Atributet e epokës “Berisha” (II)

0
107

Berisha-fushate-640x340Dr. Enver Bytyçi

 

 Berisha, kritika unikale dhe gabimet njerëzore të tij

Në historinë e Shqipërisë moderne nuk ka ndodhur ndonjëherë që një udhëheqës politik e drejtues i lartë i këtij shteti të jetë vënë në shënjestrën e kritikës dhe sulmeve të pandërprera e të idhta, si Sali Berisha. As diktatura komuniste nuk e anatemoi armikun e saj, Mbretin Zog I, sa anatemuan pasardhësit e diktaturës liderin demokrat shqiptar. Nëse do të bënim një hulumtim shkencor e serioz, do të provohej fakti se opozita e majtë shqiptare ka sulmuar qindra herë më shumë liderin e së djathtës sa ka kritikuar diktaturën dhe diktatorin Hoxha. Antiberishizmi ka qenë dhe mbetet rryma më specializuar në luftën për pushtet të derisotme. Antiberishzmi ka qenë një fenomen, jo thjesht një armë dhe një përpjekje e së majtës për të mbijetuar. Tiparet kryesore të antiberishizmit nuk janë ato atribute që mbart çdo opozitë demokratike për të dhënë alternativën e vet konkurruese, por lidhen me tipare të formuara dhe trashëguara nga diktatura, si urrejtja, hasmëria, hakmarrja dhe për pasojë përdorimi i të gjitha mjeteve legale e jolegale për të arritur qëllimin për likuidimin politik e madje fizik të kundërshtarit.

 

Ndërkohë mund të thuhet se Antiberishizmi e ka gjallëruar dhe motivuar për punë të mëdha në çdo kohë Berishizmin. Ndoshta shumë prej arritjeve të Berishës, shumë nga cilësitë e sidomos përkushtimi dhe energjia e pashtershme tij janë motivuar nga lufta e pakompromis e së majtës, luftë e cila ka njohur të gjitha format e saj dhe është zhvilluar me të gjitha mjetet. Kështu që në historinë e këtyre 23 viteve ka patur vetëm një trend: Antiberishistët kanë provokuar sentimentin e Berishës dhe kanë prodhuar një lloj specifik reaksioni, i cili përmban në linjën e tij elementë të formimit të liderit demokrat. Formimi i tij na lejon të konkludojmë se lidhet me tiparet fisnike të malësorit, të vendlindjes së doktorit, siç janë personaliteti i pandikuar nga ndokush, integriteti moral i brujtur që në moshën e rinisë së hershme, formimi i vetëdijes i aplikuar në kuvendet e malësorëve të urtë e të zgjuar, paprekshmëria në dinjitet e personalitet, përkushtimi, vendosmëria dhe energjia e jashtëzakonshme për të realizuar qëllime të mëdha në jetë e në politikë.

 

Po t´i shtojmë këtyre atributeve edhe edukimin atdhetar të tij, atëherë bëhet shumë e qartë pse Berisha prodhoi atë që quhet berishizëm dhe që mund të përmblidhet në përuljen para Zotit, Kombit dhe Familjes. Asnjë politikan i dytë në sa e sa dekada nuk ka mundur të bashkojë te vetja e tij tiparet që lidhin këto tri elementë jetësorë, të cilët në filozofinë politike shihen edhe si elementë përcaktues të suksesit të njeriut e të njerëzimit. Sali Berisha i trashëgoi dhe i realizoi këto në praktikë, në kushtet e drejtimit të shtetit shqiptar, duke sjellë në politikën shqiptare një model të ri të udhëheqësit politik e moral.

 

Por është fakt se ai luftoi i bazuar në principet e mësipërme në kushtet e një politike të ndotur moralisht dhe të mbushur më skema e skena mashtrimesh, trillimesh, akuzash të fabrikuara e rrenash të mëdha e të vogla të transformuara, sipas parimit qosiqjan “Rrena është e moralshme, nëse i shërben interesave të partisë”. Qosiq shkruan se “Rrena është detyrë patriotike për serbët”. I shtrënguar dhe i lënduar nga kjo praktikë unike e të bërit politikë nga kundërshtarët e tij, Berisha ka reaguar jo rrallë me emocion dhe ka rënë në provokimet e kundërshtarëve ekstremistë të tij. Unë jam i bindur se gabime të tilla njerëzore ai i ka bërë për shkak të sinqeritetit në marrëdhëniet politike me partnerët e madje edhe me kundërshtarët, duke harruar se përballë tij qëndroi gjithë kohën një kundërshtar e një mijë e një hileve. Pra të shumtat e gabimeve njerëzore të liderit demokrat mund të vlerësohen si refleks i provokimeve të panumërta ndaj tij.

 

Në këto katër vitet e fundit ne kemi parë të aplikohet strategjia e së majtës për ta zhvleftësuar personalitetin e Berishës në tri aspekte: Në aspektin e qëndrimeve të tij nacionaliste, pra t´i hiqnin atij imazhin e patriotit dhe njeriut të përkushtuar në shërbim të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Në aspektin e shembullit dhe modelit të sjelljes në familje, duke bërë akuza dhe shpifur ditë për ditë kundër fëmijëve dhe familjarëve të tij, deri te montimi i videos së shekullit, ku implikohej zonja Berisha. Në aspektin moral të raportit të tij me shtetin e luftën kundër korrupsionit, duke hamendësuar dhe shpifur pandërprerë, deri te videoja e shekullit e korrupsionit të Ilir Metës, ku ishte montuar emri i Sali Berishës për gjoja të implikuar në koncesionin e hidrocentraleve.

 

Lufta kundër Berishës ishte e të gjitha llojeve. Ato mund të përmblidhen në reagimet e ashpra e të paarsyeshme në parlament, thirrjet për mosbindje qytetare, kërcënimet e tipit “Mos luaj me zjarrin”, bojkoti i zgjedhjeve, bojkoti i parlamentit, bojkoti i votimit të ligjeve të integrimit, ligje të cilat sillnin zhvillimin e vendit, protestat paqësore e ato të dhunshme, grevat e pandërprera të urisë, bllokimi i autostradave dhe rrugëve kombëtare, bllokimi i zbatimit të ligjit, bllokimi i firmave koncesionare, kërcënimi për anulimin e ligjeve dhe vendimeve sidomos në fushën e koncesioneve, sulmet e dhunshme kundër godinës se kryeministrisë, e deri te djegia e shkatërrimi i institucioneve të shtetit në vitin 1997 ose te vrasjet dhe ekzekutimi i figurave politike në opozitë. Shpesh herë përdorimi i dhunës nga ana e kundërshtarëve të tij shkaktoi dhimbje jo vetëm për personalitetin e përkushtuar për zhvillimin e kombit shqiptar, Berishën, por edhe për vendin.

 

Në këto kushte reagimet e liderit demokrat në pushtet ose në opozitë nuk qenë gjithnjë të matura, të studiuara e të thelluara. Përballë revoltave të dhunshme, në mandatin e parë, kur ushtroi detyrën e Presidentit të Republikës, Berisha është akuzuar për “veprime ekstreme” e në raste të tjera për “mosveprim”. Viti 1997 është viti i zhvillimeve ekstreme të dhunës si rezultat i rënies së piramidave financiare. Aso kohe opozita e majtë, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, iu bashkua dhe udhëhoqi veprimet e dhunshme kundër rendit kushtetues dhe shtetit, me qëllimin e vetëm që të rikthehej në pushtet.

 

Arkivat do të përcaktojnë rolin e Presidentit Berisha për ngjarje si ato të vitit 1997. Por do të ndriçohen dhe disa aspekte të tjera, për të cilat Berisha është kritikuar dhe bërë përgjegjës me ose pa të drejtë. Shumë aspekte të veprimtarisë së tij do të njihen më mirë përmes studimit të arkivave jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Uashington, Berlin, Londër e gjetkë. Vetëm atëherë do të kemi një pasqyrë të plotë të asaj çfarë ka përfaqësuar Sali Berisha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Viti 1997 mbetet nyja e zhvillimeve të para dhe pas këtij viti. Por fakti se Berisha u rikthye në pushtet dëshmon se ai nuk mund të ishte fajtori kryesor i ngjarjeve të vitit 1997.

 

Një ndër momentet më kritike të jetës politike të Berishës janë ngjarjet e 12-14 shtatorit 1998. Ndoshta është e vetmja pjesë e veprimtarisë së tij, kur ai ka ndjerë se ka gabuar, por në rrethana krejt provokuese nga ana e disa segmenteve kriminale të shtetit të kohës. Vrasja makabre e liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari, çoi në veprime të dhunshme të demokratëve, veprime të cilat ishin planifikuar në skenarin e likuidimit të shefit të opozitës, Sali Berisha. Berisha nga ana e tij, në disa aspekte ra në kurthin e provokimit të skenaristëve vrasës të Azem Hajdarit dhe pagoi një kosto politike të pamerituar. Ndërsa ministri i kabinetit Berisha, Aldo Bumçi, do t’i jepte më 2012 një donacion të majmë organizatorit kryesor të asaj vrasjeje. Ndërkaq kostoja e 14 shtatorit 1998 do të rëndonte mbi opozitën deri në korrikun e vitit 2005. Lideri demokrat Berisha do të rikthehej në Vlorë, ndërkohë që simpatizantët e tij prisnin me ankth rivënien në veprim të skenarit të vrasjes së Azem Hajdari. Në mesnatën e 28 nëntorit 2000, ditën e festës së pavarësisë, ai u arrestua i rrethuar nga dhjetëra forca policie, skenë të cilën dëshmitarët e tregojnë si në skenar filmash. Më pas Berisha dhe PD u shmangën me dhunë nga marrja e pushtetit në zgjedhjet e vitit 2001. Nuk po përmend kostot e tjera, të cilat ai i ka shlyer njëmijë fish për shkak të një gabimi taktik në politikën e tij. Mund të ketë prej atyre që me mendjelehtësi shtrojnë pyetjen disi legjitime: – Pse Berisha ka rënë në kurthin e neokomunistëve shqiptarë?! Por askush nuk e ka provuar dhe nuk do ta provojë kurrë në të ardhmen të jetë kaq fort nën goditjet e një makinerie me përvojë të instrumenteve të luftës të së majtës shqiptare.

 

Në historinë politike të Shqipërisë moderne nuk do të gjendet ndonjë udhëheqës tjetër aq i kritikuar, akuzuar, anatemuar dhe i goditur nga kundërshtarët e tij, sa Sali Berisha. Që në fillim më duhet të them se shumica dërmuese e akuzave dhe kritikave ndaj tij ishin të sajuara, të shpikura, të trilluara. Mund të thuhet se në këto përmasa nuk është linçuar as diktatori Hoxha. Dhe kjo ndodhi për shumë arsye, por kryesore është se fushatën 23 vjeçare kundër Sali Berishës e udhëhoqën përkrahësit ose pasardhësit e diktatorit komunist, i cili e izoloi Shqipërinë dhe la pas një trashëgimi të errët. Trashëgimi e tij ishte gjithashtu metodologjia, doktrina dhe ideologjia e luftës “pa kompromis” e “me të gjitha mjetet” të kundërshtarit politik. Jam shumë i sigurt se pjesë e kësaj strategjie ishte bojkoti i zgjedhjeve të 26 Majit 1996 dhe rebelimi i armatosur për të marrë pushtetin me dhunë më 1997. Pjesë e kësaj strategjie ishte vrasja e Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit dhe dhjetëra kundërshtarëve politikë në vitet 1997-2005. Pjesë e kësaj strategjie ishte ngjarja e Gërdecit si dhe bojkoti, protestat e dhunshme, grevat e urisë të opozitës së majtë, të cilat e shoqëruan qeverisjen e Sali Berishës gjatë viteve 2008-2013.

 

Në asnjë vend tjetër të Evropës Lindore nuk kanë ndodhur ngjarje të tilla e reagime si këto nga ana e opozitës që vinte prej trashëgimisë së diktaturës komuniste. Kjo e ndikoi ndoshta Doris Packun, kur pas 23 qershorit u deklarua se “Shqipëria nuk më surprizon më”. Ishte një ironi e hollë e saj, prej së cilës politika në Shqipëri, sidomos kundërshtarët e Berishës ka nevojë të skuqen. Por një konstatim i tillë shkon përtej skuqjes së kësaj kategorie të politikës. Përfshin votuesit shqiptarë, të cilët dëshmuan se nuk e kanë pjekurinë politike të nevojshme për të zhvilluar demokracinë. Jo se votuan Edi Ramën. Vota ndaj opozitës, sado e dhunshme të jetë ajo, është gjithnjë legjitime. Por se votuan pjesën më të kompromentuar të pushtetit në Shqipëri, pjesën më të keqe të tij, pjesën më të korruptuar të politikës së këtij vendi. E di se shumëkush do të më qortojë për këtë konstatim dhe vlerësim që jap. Por nuk mund të mos e publikoj këtë qëndrim, pasi besoj se e vërteta është kjo. Nëse partitë e mirëfillta opozitare morën aq deputetë sa kishin në 2009-ën dhe nuk janë në gjendje të formojnë qeverinë, ato plotësojnë jo vetëm shumicën e thjeshtë, por dhe atë të cilësuar me 16 deputetët e LSI-së, e cila i katërfishoi vendet e saj në parlament. Këta 16 deputetë erdhën në spektrin parlamentar shqiptar me metoda puçiste të tipit modern. Nëse do të fitonte morali, më parë se LSI duhej votuar opozita ose ish-mazhoranca. Por fitoi antimorali, prandaj e diktojnë shumicën ata, të cilët janë përgjegjës për 21 janarin, për korrupsionin e dëshmuar në disa video, për gjendjen katastrofike në shëndetësi, në ekonomi e në diplomaci. Këto ishin tri fushat më të anatemuara të Edi Ramës dhe të trija këto u drejtuan deri më 1 prill 2013 nga përfaqësuesit e partisë më të votuar në zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo përbën ndoshta një kontrast, i cili vështirë se mund të ndriçohet ndonjëherë.

 

Ndoshta kjo dukuri unikale, e cila duhet studiuar si fenomen tipik shqiptar, ka bërë që lideri historik i demokratëve shqiptarë, Sali Berisha, të shihet shpeshherë si personalitet mitik. Megjithëse atij i ka munguar krejtësisht misticizmi, si një gjetje e udhëheqësve karizmatikë për të krijuar njëfarë miti rreth vetes.

 

Në numrin e nesërm: Mitika dhe misticizmi te Sali Berisha

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency