Gëzim Saliu
Buqetat me lule, torta dhe dhuratat për kreun e PS-së me ngjyrë të purpurt si “Rilindja”
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka festuar dje 49-vjetorin e lindjes mes urimeve, tortës tradicionale si edhe dhuratave. Detaji më i veçantë në këtë festë ishte pa dyshim ngjyra e purpurt, e cila ishte ngjyra e preferuar që kishin përzgjedhur të gjithë miqtë, deputetët apo bashkëpunëtorët e kryesocialistit për të përcjellë mesazhin e tyre të urimit përmes dhuratave apo buqetave me lule.
Festa
Ndryshe nga ditët e zakonshme, Rama e ka nisur dje ditën e punës mes urimeve të të gjithë stafit si edhe deputetëve që ndodheshin në selinë e PS-së. Sapo kreu socialist u ngjit në zyrën e tij, në selinë e purpurt nisën të vinin buqetat e para me lule dhe dhuratat e shumta, ku miqtë dhe bashkëpunëtorë të Ramës, i përcollën atij urimet për festën e ditëlindjes. Pjesë e festës ishin edhe simpatizantët e PS-së si edhe miq të afërt të liderit socialist, ku shumë prej tyre nuk kanë nguruar as të presin për një kohë të gjatë në ambientet e kësaj force politike për t’u ngjitur më pas lart në zyrën e Edi Ramës për t’i dhënë nga afër urimet. Dhuratat dhe buqetat me lule ishin përzgjedhur nga ata për të dhënë mesazhin e tyre të urimit, ku vihej re dominimi i ngjyrës së purpurt, të zgjedhur për dekorim. Edhe pse kjo ngjyrë është kritikuar dhe ironizuar jo pak nga kundërshtari politik në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, e cilësuar si “mavi”, sërish ajo ishte në qendër të festës së djeshme të kryesocialistit. Po ashtu një numër i madh mesazhesh urimi kanë mbërritur në telefonin e liderit socialist, por nuk kanë munguar as kartolinat tradicionale në selinë e PS-së. Pjesa më kryesore e festimeve u zhvendos në katin e dytë të selisë së purpurt, aty ku zhvillohen mbledhjet e grupit parlamentar të forcës e cila pritet të vijë në pushtet pas 8 vitesh opozitë. Stafi i Partisë Socialiste dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kryesocialistit kishin menduar një festë surprizë për Ramën, ku mes trokitjeve të gotave të shampanjës, ata kanë uruar kreun socialist edhe 100 vite të tjera. Në këtë mini-festë nuk kishte si të mungonte edhe torta tradicionale e ditëlindjes, ku ndryshe nga çdo vit më parë, të rinjtë e Forumit Rinor Eurosocialist kishin menduar që ajo të kishte ngjyrën e purpurt. Pas këtyre festimeve, dita e punës e kreut socialist ka vazhduar normalisht sipas axhendës, ku ka zhvilluar takime me Presidentin e vendit Bujar Nishani dhe kryeprokurorin Adriatik Llalla.





