojë edhe pse diferencat në buxhet mes dy klubeve janë të ndjeshme. Pavarësisht largimit të Sebino Plakut, 33-vjeçari tha se me blerjet e reja Skënderbeu është forcuar më shumë. Neftçi Baku – Skënderbeu do të zhvillohet më 17 korrik në kryeqytetin azer, ndërsa takimi i kthimit një javë më pas në Korçë.
Merkato
Gramoz Kurtaj nënshkruan me Karl Xajs Jena
Mesfushori shqiptar, Gramoz Kurtaj ka nënshkruar kontratë me klubin e ligës së 4-të (Veri) të Gjermanisë, Karl Xajs Jena. Lajmi bëhet i ditur në uebfaqen e klubit dhe është konfirmuar edhe nga të afërm të lojtarit. 22-vjeçari i cili së fundmi është aktivizuar me Neustrelitz ka arritur marrëveshje dy vjeçare me klubin e ri. Trajneri i Karl Xajs Jena, Petrik Sander ka lavdëruar tepër Kurtajn dhe është i kënaqur qe do ta ketë në ekipin e tij shqiptarin. Kujtojmë se kohë më parë Kurtaj ishte pjesë edhe e Kombëtares Shqiptare por pas një lëndimi që kishte pasur, karriera e tij u “pezullua” për një kohë.