Kreu i ri i PD-së Berisha: Funksionarët partiakë dhe shtetërorë të mos mbështesin asnjë kandidat pa dhënë dorëheqjen

Ina Jano

berisha-20132Gara e hapur, s’kam asnjë rekomandim

 


Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë disa këshilla lidhur me garën për zëvendësimin e tij. Që në fillim të letrës së tij, kreu i demokratëve nënvizon se gara është e hapur për të gjithë ata që duan të kandidojnë duke mos vënë asnjë lloj kufizimi në këtë drejtim. Për Kryeministrin në detyrë i vetmi ndryshim është se kandidatët që nuk kanë mbështetjen e  kryesisë, nuk do të jenë kandidatura zyrtare të kësaj të fundit por kjo nuk ka asnjë ndikim gjatë procesit të votimit, ku 100 mijë anëtarët demokratë do të vendosin për liderin e tyre të ri. “Mesazh për të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga kryetarë seksioni deri në anëtarë të kryesisë së PD-së dhe për të gjithë anëtarët e PD që punojnë ose mbajnë funksione drejtuese në të gjitha nivelet e qeverisjes sonë qendrore ose vendore: Gara për kryetarin e PD nisi sot (dje) me shpalljen e kandidaturës së parë. Ajo është e hapur për çdo anëtar dhe anëtare të PD-së që dëshiron të konkurrojë për lider të Partisë Demokratike. Ditën e enjte, kryesia e PD-së do të mblidhet për vlerësimin dhe shprehjen e mbështetjes së saj për kandidatin apo kandidaturat që mendon se meritojnë të mbështeten prej saj zyrtarisht. Kjo nuk do të thotë se jashtë mbështetjes së kryesisë së PD-së anëtar apo anëtarë të PD-së mund të pengohen dhe nuk mund të konkurrojnë për kryetar të Partisë Demokratike. Dallimi i vetëm është se ata nuk do jenë kandidatura zyrtare të kryesisë së PD”, – shprehet zoti Berisha. Shefi i qeverisë shprehet se ai vetë nuk ka bërë asnjë rekomandim dhe për këtë arsye të gjithë duhet të ndihen edhe më të lirë, për të qenë në krye të selisë blu. Kryeministri në vijim të letrës sqaron se nuk ka bërë asnjë rekomandim për ndonjë person të veçantë për postin që ai ka mbajtur prej më shumë se 20 vitesh. Ai kërkon që personi që do të ndihmojë kandidatin që do të garojë për kreun e PD-së duhet të heqë dorë nga posti që ai mban në qeveri apo në parti dhe vetëm në këtë rast kolegët të lobojnë për të. “Unë dhashë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të PD dhe nuk bëra asnjë rekomandim për person të veçantë për zëvendësimin tim. Po kështu me kryesinë e PD-së vendosem që në zgjedhjen e kryetarit të ri pushteti të kaloje tërësisht tek anëtarët e PD-së dhe vota e tyre duke mos bërë asnjë rekomandim për asnjë person të veçantë por dhe duke mos penguar asnjeri të marrë pjesë në këtë garë. Prandaj në respekt të pushtetit të votës së çdo anëtari të PD-së kërkoj që askush të mos përdorë pushtetin partiak, publik administrativ që ka në mbështetje apo lobim të një kandidati të veçantë. Pra asnjë drejtues në asnjë nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbështetje të një kandidati të caktuar. Në këtë proces çdonjëri prej nesh ka vetëm një votë. Por çdo drejtues në çdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisës qe mban”, – nënvizon zoti Berisha. Në fund, ai kërkon nga të gjithë demokratët që ky proces i zgjedhjes së kryetarit të ri të shërbejë si një proces dinjitoz dhe një fillim të ri të fuqishëm për këtë forcë politike.

 

Rusmaili: Humbja e PD-së për shkak të lidershipit arrogant

Kryetari i Partisë, kryeministri i vendit, e prezantoi fushatën si betejën e tij personale. Fitorja dhe humbja këtë herë mund të kishin vetëm një emër, emrin e tij. I gjithë lidershipi i PD-së pranoi me kënaqësi të zhdukej nga faqja e dheut, të zhbëhej, të vihej në bisht. E vunë re shqiptarët, e vuri re dhe media. Kjo nuk është platformë, nuk është program. Kjo është mënyrë sjellje, që nuk është çudi të jetë etiketuar nga votuesit si arrogante” Kështu është shprehur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, i cili ka etiketuar si përgjegjësin e vetëm për humbjen e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit, kryeministrin Sali Berisha. Rusmali në këtë intervistë të gjatë flet edhe për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të PD-së, pas dorëheqjes së parevokueshme të Berishës.

 

 

Bumçi takim lamtumire me Holtkemper

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Aldo Bumçi priti dje për një takim lamtumire ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, znj. Carola Müller-Holtkemper, në përfundim të misionit të saj në vendin tonë. Ambasadorja gjermane i përcolli Ministrit Bumçi vlerësimet e saj për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ambasadorja Holtkemper i shprehu mirënjohjen e saj Ministrit Bumçi për bashkëpunimin e hapur me qeverinë shqiptare. Nga ana e tij, shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mbështetjen e Gjermanisë në kuadrin dypalësh dhe më gjerë, përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë, me besimin e plotë që kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen.

 

Share it :