Pas zgjedhjeve PS mbledh sot grupin parlamentar, diskutohet qeveria e re dhe ndarja ministër-deputet

0
114

Gëzim Saliu

ramaRama pritet të ndajë me deputetët analizën për zgjedhjet e 23 qershorit dhe të paraqesë ecurinë e negociatave me LSI-në dhe aleatët për ekzekutivin e ri

 

Partia Socialiste mbledh sot grupin e ri parlamentare të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Në mbledhjen e parë në qendër të diskutimit të kryesocialistit Rama me deputetët e rinj do të jetë analiza e zgjedhjeve si edhe qeveria e re në kuadër të reformave dhe përbërjes së saj. Pritet që Rama të njohë deputetët e tij me ecurinë e negociatave me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe aleatët e koalicionit majtë për ekzekutivin e ri. Ndërkohë, pritet që lideri i PS-së të rinënvizojë edhe një herë premtimin për të ndarë detyrën e deputetit nga ajo e ministrit, duke u kërkuar ligjvënësve të rinj të grupit parlamentare mirëkuptimin e tyre. Po ashtu, mendohet që në mbledhjen e sotme grupi i punës i PS-së të raportojë lidhur me ecurinë e programit të ri qeverisës së të majtës për 300 ditët e para, i cili po punohet së bashku me grupin e punës së përzgjedhur nga LSI-ja.

Qeveria e re

Pas ndarjes së posteve që do të mbajnë në qeverinë e re të majtë, ku Rama do të jetë në postin e Kryeministrit e ndërsa Meta do të marrë detyrën e Kryetarit të Kuvendit, dy krerët kryesorë të koalicionit që do të qeverisë vendin katër vitet e ardhshme kanë intensifikuar takimet mes tyre për të vendosur lidhur me përbërjen e ekzekutivit të ri. Partia Socialiste, si forcë e parë e koalicionit të majtë, pritet të marrë 9-10 portofola ministrorë e ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, në rolin e partisë së dytë kryesore të koalicionit të majtë, do të marrë drejtimin e 5 ministrive. Nisur nga fakti se PS dhe LSI kanë rënë parimisht dakord që forca e drejtuar prej Metës të mos marrë në drejtim asnjë prej ministrive që kishte në qeverinë “Berisha”, pritet që forca më e madhe e koalicionit të majtë të sigurojë portofolat e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Jashtme. Po ashtu, edhe ndarja e mundshme e Ministrisë së Brendshme, në Ministrinë e Rendit dhe në atë të Pushtetit Vendor, pritet t’u takojë sërish socialistëve. Ndërkohë, edhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila pritet të ndahet në dy ose tri dikastere, me shumë mundësi do të drejtohen nga të zgjedhurit e Ramës. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim synon të marrë drejtimin e 4-5 ministrive në qeverinë e re “Rama”, që pritet të konstituohet në fillim të shtatorit. Kështu, Ministria e Transporteve, ashtu siç bëjnë të ditur burimet pranë selive të PS-së dhe LSI-së, pritet t’i takojë më shumë gjasë partisë së drejtuar nga Ilir Meta. Një tjetër ministri e rëndësishme në ekzekutivin e ri si ajo e Integrimit, pritet të drejtohet nga një përfaqësues i LSI-së. Po ashtu pjesë e portofolave ministrorë që do të përfitojë LSI-ja në qeverinë e majtë pritet të jetë edhe Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Arsimit. Pjesë e ekzekutivit të ri pritet të bëhen edhe aleatët e tjerë të koalicionit të majtë, ku një ministri është thuajse e sigurt që do t’i përkasë Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, të drejtuar nga Vangjel Dule. Po ashtu, thuajse zyrtare është edhe përfshirja e kreut të PLiDr-së Spartak Ngjela në qeverisjen e re e ndërsa për PDKSH-në, e cila arriti të merrte një mandat deputeti në zgjedhjet e 23 qershorit, ende nuk është vendosur nëse do të marrë një portofol ministri.

 

65 mandate arriti të merrte në zgjedhjet e 23 qershorit Partia Socialiste

 

Emrat e përfolur për qeverinë e re

Kryeministër Edi Rama – i konfirmuar

Kryetar Kuvendi Ilir Meta – i konfirmuar

Partia Socialiste

Ministri e Financave – Shkëlqim Cani ose Mimi Kodheli

Ministria e Ekonomisë – Mimi Kodheli ose Arben Ahmetaj

Ministria e Rendit – Saimir Tahiri ose Taulant Balla

Ministria e Jashtme – Roland Bimo ose Ditmir Bushati

Ministria e Shëndetësisë – Klodiana Spahiu

Ministria e Kulturës dhe Turizmit – Artan Lame ose Auron Tare

Ministria e Sporteve – Fidel Ylli

Ministria e Rinisë dhe Emigracionit – Erion Veliaj

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale – Eglantina Gjermeni

Ministria e Zhvillimit Rural – Ervin Bushati

 

Lëvizja Socialiste për Integrim

Ministri e Integrimit – Klajda Gjosha ose Edmond Panariti

Ministria e Mbrojtjes – Luan Rama

Ministria e Transporteve – Lefter Koka ose Ylli Manjani

Ministria e Arsimit – Shezai Rrokaj

 

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Ministria e Mjedisit – Vangjel Dule ose përfaqësues nga PBDNJ

 

Partia Ligj dhe Drejtësi

Ministria e Drejtësisë – Spartak Ngjela

 

 

Mbledhja e parë në PS

Alfred Peza: Nuk do të pajtohem asnjëherë me qëndrime kundër demokracisë dhe Kushtetutës

Deputeti i qarkut të Elbasanit, Alfred Peza, ka komentuar dje ndjesitë e tij për pjesëmarrjen e parë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, që do të zhvillohet ditën e sotme. “Nesër (sot) do të jetë mbledhja e parë e grupit të ri parlamentar të PS-së. Është hera e parë që do jem në një institucion të tillë, i cili konsiderohet si institucioni me i rëndësishëm i politikëbërjes reale dhe i konkretizimit të interesave të votuesve, në një republikë parlamentare si kjo jona. Dikur, kur isha gazetar, kam qenë shpesh kritik për mënyrën e funksionimit të këtyre institucioneve. I konsideroja tejet të rëndësishme elementet si demokracia e brendshme, debati, shprehja e mendimit të lirë, funksionimi i këtyre institucioneve të një partie politike sipas statutit dhe rregullave të partive demokratike, meritokracia etj.”, – shkruante ai në rrjetin social. Peza premtoi se nuk do të pajtohej as brenda forumeve dhe as publikisht me qëndrime apo praktika që do të shkojnë ndesh me interesat e Kushtetutës dhe nevojat e qytetareve. “Në çfarëdo pozicioni që të jem, si deputet i thjeshtë dhe përfaqësues i interesave të votuesve të mi, kurrë nuk do të pajtohem, as brenda forumeve, as publikisht, me veprime, qëndrime dhe praktika që do të shkojnë ndesh me interesat e demokracisë, me frymën dhe germën e Kushtetutës dhe nevojat e qytetarëve. Ky është një angazhim publik”, – theksoi deputeti socialist i qytetit të Peqinit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency