Lypja, alarm i kuq Tirana, pushtuar nga armata e lypsarëve

0
169

Gestjana Musha

lypjaFenomeni social, pasiguri, dhunë

 

Lypja, fenomeni më problematik i shoqërisë shqiptare. Mjaft i debatuar kohët e fundit, tranzicioni shqiptar për rreth 22 vjet nuk e ka shëruar plagën e lypjes. Mungesa e të ardhurave, familje pa strehë, pa prindër vazhdojnë të enden rrugëve të Tiranës për të lypur, pasi për ta kjo është rruga e vetme e zgjidhjes së situatës. Numri i fëmijëve që lypin ka ardhur dita-ditës në rritje, duke vështirësuar jetën e qytetarëve jo vetëm të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë. Fenomeni “lypje” është universal. Lokalet e shumta të kryeqytetit në këto muajt e nxehtë të verës janë “pushtuar” nga armata e madhe e “ushtrisë” së lypsarëve të të gjitha kategorive. Situata ka dalë jashtë kontrollit duke krijuar probleme serioze. Fëmijët e vegjël janë ata që viktimizohen në të tilla raste nga prindërit e tyre ose në rastin më të keq nga nevoja për mbijetesë. Pasiguri në rrugë, konfliktualitet, dhunë, fenomenet që shoqërojnë procesin e lypjes. Në rastin më të keq konfliktet kanë përfunduar në krime të renda deri në humbje jete. Fëmijët jetim janë nën mbikëqyrjen e tutorëve të tyre, ndërsa fëmijët me prindër e ushtrojnë këtë profesion së bashku. Pjesa më e madhe e kontigjentit të lypsarisë janë fëmijët dhe të moshuarit e braktisur, endacakë të kequshqyer. Një pjesë e tyre sot vuajnë nga sëmundjet e gojës, ezofagut, stomakut, zorrës së hollë, mëlçisë, fshikëzës së tëmthit dhe pankreasit, që në disa raste të çojnë në Malabsorbim (keqthithjen e ushqimeve). Nën ndikimin edhe të mungesës së ushqyerjes, me kalimin e kohës, kjo degjeneron në kequshqyerjen e organizmit që në gjuhën mjekësore quhet Malnutricion. Mbi 2/3 e fëmijëve në nevojë përballen me ekstremin e përpjekjeve rraskapitëse për mbijetesën. Nëse flasim për kategorinë e komunitetit romë atëherë shifrat ndryshojnë, duke e thelluar më tepër situatën alarmante në vendin tonë. Diskriminimi i kësaj kategorie nga pjesa tjetër e popullsisë i ka bërë ata që të ushtrojnë profesione si lypja, vjedhja, grabitja etj. Një kontigjent mjaft i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare. Tek kjo kategori nuk flitet vetëm për fëmijë që lypin por edhe të rritur pa dallim moshe apo gjinie. Qendra për Drejtësi dhe Solidaritet, si qendër në shërbim të qytetarëve, konstaton shpesh shkelje të normave dhe të drejtave të fëmijëve. I pyetur për gazetën “Standard”, fëmija me iniciale L. K. shprehet për gjendjen e mjerueshme në të cilën ai jeton. “Dal çdo mëngjes këtu tek Fakulteti i Histori-Filologjisë, për të marrë ndonjë lek, ngacmoj goca, i tremb pak duke u shkuar pas, se ndryshe nuk mbledh gjë”, – shprehet L. K. 10-vjeçari pohon se është i detyruar të dalë për të mos u kthyer në shtëpi me barkun bosh, pasi nëna e tij ushtron po të njëjtin profesion, ndërsa i ati merret me mbledhjen dhe shitjen e hekurave. Sipas tij, ndodh që nëna dhe babai të mos kenë mbledhë asnjë lek në ditë, kështu që shpresa e vetme ngelet 10-vjeçari L. K. “Kam shumë qejf të dal të loz me shokët, po mami nuk më lë më thotë nëse do bukë duhet të punosh”, – thekson djaloshi. Me rrobat e tij të grisura dhe duart e pista, djaloshi zgjat dorën për të marrë ndonjë lek për informacionin e dhënë. Janë marrë masa sensibilizuese për të shmangur këtë problem social, por ende pa rezultat efektiv. Dëshira e vetme e djaloshit lypsar është të ketë një shtëpi ku të flejë në darkë. Si ky djalosh ka edhe qindra të tjerë që enden rrugëve të Tiranës pa shpresë për jetën. Misioni i tyre ngelet grumbullimi i disa të hollave për të kaluar ditën. Për ta është fitore të kthehen në darkë me disa të holla. Këtu ndalet ambicia e këtyre fëmijëve që janë të detyruar të lypin për arsye të ndryshme, ngelen pas shkolla, puna, sigurimi i një profesioni të denjë.

 

 

 

Fier

Semani mbushet me pushues, mbeturinat pastrohen nga bizneset private

Plazhi i Semanit në Fier në këtë sezon turistik veror po mbushet nga një numër i madh pushuesish. Shqetësimi i ngritur në këtë zonë janë mbeturinat e hedhura në bregdet, të cilat pastrohen nga bizneset lokale aty. Mbeturinat e grumbulluara digjen në mbrëmje nga banorët të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në këtë zonë. Plazhi i Semanit vizitohet nga qindra pushues që preferojnë të kalojnë pushimet në Fier. Pushuesit vijnë jo vetëm nga Fieri, por edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, si Lushnja, Berati etj. I vlerësuar për rerën shëruese në këtë bregdet po investohet gjithmonë e më shumë nga individë privat. Lokalet e shumta kanë ndërmarrë nismën e mirëmbajtjes së hapësirës së tyre, duke garantuar pastërti, pasi personat kompetentë nuk janë përpjekur të pastrojnë vijën bregdetare të Semanit.

 

 Basha:Bashkia e Tiranës synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve

Bashkia e Tiranës ka nisur dje punimet për rikonstruksionin e një tjetri kopshti në Tiranë, atij 35, që i përket njësisë 8. Me një investim prej 17.3 milionë lekësh, ndërtesa e amortizuar e ndërtuar qysh në vitin 1970 do të përfundojë brenda 6 muajsh. Projekti parashikon riorganizimin e ambienteve të brendshme, ribërjen e shtresave të dyshemesë, ambientet e ndenjes dhe të fjetjes do të shtrohen me parket, muret e jashtme do të vishen me kapotë termike, do të ndërtohet sistemi i ngrohjes qendrore, ndërsa kaldaja do të vendoset ne një dhomë të posaçme, jashtë objektit. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka bërë të ditur se ky investim do të pasohet me rikonstruksionin e 6, kopshteve dhe 2 shkollave të tjera, në javët në vijim. Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, në fillimin e punimeve ka premtuar se standardet evropiane të munguara prej vitesh, do ti kenë edhe shumë kopshte e shkolla në Tiranë, duke u siguruar shërbim të gjithë fëmijëve të kryeqytetit. “Ky kopsht i paraprin gjashtë investimeve të tilla që do të hapen gjatë javëve të ardhshme, pra 6 kopshte dhe dy shkolla. Me këtë paketë investimesh, bashkia e Tiranës synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve në kopshtet e kryeqytetit, si dhe të përparojë me programin e vet të rinovimit të shkollave dhe të cilësisë së ambienteve të shkollave si dhe ndërtimin e shkollave të reja në qytetin e Tiranës”, – pohoi Lulzim Basha. Ndërkaq kryetari i bashkisë i pyetur nga gazetarët se a kërcënohet projekti i bulevardit nga deklaratat e liderit të PS-së, Edi Rama, se kur të vinte në pushtet do ta hidhte poshtë si plan, Basha iu përgjigj: “Ky vend ka një Kushtetutë, ka ligje dhe jam i bindur që Kushtetuta, ligjet dhe dëshira e qytetarëve për ta parë qytetin e tyre më mirë do të prevalojë mbi çdo vullnet tjetër”. Kryebashkiaku Basha i ka shmangur komentet rreth zhvillimeve politike, përfshi dhe zërat mbi kandidimin e tij të mundshëm për kryetar të Partisë Demokratike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency