Intervistoi: Ina Jano
Mënyra e menaxhimit të humbjes dhe procesi i garës për kreun e ri të partisë, mësim vlerash për gjithë vendin, ndjenjë e lartë përgjegjësie
Dorëheqja e Berishës, Shehu: Tregoi dimensionet e një lideri real perëndimor
Ish-ministri i Shëndetësisë, zoti Tritan Shehu, parashikon një periudhë jo shumë pozitive për qytetarët shqiptarë gjatë qeverisjes socialiste. Në një intervistë për “Standard” ai shprehet se premtimet e PS-së në kohën e fushatës ishin spekulative, ndërsa shton se janë pikërisht qytetarët ata të cilët do të vuajnë për shtrëngimin e rripit nga ana e socialistëve. “Filli udhëheqës i të majtës në këtë qeverisje duket se do të përmblidhet në filozofinë e “shtrëngimit të rripit” për shqiptarët. Kjo bie ndesh katërcipërisht edhe me vetë premtimet e bëra gjatë fushatës nga ata”, – thotë deputeti demokrat. Për Shehun arsyet e humbjes janë të shumta, të cilat do të dalin në dritë pas një analize të thellë, ndërsa shton se nuk duhet harruar se në lojë ishte mandati i tretë, që nuk është pak. Ai në intervistë komenton edhe dorëheqjen e zotit Berisha nga të gjitha funksionet e tij në PD, po ashtu edhe zgjedhjet që do të mbahen në 22 korrik për kreun e selisë blu. Shehu premton rikthim të shpejtë të PD-së në pushtet, ndërsa nënvizon se do të bëjë opozitë të fortë.
Pyetje: Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e 23 qershorit me një rezultat të thellë. Cilat mendoni se kanë qenë arsyet e kësaj humbje tashmë të pranuar edhe nga selia blu?
Përgjigje: Unë e kam theksuar edhe në raste të tjera, humbja e PD-së në këto zgjedhje dhe veçanërisht rezultati me dimensionet e tij flet se kjo ka ardhur nga shumë faktorë e arsye. Unë nuk mund të përmend vetëm një ose dy të tillë. Një mënyre e tillë do të shprehte keqdashje ose semplicitet. Sidoqoftë, kjo do të jetë temë e një analize të thellë, që do të realizohet në strukturat tona, për të arritur në konkluzione konkrete, të nevojshme për hapat e tjerë politikë, që do ndërmerren. Pa dyshim në mënyrë të përgjithshme unë mund të artikuloj përsëri disa elemente. Të mos harrojmë se ky ishte mandati i tretë që kërkohej, shumë i vështirë gjithmonë. Dhe kjo bëhej në një periudhë me shumë probleme, kur elementet e krizës ekonomike në rajon e më tej, pavarësisht mosprekjes tonë direkte, kanë cenuar dhe tek ne të ardhurat, nivelin e papunësisë, investimet, rritjen ekonomike etj. Po kështu dua të theksoj se elektorati në shumicë ra në kurthin e premtimeve spekulative elektorale të së majtës, që ofroi “qiejt”, ndërsa Berisha ishte shumë realist e i matur në premtimet e tij. Nga ana tjetër, shumë gjëra lidhen me defektet tona, si të problemeve të zyrtarëve në tërësi apo të shërbimeve ndaj popullsisë në veçanti, të një niveli korrupsioni kapilar në administratë etj., apo me çështje që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e PD-së e strukturave të saj, mënyrën e organizimit e të funksionimit të saj në qeverisje. Unë nuk dua të zgjatem në analiza, se, siç thashë, ato do të bëhen gjerësisht në një të ardhme të afërt, por dëshiroj të siguroj për vullnetin tonë të plotë për të lexuar qartë mesazhin që ne morëm nga elektorati. Megjithatë, edhe në këto rreshta, nuk mund të lë pa përmendur faktin e qartë të arritjeve tona të mëdha në këto tetë vite qeverisje, arritje në shumë plane, thelbësore dhe transformuese për vendin. Sot Shqipëria është krejt tjetër nga ajo që ishte para tetë vitesh. Nuk duhet ta harrojmë këtë. Kjo është evidente dhe duhet të na bëjë krenarë për sa kemi bërë.
Pyetje: Mendoni se listat shumemërore të deputetëve kanë ndikuar në këtë rezultat?
Përgjigje: Siç e theksova, nuk mendoj se ka qenë një shkak i vetëm, por shumë të tillë e të ndryshëm. Çështja e listave mendoj se është një nga këto, pa e nënvleftësuar dhe pa e ekzagjeruar në peshën e saj. Sidoqoftë, do të desha të theksoja diçka për të ardhmen, në opozitë duhet të punojmë më tërë forcat tona që të kristalizojmë më tej identitetin e PD-së, thellësisht. Në realitet vetëm PD-ja është garancia e një fitoreje të re politike për qytetarët tanë. Aleatët kanë rëndësinë e tyre, por themeli është PD, që në të gjitha elementet duhet të forcojë e kristalizojë pa ndërprerje veten dhe identitetin e saj. Unë mendoj se në opozitë kjo mund të bëhet më lehtë sesa kur qeveris në koalicione të detyruara. Kjo është e vërteta.
Pyetje: Një moment i rëndësishëm është edhe dorëheqja e kreut të PD-së, zotit Berisha. Ky i fundit ka marrë përgjegjësinë totale për humbjen e zgjedhjeve. Si e konsideroni një veprim të tillë dhe a është e drejtë që kryetari të jetë “i dënuari” i vetëm në këtë situatë?
Përgjigje: Unë e kam thënë qartësisht, Berisha bëri veprimin më të qartë demokratik e të emancipuar që mund të bëhej. Në të vërtetë edhe këto ditë, PD-ja e Berisha, me mënyrën si e menaxhuan humbjen, bënë përsëri histori në demokracinë shqiptare, dhanë një tjetër mësim vlerash e përgjegjësie ndaj PD-së dhe vendit. PD që nga 1990 është forca me progresive e vendit, Berisha është figura qendrore e ndryshimeve dhe zhvillimeve demokratike e progresive të Shqipërisë. Dhe me menaxhimin që iu bë humbjes ngelen përsëri të tillë.
Nga ana tjetër, duke marrë ai të gjitha përgjegjësitë, jo vetëm që tregoi përsëri dimensionet e liderit real perëndimor, por gjithashtu i lehtësoi proceset e mëtejshme zhvilluese në PD, duke evituar shumë të papritura të pakëndshme e të rrezikshme për momente të tilla. E theksoj, Berisha nuk është as i “dënuari i vetëm” e as “i dënuar” në tërësi për këtë proces. Ai ngelet një figurë thelbësore e pozitive, promotor i këtyre viteve demokracie në Shqipëri. Unë jam i bindur se jo vetëm realiteti shqiptar, por edhe ai rajonal do të kenë përsëri nevojë, në sfidat e ardhshme, për personalitetin dhe virtytet e Berishës.
Pyetje: PD ende nuk ka bërë një analizë të detajuar, por në mendimin tuaj duhet bërë me shpejtësi edhe një riformatim i bazës së PD-së?
Përgjigje: Çdo gjë do bëhet në kohën e duhur. Tani ne jemi përfshirë në një proces zgjedhjeje të kryetarit të ri. Më tej do vazhdohet me analizat, konkluzionet, ndryshimet e mundshme në statut, në organizim, taktikat e reja etj., risi të domosdoshme për ta kaluar sa më shpejt këtë situatë dhe për ta realizuar misionin tonë të ardhshëm. Të jeni të bindur se gjithçka do jetë në funksion të rolit tonë parësor të nesërme.
Sidoqoftë, këtu dëshiroj të shtoj diçka, premtimet spekulative të të majtës shumë shpejt do të krijojnë një zhgënjim të thellë të elektorati shqiptar. Prandaj dua të theksoj se PD-ja duhet dhe do të përgatitet me intensitet, në një kohë të shkurtër, sepse askush sot nuk mund ta parashikojë se me çfarë ritmesh në Shqipëri do të ofrohet mundësia e ndryshimeve, dhe në cilin moment PD-së do t’i duhet të marrë përsëri rolin lider në politikën tonë. Sidoqoftë, në periudhën që vjen ne do zhvillojmë një opozitë thellësisht demokratike, të përgjegjshme, në përputhje me interesat e zhvillimit të vendit e integrimit evropian.
Pyetje: Në 22 korrik demokratët e gjithë vendit do të zgjedhin kryetarin e ri të tyre. Sipas jush, pse vetëm dy kandidatura për kreun e selisë blu, kur ndërkohë u përfolën edhe Selami dhe Imami, shto edhe faktin që PD ka figura të spikatura në gjirin e saj? Pra, një garë që kufizohet vetëm në dy persona…
Përgjigje: Janë dy kandidatura, sepse dy u paraqitën reale. Procesi ishte krejt i hapur. Megjithatë, mendoj se janë të mjaftueshme dhe se do të zhvillohet një garë e fortë, e lirë, demokratike që do të japë një tjetër risi pozitive për politikën e emancipimin shqiptar. Unë i njoh nga afër të dy kandidatët dhe kam një konsideratë të lartë për ata. Të jeni të sigurtë se ky proces veçse do të forcojë PD-në dhe misionin tonë të ardhshëm.
Pyetje: Të dy kandidatët kanë mbështetjen e kryesisë dhe po ashtu të dy kanë deklaruar se do të njohin rezultatin. Çfarë risie mendoni se do të sillte Basha në krye të PD-së? Po Olldashi?
Përgjigje: Unë rezervohem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse nuk dëshiroj që as indirekt të influencoj në këtë proces përzgjedhjeje. Ky është një tjetër princip shumë pozitiv që udhëheq këtë proces zgjedhor, i kërkuar me të drejtë nga Berisha.
Pyetje: Sa e aftë do të jetë PD-ja për t’u përballur me sfidat e reja, duke pasur parasysh këtu se pas dy vjetësh zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor? A do të arrijë t’i fitojë ato?
Përgjigje: Të jeni të bindur se PD-ja shumë shpejt do të jetë gati për beteja të reja politike. Në fakt, ajo është që sot. PD ka kapacitete të pallogaritshme në veten e saj dhe ajo pa dyshim do të mobilizojë e shumë të tjera. Gjithashtu, PD ka një traditë e një trashëgimi të paçmuar, që nga dita e themelimit të saj, ajo ka qenë dhe është forca me progresive në vend. Këtë ne po e tregojmë edhe në këto dite, ashtu si do ta tregojmë dhe në të ardhmen. Ju flisni për zgjedhjet lokale, unë dëshiroj t’ju kujtoj se së pari duhet të shohim se si kundërshtari ynë do të realizojë ato që premtoi në mënyrë spekulative në fushatë. Berisha vendosi të shtonte rrogat, si kishte premtuar dhe si e prisnin njerëzit në tërësi, dhe ata që nuk na votuan. Reagimi i PS-së ishte shume domethënës e shqetësues për këtë çështje. Kjo, qoftë për qëndrimin konkret të saj, ashtu edhe për thelbin e filozofisë së saj në lidhje me këto çështje. Siç u pa qartë edhe në këtë rast, filli udhëheqës i të majtës në këtë qeverisje duket se do të përmblidhet në filozofinë e “shtrëngimit të rripit” për shqiptarët. Kjo bie ndesh katërcipërisht edhe me vetë premtimet e bëra gjatë fushatës nga ata. Të mos harrojmë se premtimet e bëra në një vend demokratik janë si shpata e Demokleut për atë që i ka bërë. Unë uroj të realizohen, ashtu si u uroj punë të mbarë kolegëve të majtë, por realisht jam shumë skeptik.
Pyetje: E keni fjalën edhe për shëndetësinë?
Përgjigje: Së pari e kam fjalën në përgjithësi. Së dyti e kam fjalën dhe për shëndetësinë e premtimet absurde që u bënë për atë, premtime që realisht shkojnë në kahun e kundërt me atë që duhet të bëjmë. Sidoqoftë, le të presim. Unë gjatë një emisioni televiziv, kam ftuar në një debat ministrin e ardhshëm të Shëndetësisë të qeverisë së majtë, kushdo qoftë ky. E ftoj jo menjëherë, që t’i lëmë një kohë të mjaftueshme, por e ftoj mbas 6 muajsh qeverisje. Dhe do ta shikoni rezultatin e debatit. Unë nga eksperienca ime e di mirë që 6 muaj janë shumë për të treguar se çfarë e sa po bën.





