Florenc Drizari
Misioni im është i përmbushur, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, zgjedhjet prodhuan një rezultat të qartë
Pas tre vjetësh, Eugen Wolfarth përfundon mandatin e tij në Shqipëri. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wolfarth, organizoi pasditen e djeshme një pritje me përfaqësues të klasës politike në vendin tonë, trupit diplomatik etj. me rastin e mbylljes së mandatit të tij trevjeçar në vendin tonë. Ambasadori i OSBE-së tha se misioni i tij quhet i përmbushur paçka qëndrimeve politike që janë mbajtur ndaj tij. Duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit, Wollfarth u shpreh se pranimi i rezultatit nga liderët e partive politike dhe pjesëmarrja e lartë të votime, tregoi një shkallë më të lartë dinjiteti për shqiptarët.
“Do doja që në prani të të ftuarve të thosha që jam shumë i emocionuar, puna jonë është bazuar tek puna në ekip dhe bëhet për Shqipërinë, për të ardhmen e saj. Misioni im është i përmbushur, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike zgjedhjet prodhuan një rezultat të qartë dhe të pranueshëm dhe duhet përgëzuar mënyra e pranimit. Më gëzon fakti që Shqipëria është në një fazë të re, në një shkallë më të lartë dinjiteti”,- tha ai.
Katër ditë pas procesit të votimeve, Wolfarth mblodhi në një takim në hotelin“Sheraton” ambasadorët e BE-së të akredituar në Tiranë. Edhe pse një takim informal, të pranishëm ishin kryetarja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, Conny McCormack, kryetari i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së Roberto Battelli, ambasadori amerikan Alexander Arvizu dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian Ettore Sequi.
Para të ftuarve ambasadori Wolfarth tha se misioni i tij do të vazhdojë në një vend tjetër siçështë Kuvajti.
Më herët kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri ka luajtur një rol aktiv gjatë proceseve zgjedhore të mbajtura në vendin tonë. Shpeshherë në deklaratat e tij është bërë thirrje ndaj klasës politike shqiptare që të zhvillojnë zgjedhje brenda standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët duke respektuar ligjet e vendit dhe Kodin Zgjedhor. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 qershorit, ambasadori Wolfarth apeloi për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke kërkuar vazhdimisht njohjen e rezultatit paszgjedhor. Qëndrime të forta ndaj klasës politike shqiptare ai ka mbajtur për plotësimin e vendeve të mbetura bosh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu një kontribut ai ka dhënë edhe në asistencë teknike për KQZ-së dhe Policinë e Shtetit duke siguruar trajtime dhe bazë materiale në emër të OSBE-së.